Lejet e ndërtimit dhe pagat në bashkitë e vendit, ministri Mazniku: Qasje e re në katër drejtime, përshpejtohen proceset

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbi Mazniku, flet për një qasje të re në katër drejtime, duke iu dhënë më shumë fuqi bashkive në territorin e tyre. Është kjo formula e re që do të përdoret prej vjeshtës, për t’i dhënë një tjetër hov procesit të legalizimeve të ndërtimeve në vend.

”Së pari i japim të drejtë bashkive që të vendosin përparësitë. Që do të thotë; tanimë edhe ritmi i punës, por edhe rendi i punës se ku do të fillojë dhe ku do të punojë ASHK-ja, zyra e legalizimit të ASHK-së në atë qytet do të caktohet nga bashkia. Bashkitë do të kenë të drejtën të caktojnë prioritet në atë territor”, tha Mazniku për ”A2cnn”.

Me qëllim përshpejtimin dhe përmbylljen e procesit për 237 mijë dosjet e hapura edhe para vitit 2028 siç ligji përcakton, në bashki do të ngrihen zyra të posaçme me punonjës të specializuar që do të ndihmojnë qytetarët. Gjithashtu synohet ngritja e një mekanizmi transparence dhe llogaridhënie mes palëve. Paralelisht me përshpejtimin e legalizimeve, në zonat rurale do të lehtësohen procedurat e marrjes së leve të ndërtimit.

“Hapi i parë ka të bëjë me një proces që ishte në mënyrë sistematike një problem i banorëve që donin të bënin riparime të mureve rrethuese, mureve mbajtëse, çative pa shfrytëzim të cilat kërkonin atë që njihej si një leje ndërtimi sipas “Nenit 7”. Ishte tashmë një leje e thjeshtuar ndërtimi, por tani do të jetë edhe më e thjeshtuar”,-thotë më tej Mazniku. Lehtësimet ligjore përfshijnë edhe objektet për qëllime bujqësore apo blegtorale dhe shtesat. Gjithashtu për të ndihmuar qytetarët, bashkitë do të ofrojnë projekte të gatshme dhe falas për shtëpi të përmasave të ndryshme.

”Nivelet e pagave janë tashmë të dakordësuara me minimumet dhe maksimumet e reja. Synimi i përgjithshëm është që kur një person është arkitekti, ai duhet të jetë në nivel të ngjashëm pagese pavarësisht ku punon. Ne duhet të sigurohemi që zyrat e bashkive të vogla të jenë më të vogla, por jo që ai person të ketë një pagë më të ulët”. Me qëllim që bashkitë të arrijnë të përballojnë rritjen e pagave, ministri vlerëson se një pjesë e kostove mund të mbulohen nga qeveria.

SHKARKO APP