Loja djallëzore e Bashës
Nga: Redjon Shtylla
Kandidatët që garojnë në zgjedhje për të qenë zëri i qytetarëve në Parlamentin e Shqipërisë, dorëzojnë një sërë letrash dhe nëse janë të pastër bëhen pjesë e garës. Por sot PD-ja kërkon Vetting në politikë, edhe pse nuk është e parë që dëgjohet si propozim, por deri më sot ka mbetur në sirtare pasi partive nuk i intereson në fund të fundit.
Është pak e çuditshme që një parti kërkon që edhe të vetët të kontrollohen për pasuritë, në një kohë që janë po këta pushtetarë që mbi vete kanë një mal me akuza për korrupsion.
Lulzim Basha prej disa ditësh flet veç për këtë nismë dhe e ka kthyer në kal beteje të PD-së si opozitë, a thua sikur selia blu është e fortë, apo nuk ka përçarje brenda saj dhe puna mbeti te kjo nismë. Platforma duket më shumë si një hallkë që e shton lëmshin sesa e zgjidh atë. Edhe pse flitet për korrupsion, kreu Basha nuk flet aspak hapur për këtë çështje mjaft të mprehtë. PD mund të jap një kontribut të madh për shoqërinë, nëse vërtet janë të pastër.
Nëse vërtet kreu Basha nuk po bën lojë djallëzore dhe me Edi Ramën nuk është në një pazar, përmes Vetting-ut në politikë, populli mëson sesi ligjëvënësit jetojnë, sa harxhojnë, çfarë makinash kanë, pra dalin në sipërfaqe asetet pasurore të politikanëve të lartë. Por a është i gatshëm Lulzim Basha që të dalë para Vetting-ut, dhe nëse nuk justifikon pasuritë, çfarë duhet të bëjë? Në burg apo të largohet përgjithmonë nga politika?
Nëse SPAK-u nuk e bën këtë punë, atëherë njerëzit do të kërkojnë llogari për pasurinë e krijuar në mënyrë të pashpjegueshme të zyrtarëve e politikanëve të lartë. Në fund të fundit, SPAK për këtë është krijuar, ndryshe hetimet i bën prokuroria e zakonshme.
Veting-un e politikanëve, PD e ka propozuar për herë të parë në shtator të vitit 2018. Por Komisioni i Venecias doli kundër, duke theksuar se nisma rrezikonte të çonte në abuzime me pushtetin, pa sjellë vlerë të shtuar ligjore.
A është Vetting-u në politikë një armë kërcënuese e PD-së ndaj qeverisë apo dhe ”llumit” brenda PD-së siç Lulzim Basha e ka cilësuar një pjesë të demokratëve, apo këto propozime hidhen për konsum publik në një kohë të vështirë për PD në mandatin e tretë si opozitë? Një gjë është e sigurtë, populli nuk ha bar dhe përgjigjen e jep përmes votës.