LIBRA pyet popullin: Si doni të votojmë për Buxhetin?
LIBRA, partia e Ben Blushit, ka vendosur të bëjë një referendum me anëtarësinë e saj për të përcaktuar votën e dy deputetëve të saj në Kuvend.
Risia që vjen në politikë i shkon filozofisë së kësaj partie që ka deklaruar se në Kuvend, në politikat dhe reformat, duhet të përçohet interesi i shtresave më të varfra e më të papërfaqësuara.
Konkretisht, pyetja për anëtarësinë është kjo: “Si doni të votojmë për Buxhetin” shoqëruar me një shpjegim të thjeshtë për qytetarët e në fund të tij, vota po ose jo.
Ja ç’thuhet në të:
“Siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë me një forcë politike, ne kemi vendosur t’i japim anëtarësisë së LIBRA-s të drejtën për të përcaktuar votën tonë për buxhetin 2017, i cili diskutohet e vendoset javën e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.
Ju bëjmë me dije disa çështje themelore të këtij buxheti, që na kanë alarmuar dhe duam t’i ndajmë me ju :
Buxheti parashikon që laboratoret në të gjitha spitalet publike të jepen me konçesion. Vlera që kompania private do të marrë nga fondet publike, çdo vit, për dhjetë vjet, do të jetë 886.3 milionë lekë.
Ky buxhet paguan më shumë për tetë konçesione sesa për të gjitha universitetet bashkë. Ai do të paguajë 7.192 miliardë lekë në 2017 për tetë kompani private konçesionesh dhe 6.643 miliardë lekë për mëse 150 mijë studentët shqiptarë.
Buxheti i ul financimet në arsim në vlerën më të ulët historike, në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Të ardhurat nga taksimi i pagave do të jenë më të mëdha se të ardhurat nga taksimi i fitimit. Konkretisht, tatimi mbi të ardhurat personale, të cilat paguhen nga shqiptarët e punësuar, do sjellë në buxhetin e 2017 2.3% të PBB ose 36.2 miliardë lekë, kurse tatimi i fitimit, pra taksat që paguajnë bizneset për fitimet e tyre, përbëjnë 1.8% të PBB ose 29.2 miliardë lekë.
Të ardhurat nga TVSH për vitin 2017 do të jenë 8.8%, ndërsa edhe tre vjet më parë, në 2014, të ardhurat nga TVSH ishin 8.9%. Kjo do të thotë që qeveria nuk e ka ndërmend të luftojë evazionin dhe kontrabandën e importuesve të mëdhenj.
Buxheti paguan 100 milionë lekë më pak për papunësi, për ndihmë eknomike dhe paaftësi krahasuar me një vit më parë.
Ju lutemi të shprehni me votën tuaj vendimin:
Si mendoni qe duhet te votojne dy deputetet LIBRA?
KOHA JONË SONDAZH

