Lindita Nikolla: Rënia e Murit të Berlinit, lajmëroi erën e ndryshimeve që po vinin

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Bundestsgut, Wolfgang Schäuble, me rastin e 3 Tetorit, ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Nikolla ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Tiranë, më 14 shtator të këtij viti.

Po ashtu Nikolla shtoi se marrëdhëniet e bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej.

Letra e plotë

Ju shpreh urimet më të përzemërta të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe të miat personalisht, me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare të Gjermanisë.

Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, këto ngjarje të shënuara për kombin gjerman dhe për të gjithë njerëzimin, lajmëruan erën e ndryshimeve demokratike dhe të lirisë për popujt e Evropës Lindore e Qendrore e më gjerë.

Gjermania është sot një vend i madh, i fuqishëm dhe i përparuar, mike e Shqipërisë, një anëtare prestigjioze e Bashkimit Europian dhe shoqëria gjermane një model për demokracitë e reja.

Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe Juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Tiranë, më 14 shtator të këtij viti.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet e bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej.

SHKARKO APP