LIBRA depoziton në Kuvend 7 propozime për reformën zgjedhore
Përmes deputetes së saj Mimoza Hafizi, forca më e re politike në vend, LIBRA depozitoi sot pranë Komisionit të posaçëm parlamentar propozimet e saj për reformën zgjedhore.
Në kuadër të parapërgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Hafizi bën me dije se LIBRA përveç amendimeve në Kodin Zgjedhor, ka kërkuar ndryshime edhe në disa ligje të tjera, të cilat ajo i konsideron emergjente për përmirësimin e administrimit zgjedhor në zgjedhjet e 18 Qershorit 2017.
Konkretisht, LIBRA kërkon: Përbërje jopartiake të komisioneve zgjedhore; Numërim elektronik të votave; Tavan mbi shpenzimet e partive politike dhe audit ndërkombëtar mbi këto financime; Ashpërsim të masave për shitblerjen dhe tjetërsimin e votës; Të drejtë vote për emigrantët; Hapësirë të barabartë mediatike gjatë fushatës; Dekriminalizim të listave zgjedhore.
Njoftimi i deputetes Mimoza Hafizi
Sot paraqita në Komisionin e Reformës Zgjedhore kërkesat tona, të dy deputetëve LIBRA dhe një grupi deputetësh nga forca të ndryshme politike, për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe në disa ligje të tjera, tek të cilat ne mbahemi fort, dhe i konsiderojmë emergjente për përmirësimin e administrimit zgjedhor në zgjedhjet e 18 Qershorit 2017.
Ne kërkojmë:
- Përbërje jopartiake të komisioneve zgjedhore
- Numërim elektronik të votave
- Tavan mbi shpenzimet e partive politike dhe audit ndërkombëtar mbi këto financime
- Ashpërsim të masave për shitblerjen dhe tjetërsimin e votës
- Të drejtë vote për emigrantët
- Hapësirë të barabartë mediatike gjatë fushatës
- Dekriminalizim të listave zgjedhore.
Komisioni i Reformës Zgjedhore u mblodh sot për herë të parë, vetëm 5 muaj nga zgjedhjet e rradhës. Prej muajsh e vitesh, ky komision bllokohet dhe ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve për ndryshime ligjore që çojnë në zgjedhje të lira e të ndershme. Ky komision vihet në lëvizje vetëm nga vullneti politik dhe interesat manipuluese të partive të cilat përfaqësohen aty, partitë e vjetra politike që prej dekadash i kanë kthyer zgjedhjet në një stres e tension për çdo shqiptar dhe në një barrikadë serioze të demokracisë.
Nisur nga emergjenca, ne jemi fokusuar vetëm në përmirësime të administrimit dhe infrastrukturës zgjedhore, ndonëse jemi të ndërgjegjshëm se vetë sistemi zgjedhor shqiptar ndodhet në thelb të pabarazisë elektorale.
Ndonëse nuk jam anëtare e këtij komisioni, unë do të marr pjesë në të gjitha mbledhjet e tij, me të drejtën e fjalës që ma garanton ligji, për të shtjelluar kërkesat për ndryshime ligjore, si dhe për të garantuar para qytetarëve transparencën e punës në këtë komision.
Ju bëj me dije se sot komisioni u mblodh pa praninë e medias.
KOHA JONË SONDAZH

