Lezha çel sezonin turistik 2025 me një festë shumëngjyrëshe në Shëngjin

Lezha çeli zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2025 me një aktivitet festiv në Shëngjin, ku u ndërthurën kultura, muzika dhe promovimi i pasurive turistike të zonës. Ceremonia, e zhvilluar mbrëmjen e kaluar buzë Adriatikut, mblodhi personalitete të jetës politike dhe diplomatike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, si dhe dhjetëra vizitorë e pushues nga trevat shqiptare.

Në mesin e të ftuarve ishin ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja; ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri; kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani; kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj; ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Dyrmishi, si dhe shumë figura të tjera publike.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se “Shëngjini, Talja dhe Lezha kanë pësuar ndryshime rrënjësore vit pas viti. Jemi krenarë për progresin që kemi bërë në zhvillimin e turizmit, por mbetemi të vetëdijshëm se përpara kemi ende shumë punë. Nuk do të ndalemi në përmirësimin e infrastrukturës, pasurimin e ofertës turistike dhe krijimin e një ambienti gjithnjë e më komod dhe atraktiv për pushuesit”.

Atmosfera festive u ndez nga performancat e artistëve të njohur Luiz Ejlli dhe Teuta Selimi, të cilët sollën një repertor të dashur për publikun, duke dhuruar momente të paharruara për të pranishmit.

Pjesë integrale e festës ishte edhe Panairi i Artizanatit dhe Kulinarisë Tradicionale, ku prodhues vendas ekspozuan vlerat autentike të trashëgimisë kulturore të zonës – nga punimet artizanale te gatimet karakteristike të Lezhës dhe më gjerë. Produktet vendore, verërat artizanale, vaji i ullirit, djathi tradicional dhe shijet mesdhetare të kuzhinës bregdetare u mirëpritën nga vizitorët.

Në hapësirat e aktivitetit, operatorët turistikë prezantuan paketat dhe ofertat për sezonin e ri, duke synuar të tërheqin jo vetëm pushuesit vendas, por edhe turistë nga rajoni dhe më gjerë. Investimet në akomodim, guida turistike, plazhe të certifikuara dhe aktivitete sportive e rekreative po e kthejnë Lezhën në një destinacion të rëndësishëm për turizmin shqiptar.

Lezha, e bekuar me resurse të shumta natyrore, historike dhe kulturore, përfshirë lagunat, malet, monumentet e natyrës, kalatë, dhe sitet arkeologjike, mbetet një prej zonave më të preferuara nga pushuesit – veçanërisht ata nga Kosova, të cilët çdo vit zgjedhin brigjet e Shëngjinit për pushimet verore.

Sezoni turistik 2025 në Lezhë është hapur me shpresën dhe përkushtimin për një verë të sigurt, të pasur dhe të paharrueshme për të gjithë vizitorët.
AV

SHKARKO APP