“LGBT në shkolla”, Çollaku: Ministria nuk mund të keqpërdorë të miturit

Kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në selinë blu: Kërkesë grupit parlamentar demokrat që të kërkojë ndërprerjen urgjente të këtij programi

Intervistoi: Ira Hetemi

Kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku e konsideron si të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht promovimin e komunitetit LGBT në shkolla. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Çollaku shprehet se nuk bën pjesë të ata njerëz që promovojnë e aq më tepër diskriminojnë këtë komunitet, por nuk mund të pranohet që të miturve t’u jepen leksione për diversitetin seksual ende pa mbushur moshën madhore. Ai thotë se është tjetër gjë që debatosh për liritë e njeriut dhe tjetër gjë ajo që po ndodhe në shkollat shqiptare. “Ky debat nuk mund të degradojë në stimulim seksual të të miturve. Kudo në botë kjo është vepër penale “harassment” mbase termi më i përshtatshëm në shqip do të ishte “ngacmim ose stimulim seksual ndaj të miturve”. Kudo në botë kjo është e dënueshme penalisht”,- shprehet Kreshnik Çollaku.

Z. Çollaku, bëni pjesë te zërat që keni dalë kundër programit për të drejtat e komunitetit LBGT në shkolla. Nga ana tjetër, zyrtarë të qeverisë thonë se projekti ka të bëjë me ndërgjegjësimin kundër diskriminimit dhe bullizmit, si dhe është pjesë e kritereve të ligjeve ndërkombëtare. Nga përvoja juaj në diplomaci, cilat shtete të tjera kanë programe të tilla?

Dua të jem krejt i qartë. Unë nuk bëj pjesë të ata njerëz që promovojnë e aq më tepër diskriminojnë komunitetin LGBT. Nëse e drejta apo liria e çdo individi pjesë e këtij komuniteti apo si i tërë do të cenohej, unë do të isha në mbrojtje të kësaj të drejte apo lire që ata duhet ta gëzojnë të padiskriminuar si qenie njerëzore. Por jam kategorikisht kundër kthimit të preferencave të këtij komuniteti në një model që i imponohet pjesës tjetër. Pranimi apo jo i modelit të këtij komuniteti, zgjedhjeve të tyre seksuale nuk mund të shndërrohet model për shoqërinë e aq më pak të konsiderohet si provë apo test emancipimi. Këtu kemi të bëjmë me një abuzim me të drejtën dhe lirinë, pasi në çdo lloj forme cenohet imponohet lira e pjesës tjetër. Debati i fundit lidhur me ngjarjen e turit serial të disa transeksualeve si model nëpër shkolla para fëmijëve të mitur që nuk kanë mbushur moshën e pjekurisë seksuale dhe ligjore 18-vjeç, është një akt skandaloz. Nga raportimet në media ajo që mbulohet me formulën “luftë kundër bulizmit apo diskriminimit” në fakt ka rezultuar një shfaqje e këtyre individëve për të treguar favoret apo eksperiencat e tyre seksuale transgjinore përpara disa të miturve, nën moshën e pjekurisë seksuale dhe përgjegjshmërisë ligjore. E para, ata janë të mitur dhe në një moshë shumë të brishtë e në formim të karakterit personaliteti e sigurisht dhe të seksualitetit. Nëse çështja morale e luftës ndaj diskriminimit apo bulizmit ka pak të bëjë me shpjegimet publike para të miturve të eksperiencave seksuale. Nuk kuptoj nëse një program i tillë ka synim të drejtën e mos diskriminimin dhe për këtë do të mjaftonin psikologë e pedagogë, apo joshjen seksuale të të miturve e stimulimin e këtij modeli seksual përmes eksperiencave të transgjinoreve. Skandali dytë me atë që ka ndodhur është se kur bëhet fjalë për të mitur deri në moshën 18-vjeç, janë të papërgjegjshëm ligjërisht. Kjo përgjegjshmëri u takon prindërve. Çdo program në çdo shkollë bëhet me aprovimin dhe konsentin e prindërve. Çdo prind kur çon fëmijën në një shkollë, njihet paraprakisht me programet e lëndëve dhe mësuesit. Në këtë rast ky program me këta “lektorë” është infiltruar në shkolla pa lejen e prindërve, që janë përgjegjës ligjërisht për fëmijët e tyre. Lidhur me normat ndërkombëtare në këtë drejtim ky është një debat që bëhet gjerësisht në botë, por si debat të drejtë e lirie. Ky debat nuk mund të degradojë në stimulim seksual të të miturve. Kudo në botë kjo është vepër penale “harassment” mbase termi më i përshtatshëm në shqip do të ishte “ngacmim ose stimulim seksual ndaj të miturve”. Kudo në botë kjo është e dënueshme penalisht.

Ju keni folur personalisht në rrjetet sociale, përse PD nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me këtë fenomen?

Unë kam folur si prind në radhë të parë e i kam kërkuar çdo prindi të reagojë. Por unë jam po ashtu një njeri aktiv në shoqëri patjetër dhe me një profil politik. Debati nuk është partiak, por duhet të jetë shoqëror. Ndërsa përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit në këtë proces është çështje politike e cila sigurisht do të ndiqet në parlament dhe institucione të tjera. Unë gjej krejtësisht të përputhshëm me konceptin tim me këto vlera shoqërore parimet ku formësohet ideologjia e PD, dhe ky është pikërisht një ndër motivet që më bëjnë dhe mua të jem pjesë e PD-së.

Keni paralajmëruar një padi për ministren e Arsimit, ndërkohë që Ministria i referohet një plani kombëtar të miratuar nga qeveria. A duhet që PD-ja të kërkojë ndryshimin e këtij pani të qeverisë “Rama”?

Po kam paralajmëruar ministren e Arsimit dhe shkollën e fëmijës tim, se nëse do të mësoj se fëmija im i është nënshtruar një programi të tillë pa lejen time si prind do të ngrejë një padi penale ndaj ministres dhe institucionit arsimor, që e kryen këtë aktivitet. Unë do ti kërkoj dhe grupit parlamentar të PD dhe përfaqësuesve të PD në komisionet përkatëse parlamentare, që të ndërhyjnë sa më parë që ky program ose të korrektohet ose të ndërpritet urgjentisht.

Në teoritë e komunikimit modern sa më shumë të flasësh për një çështje, edhe kur je kundër saj, ndonjëherë vetëm sa i rrit vlerat kauzave të palës tjetër. Reagimet në media lidhur me LGBT, a mos ndoshta po i shërbejnë pikërisht këtij komuniteti për tu bërë temë kryesore e debatit publik?

Kjo që thoni ju është e vërtetë, por ne ndodhemi para një fakti të kryer shqetësues për të cilën duhet reaguar. E përsëris në rast se do të ishte çështje e të drejtave dhe lirive të tyre, unë do të isha në krah të tyre, por kjo është abuzim në këtë të drejtë. Mua kjo më ngjan një sjellje sekti. Mua kjo më ngjan si frymëzim i këtyre fushatave, shpesh bëhet jo nevoja e garancisë së të drejtuesve, por milionat e eurove që këto fushata financohen. Çdo kush ka të drejtë ta sigurojë jetën e pasurinë e vetë, edhe këta organizatorë, por jo duke tentuar të ndikohen seksualisht të miturit me lektorë transgjinorë. Ky është abuzim me të drejtën, lirinë dhe pranimin që të bën shoqëria dhe pjesa tjetër.

SHKARKO APP