Lobi serb po punon për tym në Tiranë dhe zjarr në Prishtinë

Në këtë mënyrë, vihet në jetë skenari që ia jep qeverinë jo partisë që fitoi zgjedhjet dhe ka mandatin e qytetarëve, Lëvizjes Vetëvendosjes të Albin Kurtit, por LDK-së që doli partia e dytë në votimet e 6 tetorit të vitit 2019. Vetë LDK nuk ka votat e mjaftueshme dhe është e detyruar të qeverisë përmes makinacionesh duke parë mundësinë e aleancave zyrtare dhe jo zyrtare dhe me PDK-në, partinë e presidentit, Hashim Thaçi që është në opozitë. Në të gjitha demokracitë, kur një qeveri humbet mocionin në Kuvend, siç ndodhi me atë të Albin Kurtit, kriza zgjidhet te kutitë e votimit dhe qytetarët vendosin se kush duhet të marrë pushtetin. Por Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka bërë një interpretim që tejkalon çdo imagjinatë. Sipas saj, ai që fiton rri në opozitë ndërsa pushtetin e mbajnë partitë e tjera me makinacione në Kuvend edhe pse nuk kanë votat e mjaftueshme. Kështu, LDK e Isa Mustafës dhe PDK e Hashim Thaçit do të vijojnë të qeverisin duhet u hequr të drejtën qytetarëve të Kosovës që të zgjedhin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, normalisht krijon një situatë të re politike dhe çdo palë, përfshi dhe ndërkombëtarët, do të bëjnë thirrje për zbatimin dhe respektimin e tij. BE dhe SHBA kanë kohë që po preferojnë stabilitetin formal dhe momental me çdo mënyrë, e jo demokracinë si vlerë e zbatuar me përpimeri. Por ky vendim nuk zgjidh asgjë në planin afatgjatë dhe është një stabilitet jo real. Skenari që LDK dhe PDK po zbatojnë këto ditë është një recetë politike për kaos dhe konflikt politik. Çështja e zgjedhjeve në Kosovë nuk lidhet vetëm me të drejtën e qeverisjes, por dhe më një dilemë kombëtare për mënyrën sesi do të bëhet marrëveshje e njohjes reciproke me Serbinë. Nuk është më e fshehtë se Hashim Thaçi, që kërkon qeveri pa zgjedhje, është pro modifikimit apo korrigjimit të kufijve të Kosovës. Një dokument i publikuar dy ditë më parë nga BIRN tregonte se PDK-ja e Thaçit në qeveri, në vitin 2018, ka lobuar në vendet e BE që të pranojnë idenë e modifikimit të kufijve! Pra, janë paguar para nga Qeveria e Kosovës për të ndarë Kosovën!!! Kjo është prova më e qartë e një marrëzie politike, të cilën  Lëvizja Vetëvendosje gjatë pak muajve në qeveri u përpoq ta ndalte me çdo çmim. Realisht ishte i pari Ramush Haradinaj që e ndaloi copëtimin e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë nuk hodhi në kosh vetëm zgjedhjet dhe të drejtën e qytetarëve, por i ka hapur rrugë një skenari që dëmton interesat e Kosovës dhe sigurisht interesat kombëtare të shqiptarëve. Loja jo e ndershme që po luhet në Prishtinë me pushtetin dhe kufijtë do të sjellë pashmangshmërisht tensione ballkanike. Vetëvendosje do të detyrohet ti përgjigjet këtij skenari me protesta dhe tubime, çka do të sjellë dhe përkeqësimin e situatës politike. Një qeveri pa vota nuk ka legjitimitet për të marrë vendime të rëndësishme dhe ajo që po ndodh këto ditë në Prishtinë ngjan si një film i përsëritur me atë që ka ndodhur këto dy vite në Tiranë. Në Tiranë kemi një pushtet që ka ardhur me vota të vjedhura, pa legjitimitet dhe që nxori nga sistemi gjithë institucionet, përfshirë dhe parlamentin.

 

Në Prishtinë po vjen një qeveri që pushtetin e vodhi me ndihmën e gjykatës dhe do ta përdor për të zhbërë institucionet dhe mundet deri edhe ndryshimin e kufijve. Për ata që thonë se kur flet Gjykata Kushtetuese të tjerët heshtin, u duhet kujtuar se e njëjta gjykatë në Kosovë, disa vite më parë ka dhënë vendim të kundërt për të njëjtën çështje. Vendimi i marrë nën presion të fortë politik mund t’u japë pushtetin partive që s’kanë vota, por e sigurt është se ka thelluar tensionet dhe po duke e bërë të rrezikshme situatën në Kosovës. Është paksa ironike, por në Tiranë kriza u prodhua nga qeveria për shkak se nuk kishim arbitër ligjor (Gjykatë Kushtetuese), ndërsa në Prishtinë kaosin po e krijon vetë Gjykata Kushtetuese, cila dëshmoi se është nën kontroll të interesave politike. Ky vendim shpjegon edhe përse Edi Rama po tenton me çdo mënyrë që të ketë në kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe sa jetike për një shtet është që ky institucion të jetë i pavarur. Kapja e saj legjitimon pushtetet korrupive dhe këto pushtete herët a vonë, gjithmonë kthehen në sabotuese të interesave kombëtare.

Parimi që po ndiqet nga miqtë ndërkombëtarët të dy shteteve shqiptarë është ai i stabilitetit formal, qoftë edhe me dhunë. I njëjti standard u përdor me qeverinë “Rama” në vitin 2017 dhe vitin 2019 me vjedhjen e zgjedhjeve vendore. Por këtë lloj stabiliteti Edi Rama e përdori për të ngritur një qeveri më të korruptuar, më problematike dhe më të dëmshme për qytetarët. Në Kosovë, ky lloj stabiliteti është edhe më fatal. Jo vetëm do prodhojë një qeverisje më të keqe, por edhe një mazhorancë fiktive që kërkon të luajë me kufijtë. Dy shtete shqiptare me qeveri problematike dhe mungesë legjitimiteti nuk duhen ngatërruar me qëndrimin e partnerëve tanë në SHBA dhe BE. Këto lloj qeverisjesh nuk u duhen as miqve tanë ndërkombëtarëve dhe as shqiptarëve. Janë fiks qeveri që janë gati të sheshin çdo gjë, edhe interesat kombëtare, vetëm që të jenë në pushtet, pa vota.

Ajo që po ndodh në Kosovë do jetë shumë e egër në pak javë.  Vetëvendosja nuk është  si opozita në Tiranë që sillet rrotull kryeministrisë dhe nuk futet brenda për të larguar banditët.  Albin Kurti dhe Vetëvendosja do ta ndezin Prishtinën sa flaka e zemërimit do të ndriçojë në mes të ditës në Uashington dhe Bruksel.

Lobi serb në Amerikë dhe në BE ia vuri fitilin benzinës në Prishtinë, ndërkohë që edhe në Tiranë po ndizet eshka e zemërimit, zjarr që do të djegë Thaçin, Ramën dhe ata që lobuan për këtë zjarr ballkanik.

 

SHKARKO APP