Letra e 5-të e Ramës, 31 maji, 1 qershori dhe Surreli

Opozita dhe mazhoranca janë duke shkuar me vrap drejt datës 31 maj, datë kur fillon zyrtarisht fushata elektorale e zgjedhjeve të datës 30 qershor. Por kur u duk se kryeministri po tërhiqej në letrën 4-të, që ia nis publikisht Lulzim Bashës, sot me letrën e 5-të Edi Rama u hodh në sulm dhe nuk la asnjë shteg kompromisi, paçka se e rrotullon fjalën “dialog” nëpër letër. Kryeministri foli me tonin e të “fortit”, pavarësisht se protesta e datës 25 maj e opozitës ishte e madhe dhe paqësore. Paqësore ishte se lidershipi opozitar bëri të pamundurën me militantët e tyre, duke premtuar se po shkohet drejt një zgjidhje politike, aq me tepër se Gjermania e kancelares Angela Merkel foli hapur se nuk mund të pranohen zgjedhje me një palë politike, bile nënvizoi se nuk është tabu dorëheqja e kryeministrit.

Kjo gjë i mbajti militantët pa djegur kryeministrinë dhe sallën e parlamentit. Por protesta iku dhe po mbërrin data 31 maj, protesta e lajmëruar nga Lulzim Basha. Edi Rama sot nuk tha gjë të re, përveç gjuhës së presionit dhe sarkazmës. Ai dha “njoftimin” se mitingun e hapjes së fushatës elektorale të datës 31 maj e ka spostuar me 1 qershor. Dhe se do të shkojë në zgjedhjet e datës 30 qershor i vetëm.

Protesta e 25 majit ishte sforcuese për lidershipin opozitar, në sensin se mezi po mbanin turmën ta merrte përpara policinë e Ramës dhe të Lleshajt. Betejat me popullin nuk ka asnjë pushtet që e ka fituar, të paktën deri më sot. Por opozita pret reagimin e kryeministrit, reagim që duhej korrekt, shkurt dhe pa letra “dashurie” publike. Opozita ka kërkesa të deklaruara, sikurse dhe kryeministri ka thënë se nuk pranon asnjë kërkesë të tyre që lidhet me shtyrjen e zgjedhjeve lokale , dorëheqjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe opozita thotë nuk tërhiqet. Por ka nevojë që palët të ulen në tavolinë dhe natyrisht në një marrëveshje të madhe kombëtare, sejcila palë duhet të tërheqë diçka për të arritur te synimi për zgjedhje të lira.

Pikësëpari duhet të deklarojë kryeministri se zgjedhjet e 30 qershorit jam gati t’i shtyjë sepse nuk mund të shkojë pa opozitën në konkurim zgjedhor. Më pas opozita duhet të bëjë hapin e saj për t’u ofruar në tavolinën e zgjidhjes politike. Por nëse kryeministri tregon dhëmbët dhe nuk lë asnjë shteg zgjidhje për datën 30 qershor, atëhere protesta e datës 31 maj do të jetë radikale. Dhe e dhunshme, sipas informacionëve. Opozita nuk ka më asnjë mundësi të bind të militantët dhe ndjekësit e saj që të protestojnë pa dhunë. I bindi me zor me datë 25 maj, por nuk ka më asnjë shans ti paqtojë për më datën 31 maj.

Pas letrës së kësaj të diele të kryeministrit Rama, lidershipi opozitar po shikon disa variante për datën 31 maj. Një prej variantëve të krahut radikal në PD dhe në LSI është thirrja e popullit  të rrethojnë vilën  e kryeministrit Rama në Surrel. Ky skenar nuk duhet kurrsesi të miratohet, pasi duke qenë zonë kodrinore, e pakontrolluar dhe nuk ka ushtri që mbron zonën ku banon kryeministri, mund të ketë pasoja të papara. Ndaj më mirë skenari që po diskutohet. Skenari dytë lidhet pak a shumë me protestë masive para kryeministrisë, pa afat dhe pa kontroll. Dhe ku pas përplasjes me pushtetin e kryeministrit, po atë natë do të mbushet me çadra të vogla dhe të mëdha para kryeministrisë, deri të sheshi “Nënë Tereza” si dhe duke vijuar nga pjesa tjetër e bulevardit deri te ministria e brendshme. Pak a shumë mbi pesë mijë çadra, të cilat janë në gadishmëri për t’u shpërndarë, nëse Lulzim Basha jep urdhërin për bllokim deri me datë 30 qershor.

Skenari i Surrelit është skenar që nuk dihet si përfundon dhe që ka afatin 24 orë, kurse skenari i dytë vazhdon deri me 30 qershor.

Edi Rama dhe lidershipi opozitar duhet të gjejnë kanale komunikimi për t’u ulur. Dhe jo kanalet e biznesit, sepse po hyri oferta e biznes-media-biznesit edhe opozita kur të vijë në qeveri do të bëjë si Rama!

Ndaj të hapur në tratativat e negocimit!

Dhe për një marrëveshje të madhe kombëtare që ti shërbejë Shqipërisë, të paktën për 30 vitet e ardhshme, sikurse propozon opozita.

S.P.

SHKARKO APP