Loja e pisët e prokurorisë. Kallëzon Dashamir Xhikën, por kursen zv/drejtorin socialist Afrim Qendron
Një ditë më parë, Ministri i Energjisë dhe Transporteve, Damian Gjiknuri bëri gati dosjen për kallëzimin e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika si dhe dy ish drejtues të tjerë, të gjithë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dosja e plotë ka të bëjë një auditim të brendshëm të kontratave të rrugës, Tiranë-Elbasan, ku thuhet se janë shkaktuar mbi 50 milion dollarë dëme.
Por kjo lojë e pisët e Partisë Socialiste, që vjen pas zgjedhjes së kryeprokurores së re, Arta Marku, kërkon të manipulojë publikun se zyrtarë të LSI-së janë të korruptuar.
Kallëzimi në prokurori është vetëm një manovër politike, pasi në dosje nuk është përfshirë emri i ish zv. Drejtorit për projektet në ARRSH, Afrim Qendro, i cili vjen nga radhët e socialistëve. Tek këto kontrata abuzive për ndërtimin e kësaj rruge, është edhe firma e zyrtarit socialist, Afrim Qendros, i cili tashmë prej disa muajsh është emëruar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së.
Sipas burimeve, Qendro ka firmosur vendimet që janë tek njësia e menaxhimit të projektit, kur janë bërë kontratat për rrugën Tiranë-Elbasan. Madje pak ditë më parë (10 shtator 2017), ishte vetë Qendro i cili u pyet nga gazetarët nëse ka patur abuzime financiare në këtë aks rrugor, qoftë edhe nga projektet e Bankës Botërore. “Nuk di të ketë të dhëna për humbje apo abuzime financiare”- është shprehu Qendro.
Që kur erdhi në pushtet Partia Socialiste në vitin 2013, Afrim Qendro u emërua Zv. Drejtor i Përgjithshëm për projektet në ARRSH. Prandaj, për çdo shkelje dhe abuzim ai është njësoj bashkëfajtor sa ish Drejtori i Përgjithshëm Dashamir Xhika, i cili është kallëzuar penalisht.
Por të kallëzuar janë:
1. Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
2. Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
3. Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
Ndërsa Afrim Qendro jo vetëm që i ka shpëtuar kallëzimit penal, por ai është ngritur në detyrë nga Ministri i Energjisë dhe Transporteve, duke u bërë drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ky është rasti më flagrant, ku nëpërmjet prapaskenave, Partia Socialiste po krijon një insinuatë se ish aleatët kanë bërë korrupsion të frikshëm, ndërsa zyrtarët e saj janë të pastër. Por në fakt është e kundërta, nëse ka patur korrupsion tek institucioni i ARRSH-së, edhe zyrtari socialist Afrim Qendro është po aq përgjegjës për shpërdorimin e fondeve publike.
Kulisat janë edhe më të rënda, kur dosja me kallëzime për ish drejtorët e LSI i shkon në tryezë një kryeprokurore të Përgjithshme, të sapo zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste./TPZ.AL.