Veliaj: Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që nuk ekziston
Kryetari i bashkisë së Tiranës, ishte sot në SPAK, ku pas daljes tha para mediave se do të flasë për këtë cështje gjatë mbledhjes së këshillit. Pikërisht në mbledhje Erion Veliaj tha se është denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që nuk ekziston.
”Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një Nesti Angoni. Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil. Është një kurth i sajuar. Jam sulmuar nga Nesti Angoni për të na kthyer pas te praktika e letrave anonime. Disa që nuk na mundin në betejë, kthehen te zanati i letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, dihet se kë përfaqëson. Kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin civil dhe verifikon që është një kurth. Kam qenë gjithmonë bashkëpunues. E di gjithë Tirana ku jetoj, ku banoj, ku isha përpara zgjedhjeve dhe ku do të vazhdoj”,-tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shtoi edhe se: ”Unë hyj te ajo racë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut, SKAP. As nuk i them plaç, edhe pse letra ishte anonime. Këtu do jemi, dhe do ta shikojmë ku është populli. Nuk na mundin dot me letra anonime”.