Lapaj: Nëse fitojmë në Kushtetuese, në zgjedhje shkojmë me lista të hapura
Adriatik Lapaj nga “Shqipëria Bëhet”, 3 ditë pas depozitimit të padisë në Gjykatën Kushtetuese ku së bashku me “Nismën Thurje” kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, thotë se nëse Gjykata Kushtetuese i gjen si antikushtetuese ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, atëherë zgjedhjet e ardhshme do të jenë me lista 100% të hapura.
Nga ana tjetër, ai shpjegoi edhe propozimin e tij dhe u shpreh besimplotë se do të fitojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Finalja do të jetë Gjykata Kushtetuese, ku kam besim që do të dalim triumfatorë dhe do të realizojmë dy pikat; votën e diasporës që u arrit dhe hapjen e listave. Propozimi ynë ka qenë që bëjeni alternative që parti të caktuara ta mbyllin deri në 1/3, kurse të tjerat ta hapin 100%. Ajo që kemi arsyetuar përballë Gjykatës Kushtetuese lidhet me faktin që propozimi i bërë është tej proporcionit që e dikton.
Nëse Gjykata Kushtetuese i gjen si antikushtetuese ndryshimet e fundit atëherë zgjedhjet e ardhshme do të jenë me lista 100% të hapura. Nuk ka më kohë. Nëse e fitojmë këtë betejë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme do të shkojnë me lista të hapura. Edhe te ky kod zgjedhor, nuk ka krim perfekt.
Këta kanë bërë krim ndaj të drejtës sonë, por harrojnë që përballë nuk kanë pazarxhinjtë e dikurshëm, por kanë ekspertë të së drejtës, pedagogë, avokatë me eksperiencë nga më të mirët në vend. Nëse nuk arrihet në kushtetuese, por jam i sigurt që do bëhet”, u shpreh Lapaj në “A2cnn”.