Letra e plotë drejtuar Presidentit, PS-LSI: Nishani të respektojë kriteret ligjore

Kryetarët e Grupeve Parlamentare të PS dhe LSI i janë drejtuar me një letër Presidentit Bujar Nishani ku i kërkojnë të rihapë garën për 3 vendet vakant për në Gjykatën e Lartë me ligjin e ri.

Drejtuesit e grupeve parlamentare të mazhorancës Gramoz Ruci dhe Petrit Vasili kërkojnë që Presidenti të dekretojë ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë.

Gjithashtu i kërkojnë Presidentit ti përmbahet ligjit të ri për Gjykatën e Lartë, i cili ndër të tjera parashikon dhe ngritjen e një Këshilli Konsultativ pranë presidentit me përbërjen e krerëve të institucioneve të drejtësisë për përzgjedhjen e kandidaturave.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga Ju, një proces përzgjedhjeje të bazuar në kushtet e kriteret konkrete të përcaktuara nga ligji dhe jo në perceptimet personale dhe as në parapëlqimet politike.

Në asnjë nga këto takime nuk është mundësuar kryerja e procesit konsultues për përcaktimin e kritereve shtesë, bazuar mbi listën e kandidatëve, siç detyrojnë ndryshimet ligjore të miratuara konsensualisht.

Këto konsultime kanë qenë krejtësisht formale, aspak luajale e aq me pak thelbësore. Në asnjë prej këtyre takimeve, nuk jemi njohur me shkallën e plotësimit të kritereve objektive nga secili kandidat.

Në këtë mënyrë, nuk mund të pretendohet se konsultimi ka pasur si objektiv “…përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë” sikundër ligji urdhëron.

Këtë shqetësim, Ne J’ua e kemi bërë me dije edhe nëpërmjet një Letre të dërguar nga ne në emër të Grupeve Parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në datë 2706.2014", thuhet ndër të tjera në letër. /gj.k/

 

Letra e plotë

I nderuar zoti President,

Në vlerësim të letrës tuaj datë 26 Dhjetor 2014, nëpërmjet të cilës, Ju kërkoni bashkëpunimin e grupeve parlamentare për dhënien e mendimeve për përcaktimin e kritereve konkrete dhe performancën që duhet të kenë dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë, në cilësinë e kryetarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, në kushtet kur qëndrimet dhe vlerësimet tona në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kanë qenë krejtësisht të ndryshme nga ato të mbajtura nga institucioni juaj, me synimin për të orientuar qëndrimet e mbajtura drejtë përputhjes me standardet kushtetuese, dëshirojmë t’Ju parashtrojmë, ashtu siç Ju e keni kërkuar, me shkrim dhe publikisht, opinionin tonë konsekuent në lidhje me këtë çështje.

Ne vijojmë të shpresojmë se mund të ndajmë me Ju shqetësimin madhor se përbërja cilësore që duhet të ketë Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht në këto momente, kur sistemi gjyqësor perceptohet gjerësisht si i prekur në mënyrë sistemike nga fenomene të tilla, si korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit, është drita e shpresës, që duhet të duket në fund të këtij tuneli reformash, të cilat kjo mazhorancë ka vullnetin t’i zbatojë për sistemin e drejtësisë.

Shprehim keqardhjen tonë që procesi konsultues në mënyrën e zhvilluar nga ana Juaj me krerët e grupeve parlamentare, në kuadër të procesit të përzgjedhjes dhe të emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë nuk ka arritur t’i shërbejë krijimit të një raporti bashkëpunimi luajal dhe institucional kushtetues ndërmjet Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Që prej hyrjes në fuqi të ligjit nr.151/2013,”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, në trupën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë krijuar 3 vende vakante.

Për tri herë me radhë, Ju zoti President keni sjellë pesë dekrete emërimi, të cilët janë rrëzuar pas një arsyetimi të plotë ligjor nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, qëndrim i cili është pasqyruar në raportet e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, që shoqërojnë vendimet e Kuvendit për rrëzimin e dekreteve tuaja.

Në zbatim të detyrimit ligjor, Ju keni ftuar kryetarët e grupeve parlamentare për të zhvilluar konsultime në lidhje me kandidaturat që janë paraqitur për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga Ju, një proces përzgjedhjeje të bazuar në kushtet e kriteret konkrete të përcaktuara nga ligji dhe jo në perceptimet personale dhe as në parapëlqimet politike. Në asnjë nga këto takime nuk është mundësuar kryerja e procesit konsultues për përcaktimin e kritereve shtesë, bazuar mbi listën e kandidatëve, siç detyrojnë ndryshimet ligjore të miratuara konsensualisht. Këto konsultime kanë qenë krejtësisht formale, aspak luajale e aq me pak thelbësore. Në asnjë prej këtyre takimeve, nuk jemi njohur me shkallën e plotësimit të kritereve objektive nga secili kandidat. Në këtë mënyrë, nuk mund të pretendohet se konsultimi ka pasur si objektiv “…përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë” sikundër ligji urdhëron. Këtë shqetësim, Ne J’ua e kemi bërë me dije edhe nëpërmjet një Letre të dërguar nga ne në emër të Grupeve Parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në datë 2706.2014.

Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kushtetuese e ligjore në zhvillimin e këtij procesi, tërësisht të mbyllur dhe larg standardit kushtetues të luajalitetit institucional, në respekt të pushtetit të vetë kushtetues, Kuvendi ka rrëzuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Kjo situatë e krijuar në raportin kushtetues ndërmjet Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë për përzgjedhjen e kandidaturave, si dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ka shtruar përpara mazhorancës gjetjen e mekanizmave të përshtatshëm institucional dhe kushtetues, me qëllim shmangien e këtij ngërçi institucional të tejzgjatur.

Procesi i përgjithshëm përzgjedhes i funksionareve publike shoqërohet me procedura të cilat synojnë të garantojnë ndër të tjera, transparencë, meritë dhe profesionalizëm. Këto kritere jane implementuar edhe në legjislacionin që rregullon rekrutimin dhe karrierën në sistemin e drejtësisë. Për rrjedhojë, Kuvendi, ka synuar që të garantojë këto kritere edhe në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Lartë me synimin për të krijuar besimin publik se nëpërmjet këtij procesi synohet forcimi i një institucioni profesional dhe të përgjegjshëm për t’i sherbyer interesave publike në administrimin e drejtësisë.

Mbi këtë bazë, Ne Grupet Parlamentare të Partisë Socialiste dhe të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim :

– duke qenë të vetëdijshëm për realizimin me Presidentin e Republikës të një procesi të luajalitetit kushtetues institucional, që bazohet mbi një bashkëpunim korrekt, të sinqertë dhe të vërtetë dhe që kryhet vetëm mbi një vlerësim objektiv, proporcional dhe të arsyeshëm të kandidaturave për anëtar të Gjykatës së Lartë,

– të bindur se përzgjedhja për gjyqtar të Gjykatës së Lartë duhet të bëhet për ato kandidatura që, krahasuar me të tjerët, arrijnë të përmbushin në nivelin më të lartë cilësor misionin kushtetues që ka Gjykata e Lartë për njehsimin e praktikës gjyqësore, si dhe për të garantuar qëndrueshmërinë në zbatimin e së drejtës,

– me synimin për të shmangur një proces formalist që nuk arrin të përmbush misionin për realizimin e një procedure konkurrimi të personave mbi bazë vlerash dhe që nuk arrin të krijojë mundësitë dhe as të jap shpresë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë,

kemi ndërmarrë me një frymë të qartë konstruktiviteti nismën ligjvënëse për ndryshime në ligjin organik të Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar së tepërmi elementin profesional dhe transprencën publike që duhet të shoqërojë të gjithë procesin përzgjedhës të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Me ligjin nr. 177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” të ndryshuar””, Kuvendi i Shqipërisë i miratoi këto ndryshime, duke krijuar Këshillin për Emërimet në Gjykatën e Lartë.

Ky organizëm konsultativ dhe jo vendimmarrës, në përbërje të të cilit janë ex officio figurat më përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, pesë prej të cilave, për shkak të parashikimeve kushtetuese janë personalitete që kanë gëzuar besimin tuaj, në momentin e emërimit, do të jetë një kontribut i pazëvendësueshëm që i jep legjitimitet, në rradhë të parë vendimmarrjes tuaj, zoti President dhe më tej Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e vlerësimit të kandidaturave të paraqitura për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Ne e kemi vlerësuar dhe e kemi mbajtur fort në vëmendje faktin se inicimi dhe miratimi i këtij ndryshimi të rëndësishëm ligjor lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit përzgjedhës për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe krijimin e Këshillit për Emërimet ka pasur dhe dijenin e dakortësinë Tuaj në parim.

Mbështetja që kjo nismë ligjore gjeti edhe nga strukturat ndërkombëtare që asitojnë vendin tonë në fushën e drejtësisë, si Euralius, OPDAT dhe Prezenca e OSBE-së, na bën me shpresë se kjo zgjidhje ligjore do të mund të ofrojë një model të frytshëm bashkëpunimi, krejtësisht transparent dhe të përgjegjshëm mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Ligji nr.177/2014, në zbatim të detyrimit kushtetues, pret dekretimin tuaj për të hyrë në fuqi. Ne mbetemi me shpresë se ky ligj i miratuar me shumicën e cilësuar përkatëse të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë do të marri edhe miratimin Tuaj final po aq sa edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Sigurisht që në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë, një proces që po materializohet me nisjen e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, alternativa të tjera mund të merren në konsideratë për të adresuar këto procedura, duke pasur si objektiv mbajtjen e tyre sa më larg ndikimeve politike, rritjen e transparencës dhe përzgjedhjen e profesionistëve më të mirë.

I nderuar Zoti President !

Ne Grupet Parlamentare të Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim :

– jemi tepër të qartë se korrupsioni i kudogjendur në të gjitha strukturat shtetërore, e sidomos në sistemin e drejtësisë, përbën një nga sfidat më madhore për të ardhmen europiane të vendit dhe kërkon angazhim të gjyqtarëve me integritet të lartë moral e profesional, por edhe të evidentuar për pastërtinë e figurës së tyre publike.

– kemi marrë në konsideratë faktin se në çdo vend të botës demokratike, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë janë personalitete të jetës publike e shoqërore dhe figura të spikatura të së drejtës.

– jemi të ndërgjegjësuar se procesi konsultues kërkon respektimin e standardit kushtetues për zgjedhjen vetëm të kandidaturave me kualifikim të lartë, me formimin e duhur akademik, të cilët mund të ndikojnë në përbërjen cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë;

– kemi bindjen për nevojën urgjente që paraqet unifikimi i praktikës gjyqësore, e cila mund të realizohet vetëm nga gjyqtarë shumë të aftë profesionalisht, nëpërmjet arsyetimeve ligjore cilësore, të qëndrueshme në kohë dhe që tejkalojnë interesat e momentit.

– respektojmë jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konkluduar qartësisht për natyrën përcaktuese dhe përfundimtare të kompetencës vendimmarrëse të Kuvendit mbi kompetencën propozuese të Presidentit të Republikës, për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

– jemi të mendimit se sistemi i drejtësisë në Shqipëri, nuk mund të mbetet peng i mllefeve personale apo prapavijave të interesave politike ose klienteliste.

– kemi në vëmendje detyrimin ligjor, të parashikuar në ligjin nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” që kërkon marrjen në konsideratë të “përbërjes së trupës gjyqësore, në momentin e emërimit të kandidatit, duke synuar balancën ndërmjet përvojave personale të anëtarëve”.

– jemi të orientuar nga detyrimi ligjor që parashikohet në nenin 70, pika 2 të ligjit nr. 49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, se dy gjyqtarët e rinj që do të zgjidhen “do t’i shtohen numrit aktual të anëtarëve të kësaj gjykate për të krijuar Kolegjin Administrativ”.

Në kushtet kur Ju me letrën Tuaj, kërkoni të vijoni përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet një procedure, e cila tashmë është reformuar me një ligj të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka shtuar ndjeshëm elementët e domosdoshëm të transparencës së munguar dhe forcimit të kritereve profesionale në këtë proces të rëndësishëm, Ju lutemi që të rikonsideroni qëndrimin Tuaj institucional në këtë proces.

Në kuadrin e transparencës, dëshirojmë të besojmë se edhe Ju, ashtu sikurse Ne, i qëndroni mendimit se qytetarët e këtij vendi gëzojnë të drejtën të njihen paraprakisht se cilët janë kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, çfarë përfaqësojnë ata në karrierën e tyre profesionale dhe si individë, cilat janë kushtet dhe kriteret konkrete që plotësojnë ata më mirë se kandidaturat e tjera të përzgjedhura në një proces konkurimi. Ky është kushti minimal për të garantuar besueshmërinë e qytetarëve te drejtësia. NE përfaqësuesit e zgjedhur me votën e tyre kemi detyrimin e madh t’ia garantojmë këtë të drejtë kushtetuese qytetarëve të vendit tonë.

Prandaj, identifikimi i kandidaturave të spikatura dhe me integritet të lartë profesional dhe moral, që do të përzgjidhen për të kryer funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është, pikësëpari, një çështje e Presidentit të Republikës, por edhe një përgjegjësi po aq e madhe, kushtetuese, ligjore, morale dhe politike e Kuvendit.

Në këtë kuadër Ne sugjerojmë që :

– të rihapet procesi i kandidimit në funksion të ndryshimeve të reja të bërë me ligjin nr. 177/2014 “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” të ndryshuar”;

– procesi përzgjedhës e konsultues të jetë sa më transparent, nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm, bazuar në kushtet e kritere ligjore, duke respektuar fort kriteret objektive dhe kriteret shtesë, bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë;

– vlerësimi, përzgjedhja, konsultimi e vendimmarrja të bëhet mbi përcaktimin e përparësisë së kritereve objektive dhe kritereve shtesë, duke i analizuar secilin prej tyre në veçanti, dhe për çdo kandidat, bazuar në dokumentet e paraqitura ose në dokumentet shtesë që mund të kërkohen sipas ligjit, detyrim i cili nuk është përmbushur në asnjë nga dekretet e mëparshme për emërimin e gjyqtarëve,

– përzgjedhja e kandidatëve të orientohet nga vjetërsia në profesion, por edhe nga përvoja e spikatur gjyqësore dhe akademike, veçanërisht në fushën e të drejtës administrative, që krahasuar me të tjerët, përmbushin, në nivelin më të lartë cilësor, misionin kushtetues që ka Gjykata e Lartë për unifikimin e praktikës gjyqësore, në funksion të uniformitetit dhe qëndrueshmërisë në zbatimin e së drejtës.

Ky proces që është në përgjegjësinë Tuaj zoti President i Republikës të mos konsiderohet si një formalizëm, por të realizohet me seriozitetin dhe kthjelltësinë e nevojshme, për të qenë në lartësinë e duhur të ushtrimit të përgjegjësive që Kushtetuta dhe ligji na detyrojnë t’i ushtrojmë së bashku.

Me konsideratë,

Gramoz Ruçi Petrit Vasili

SHKARKO APP