Loja e PS për shtyrjen e Reformës Zgjedhore
-Djallëzia e mazhorancës për ta shtyrë reformën me muaj të tërë praktikisht prish marrëveshjen politike mes palëve. Një sabotim i tillë i reformës nga PS, para ndërkombëtarëve si dëshmitarë, i heq opozitës çdo arsye për të vijuar dialogun dhe e kthen konfliktin politik, edhe më ashpër. Në këtë pikë, presidentit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të firmos dekretin final për shpërndarjen e parlamentit jo legjitim. Dhe më pas opozita të dalë në rrugë dhe jo si vitin e kaluar duke bërë xhiro përreth Kuvendit.
Manifestimi i 2 marsit nuk ishte thjesht një tubim, por një uragan kundër keqqeverisjes dhe uzurpimit të institucioneve nga ana e Rilindjes. Pjesëmarrja e qytetarëve, që pranohet edhe nga qeveria dhe PS, si mjaft e madhe është sinjali më i qartë që shqiptarët japin kundër një qeverie dhe mbështesin kauzat e Presidentit Ilir Meta. Pas kësaj mbështetje popullore dhe qytetarëve që në shesh kërkonin reagim më të fortë, qeveria ka vetëm një zgjidhje të arsyeshme dhe në të mirë të vendit. Zgjidhja është heqja dorë nga kapja e institucioneve në mënyrë puçiste e mafioze dhe pas hartimit të reformës zgjedhore çuarja e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet rikthejnë legjitimitetin e institucioneve dhe shmangin kthimin e vendit në një shtet autoritarist.
Fjalimi i Presidentit Ilir Meta kishte shumë mesazhe, por edhe një ultimatum që nuk u bë thjesht nga kreu i shtetit, por erdhi si kërkesë e qytetarëve që ishin në shesh, të cilët kërkuan që në datën 2 mars shpërndarjen e parlamentit. “Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë dhe heronj, se pas datës 15 mars kur të përfundojë edhe reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por do ta firmos në mes të Parlamentit, atje në mes të krimit!”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.
Qëndrimi i Rilindjes ndaj kësaj deklarate do të përcaktojë nëse vendi do të shkojë drejt një kursi normal politik, me zgjedhje të parakohshme dhe kthim të legjitimitetit të institucioneve, apo kriza dhe përplasja do të thellohen. 24 orë pas manifestimit që ndryshoi zhvillimet politike në Shqipëri, qeveria nuk ka dhënë shenja reflektimi. Kryeministri Edi Rama sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, por paniku i pjesëmarrjes në manifestim e detyroi të nis shoën me banorët e prekur nga tërmeti apo të vazhdojë sherrin e turpshëm me liderët e Kosovës. Ndërkohë krahas kësaj sjellje, Rilindja ka nisur dje të vërë në zbatim një skemë edhe më skandaloze. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri deklaroi dje se 15 marsi është një afat që edhe mund të shtyhet. Sipas tij, “ka shumë çështje të pazgjidhura në tavolinë, por mos e shikoni 15 marsin si një datë që ne duhet të kemi draftin. Në 15 mars është e rëndësishme që të kemi dakordësi politike për të gjitha çështjet. Ne kemi një vit e ca nga zgjedhjet e radhës, kështu që kemi kohë të mjaftueshme për të përgatitur zgjedhjet siç duhet”. Deklarata e Damian Gjiknurit tregon dhe lojën që po përgatit Partia Socialiste, shtyrjen e miratimit të reformës zgjedhore drejt një afati pa datë. Shtyrja e reformës zgjedhore do të thotë edhe shtyrje e zgjedhjeve të parakohshme dhe për pasojë dhe moszgjidhje të krizës. Por reforma zgjedhore nuk është vetëm një kërkesë e opozitës. Pas një viti të mbushur me konflikte politike, qeveria dhe opozita u ulën në tryezën e dialogut me ndërhyrjen e ndërkombëtareve. Në dokumentin e firmosur nga opozita, qeveria dhe të ashtuquajturit deputetë të pavarur thuhet se “palët angazhohen që reforma të përfundojë jo më vonë se data 15 mars”. Ky dokument i nënshkruar nga PS nuk është angazhim vetëm ndaj opozitës, por edhe ndaj ndërkombëtarëve. Loja e PS për ta shtyrë reformën me muaj të tërë praktikisht prish marrëveshjen politike mes palëve. Një sabotim i tillë i reformës nga PS, para ndërkombëtarëve si dëshmitarë, i heq opozitës çdo arsye për të vijuar dialogun dhe e kthen konfliktin edhe më të ashpër politik. Në këtë pikë, presidentit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të ndërhyjë për të firmosur dekretin final, për shpërndarjen e parlamentit jo legjitim. Dhe me pas opozita të dalë në rrugë dhe jo si vitin e kaluar duke bërë xhiro përreth Kuvendit.
Mili Xhani