LSI, Manjani: “Koalicioni i ardhshëm? Ka kohë deri në 19 prill
“Një sistem zgjedhor ku vota nuk e zgjedh kryeministrin, por e zgjedh marrëveshja e partive politike, nuk është sistem zgjedhor”
Përgjigjen e ftesës së tij për aleatin në bashkëqeverisje, LSI, për të vijuar koalicionin me PS-në, kryeministri Edi Rama do të duhet ta presë deri në mes të prillit, kohë kur zyrtarizohen edhe koalicionet parazgjedhore. Është ky afati ligjor që ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, që vjen nga radhët e LSI-së, i kujton thirrjes për koalicion parazgjedhor aleatit të tij në qeverisje. Në një intervistë dhënë për News 24, Manjani shpreh kritika të forta ndaj këmbënguljes së socialistëve për të marrë firmën e LSI-së që tani, një përpjekje kjo që ka nisur që verën e vitit të kaluar. Pikërisht këtë këmbëngulje të socialistëve dhe kryetarit të tyre Rama, Manjani e cilëson si mungesë respekti ndaj qeverisë aktuale. “Është sëmundje e vjetër kjo në politikë, që pa u konsumuar komplet mandati fillon diskutimi për diçka tjetër. Kjo është një mungesë respekti në radhë të parë për qeverinë aktuale, për qeverinë që kemi sot dhe që kemi punë për të bërë akoma. Së dyti, më lejoni t’ju kujtoj që afati zyrtar i regjistrimit të koalicioneve në KQZ është ora 24:00 e datës 19 prill. Pra deri më datë 19 prill në orën 24:00 kemi kohë. Nuk ka urgjencë kjo punë se çfarë do bëjmë tani e çfarë do bëjmë pastaj. Sigurisht që ka nevojë për një analizë të thellë, ku kryeinstitucioni i këtij koalicioni është qeveria. Nuk mund të shfokusojmë vëmendjen e institucioneve që kemi krijuar si koalicion me diskutime se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ky ka qenë dhe kjo mbetet respekti i LSI-së për institucionet. Por ky diskutim në mos gaboj ka filluar që në fundin verës së vitit të kaluar fillimisht, erdhi duke u trashur nga vjeshta, e fundi i vitit u bë kështu që hajde ta firmosim… Po prit njëherë, të mbarojë afati i kësaj qeverie, ti afrohemi datës. Filozofia e LSI-së është që ta shterojmë deri në fund mundësinë që i kemi dhënë vetes”- tha Manjani.
Reforma zgjedhore
Lidhur me reformën zgjedhore, ministri nga radhët e LSI-së Ylli Manjani gjithashtu tha se për shkak të ping-pongut që bëjnë partitë e mëdha PS-PD, OSBE ka vënë tashmë notë jokaluese që në fillim për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë që ai akuzoi dy partitë e mëdha se akoma nuk kanë hequr dorë nga përjashtimi nga loja i partive të vogla. Sipas tij, zgjidhja nuk është tek koalicionet parazgjedhore, që rrisin arrogancën. Por zgjidhja është tek krijimi i sistemeve të thjeshta, pasi Manjani gjykon se askush nuk po flet më për demokraci. “Reformë zgjedhore nuk konsideroj ato korrektimet e vogla, apo arnimet e çastit. Një sistem zgjedhor ku vota nuk e zgjedh kryeministrin, por e zgjedh marrëveshja e partive politike, nuk është sistem zgjedhor, është deviacion zgjedhor. Pjesa tjetër pastaj u bë ping-pong: Njëri thoshte votim elektronik, tjetri thoshte votim jo elektronik, njëri thoshte me emigrantë, tjetri pa emigrantë, pra filloi ky ping-pongu dhe ne kemi ardhur në një pikë, që paragrafi i parë i raportit të zgjedhjeve të ardhshme i OSBE/ODIHR-it tashmë është shkruar dhe është kritik. Askund nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës kur loja ka filluar. Dhe që me daljen e dekretit për datën e zgjedhjeve loja ka filluar. Ka një lojë në këtë histori mes PD-së dhe PS-së të cilat nuk dashur asnjëherë që të ne (partitë e vogla) të hyjmë në këtë lojë. Dhe unë jam përkrahës i sistemeve të thjeshta. Kemi një problem shumë të madh: sepse askush nuk po flet, apo nuk po mendon për demokracinë, gjithçka për mendojnë apo e çojnë në faktin se kush do jenë koalicionet. A ka mundësi të bëjmë një sistem zgjedhor që ti ndalojë koalicionet parazgjedhore?! Sepse koalicionet parazgjedhore janë koalicione taktike dhe janë koalicione që maksimalizojnë votën. Sepse nga një “Dushk” tek një tjetër, nuk mendoj se kemi bërë reformë. Nëse ne sot flasim për arrogancë në politikë, fenomeni më i kritikuar është shkëputja e politikës nga realiteti dhe arroganca e politikës ndaj qytetarëve. Si do i zgjidhim këto probleme? Në se ne mendojmë se zgjidhja është që të bëjmë koalicionin e duhur, nuk është kjo zgjidhje. Sepse sa më i fortë të jetë koalicioni, aq më e madhe është arroganca. Dhe sistemet zgjedhore që e shkëpusin politikën nga realiteti, i bëjnë ato listat e deputetëve me vendimet e kryetarëve të partive dhe pastaj bëhemi pishman, dhe habitemi se nga na doli ky apo ai tjetri, e kjo ndodh sepse nuk ka proces”- tha Manjani.
Rezervat për reformën në drejtësi
Po ashtu ministri i Drejtësisë shprehu dhe rezervat e tij lidhur me refomën në drejtësi. “Unë kam thënë dhe vazhdoj të jem i bindur opër këtë, që reforma në drejtësi tashmë e miratuar me konsensus dhe nuk ka asnjë kthim mbrapa, për të mirë apo për të keq, cilido qoftë fundi apo e ardhmja e kësaj reforme. Por sigurisht që ka disa gjëra që janë realisht të sforcuara për praktikën legjislative shqiptare. Kjo nuk ka lidhje me ministrin e Drejtësisë, por ka lidhje me një koncept pak më të përgjithshëm. Edhe brenda pushtetit gjyqësor nuk është se ka një piramidë të vetme, por janë disa piramida të vogla të cilat nuk kombinohen njëra me tjetrën. Dhe kjo mund të jetë një nga vështirësitë ndoshta edhe të viteve të para të funksionimit të kësaj arkitekture të re”- tha Manjani. Manjani është i pari nga Lëvizja Socialiste për Integrim që del hapur pro një kandidature për Avokatin e Popullit, duke mbështetur Igli Totozanin. Ministri Manjani ka folur edhe për reformën penale, duke u shprehur se “Po projektojmë një drejtësi të re penale. Synohet t’i vihemi pas provave”.
Intervista e Manjanit për “News24”
KOHA JONË SONDAZH

