Qëndrimi për Vetingun/LSI përjashton nga grupi deputetin Përparim Spahiu

Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu është përjashtuar sot nga grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim pas një reagimi të tij në Twitter se ishte kundër vetingut nga ndërkombëtarët.

Ky u vlerësua se ishte një qëndrim personal i tij dhe se LSI-ja distancohet nga këto deklarata.

“Grupi parlamentar i LSI-së vendosi përjashtimin e deputetit Përparim Spahiu si anëtar i grupit parlamentar të LSI për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura të cilat nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e Kryesisë dhe grupit parlamentar të LSI”, sqaroi Petrit Vasili, lidhur me një fakt të tillë.

Konkretisht, në një postim në Twitter deputeti i LSI, Përparim Spahiu paralajmëroi se nuk do të votojë reformën në drejtësi në rast se në të parashikohet udhëheqja e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve nga ndërkombëtarët.

“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkruante deputeti i LSI-së, Spahiu.

Konferenca e plotë për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

Grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi përjashtimin e deputetit Përparim Spahiu si anëtar i Grupit Parlamentar të LSI-së për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura, të cilat nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të LSI-së.

Qëndrimi më i fundit personal i deputetit Spahiu, që lidhet me reformën në drejtësi u vlerësua si i gabuar dhe i nxituar, njëkohësisht në kundërshtim të plotë me qëndrimet tepër parimore dhe koherente të LSI-së për reformën në drejtësi.

LSI vlerëson rëndësinë e jashtëzakonshme të reformës në drejtësi, jo vetëm për forcimin e shtetit ligjor dhe ecurinë e integrimit evropian, por dhe si një çështje që lidhet drejtpërdrejtë me forcimin e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërinë e vendit edhe si faktor stabiliteti në rajon.

Ndaj LSI do të vazhdojë në mënyrë konsekuente të punojë për miratimin e reformës në drejtësi me transparencë dhe me konstruktivitet sipas standardeve të Komisionit të Venecias, larg emocioneve dhe llogarive afatshkurtra partiake dhe elektorale.

Ky ishte vendimi më i fundit që Grupit Parlamentar i LSI-së mori, dhe qëndrimi i tij për reformën në drejtësi, por edhe për rastin e deputetit në fjalë, në mbledhjen më të fundit që përfundoi pak më parë.

 Pyetje nga gazetarët:  Vasili, ju folët për një sjellje të përsëritur. A mund të na sqaroni se cilat janë këto raste? Pyetja e dytë: Ka pasur dy propozime sot nga z. Blushi dhe znj. Hafizi për zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe për t’i dhënë të drejtën qytetarëve që të ndryshojnë Kushtetutën e vendit?

Përsa i takon pyetjes së parë, kanë qenë disa qëndrime të cilat nuk po i radhis njëra pas tjetrës, por kane qenë disa qëndrime të cilat janë dominuar nga emocionaliteti dhe qëndrimet personale të pakoordinuara, ndërkohë që për të gjitha çështjet në fjalë ka pasur një vendimmarrje të qartë të grupit parlamentar të LSI, vendimmarrje e cila ka qenë e lidhur me koherencën e vendimeve të grupit parlamentar, me seriozitetin publik të komunikimit dhe me ato vendime të konsoliduara që ne kemi marrë duke u mbështetur gjithmonë mbi parime të forta.

Nuk dua të qëndroj gjerë e gjatë me këtë çështje, pasi këto kanë qenë qëndrime publike të herëpashershme, të cilat sigurisht kanë qenë dhe mbeten jo në pajtim me ato vendime që grupi në mënyrë unanime merr.

Lidhur me pyetjen tuaj të dytë, në parim meqenëse ju më pyesni për dy ndryshimet kushtetuese të propozuara besoj pak çaste më parë nga deputetja Hafizi, mendoj që në parim, ne jemi dakord me një zgjedhje të Presidentit nga populli. Pse jo?!

Por në këtë moment ne duhet të jemi shumë të qartë se këtij Presidenti nga populli me këtë përgjegjësi të veçanta, që populli ia jep masivisht me votimin e tij, sepse është një votim krejt ndryshe, një logjikë kushtetuese, por edhe politike krejt ndryshe, cilave kompetencave u përgjigjet?

Kompetencave të Kushtetutës mëmë të vitit 1998, të asaj të ndryshuar të vitit 2008 apo të asaj që propozohet me reformën më të re në drejtësi, që i kufizon së tepërmi dhe i bën thuajse simbolike këto kompetenca? Pa i dhënë përgjigje një pyetje të tillë, çështja shtrohet? A do kishte vlerë një President i zgjedhur nga populli dhe një përgjegjësi kaq e madhe politike me kompetenca simbolike?! Kështu që kjo çështje kërkon sigurisht një përgjigje për të pasur mundësi që kushdo të ketë një qëndrim të tij përfundimtar.

Lidhur me propozimin e dytë për çështjen e referendumit. Ju keni parë që propozimi kërkon një ulje të dukshme, shumë të rëndësishëm të mundësisë, të deputetëve që mbështetin një referendum për mbajtjen sa më parë të një referendumi. Këtë kuptim ka duke pasur një numër sa më të ulët. Edhe këtu çështja është delikate, sepse ngjarjet më të rëndësishme, më të fundit, që ndodhën në Britaninë e Madhe na bëjnë të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të formulojnë opinione politike për një arsye shumë të thjeshtë.

Këto referendume të cilat shpesh për shkak edhe numrave të vegjël të deputetëve apo nismëtarëve të tyre, mund të promovohet duke u nisur dhe nga ethe apo emocione elektorale. Sikurse rasti Cameron-it provoi më së fundmi, nxisin stabilitet, nxisin një qëndrueshmëri ekonomike, nxisin konsekuencë politike të parimeve të cilat shtetet, vendet, marrin në një moment të caktuar pa provojnë paqëndrueshmëri të reja me shumë të panjohur.

Besoj që rasti i Anglisë është një rast tipik i një politike, e cila ka qenë konsideruar me të drejtë një politikë shembullore për shkak të soliditetit të saj edhe politik dhe institucional, na tregoi pikërisht të kundërtën. Që mekanizmat shumë permisivë, pra që i lejojnë mbajtjet e referendumeve qoftë edhe të nxituara, mund të krijojë paqëndrueshmëri të mëdha, situata tërësisht të panjohura. Dhe në vend që të krijojnë një klimë vërtetë demokratike dhe të promovojnë zgjidhje të qëndrueshme, mund të krijojë pse jo, dhe problematika shumë të rënda, zgjidhja e të cilave mund të jetë kaq e komplikuar dhe shpeshherë pa rrugëdalje.

Ndaj mendoj që në radhë të parë dhe mbi të gjitha këto dy propozime, sigurisht nuk kanë pse të paragjykohen, por një vlerësues normal sikurse për gjithë çështjet e tjera do të ishte që edhe për këto Venecia të shprehej. Janë dy momente të cilat janë delikate dhe besoj që spontaniteti dhe mosmarrja e ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, nuk do ta ndihmonte, por do ta përkeqësonte dhe ecurinë e mëtejshme të propozimeve, të cilat nuk kanë asnjë rast pse të paragjykohen dhe as pse të shikohen me negativitet. Por gjithsesi kërkohet një mendim i kualifikuar dhe për këto.

Vasili a mund të përjashtohet një deputet vetëm për një mendim të shprehur? A ka një disbalancë mes qëndrimit tuaj për respektimin e paragrafit të 88 dhe votës së LSI për të mbështetur draftin e reformës, ku është edhe operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Ju jeni dakord edhe me njërin edhe me tjetrën, kanë kuptim këto të dyja se njëra përjashton tjetrën?

Besoj që isha shumë i qartë edhe sigurisht jam i paqartë për paqartësinë tuaj. Ne jemi ashtu sikurse çdo forcë politike dhe një grup parlamentar diskuton intensivisht dhe merr vendimet e tija kolegjiale.

Dhe ne kemi një vendimmarrje për të gjithë qëndrimet tona në drejtësi edhe për shprehjen e tyre në komisionin e reformës në drejtësi, ku rastësia politike e ka sjellë që kryetari i grupit parlamentar të jetë edhe anëtar i Komisionit për reformën në Drejtësi, pra që i ka të gjitha mundësitë që vullnetin e grupit ta shprehë atje. Dhe beso që në këtë pikë jemi shumë të qartë dhe koherent. Dhe gjithë veprimet tona ne i shprehim edhe me komentet, por edhe me votën tona në atë komision, që është i vetmi institucion që mund të shprehet dhe të demonstrojë qëndrimet deri tani.

Ne kemi një qëndrim të qartë politik, një qëndrim i dakordësuar nga i gjithë grupi dhe i përbashkët për të gjithë deputetët. Kjo është një logjikë politike shumë koherente që e kemi bashkëndarë me të gjithë grupin. Nuk kemi pasur deputetë të cilët nuk kanë qenë dakord apo kanë pasur ndonjë problem tjetër. Kemi qenë unanim lidhur me këtë çështje.

Sa i takon çështjes së dytë, ne e kemi promovuar dhe do të promovojmë gjithmonë të gjitha zgjidhjet që Komisionit i Venecias ka rekomanduar për Shqipërinë, pasi atë kemi zgjedhur si vlerësuesin më të mirë për këtë çështje. Është një vlerësues i pranuar në nivel ndërkombëtar dhe kësaj fryme, pra që çdo lloj zgjidhje politike, qoftë edhe atje ku ka ngërç, të eci sipas Venecias. Kjo ka qenë kredoja jonë, duke pasur gjithmonë bindjen se një gjithëpërfshirje sa më e gjerë është besoj për ne dhe për ju një zgjidhje sa më e mirë. Çdo përpjekje në këtë drejtim, në frymën e Venecias e që krijon gjithëpërfshirje, është në të mirë të procesit dhe të qëndrueshmërisë dhe zgjidhjes që kjo reformë në drejtësi do të japë.

Vasili, ka pasur disa raste gjatë viteve të fundit kur deputetë të LSI-së kanë shprehur mendime alternative nga ai i grupit parlamentar. Përse u mor një masë kaq drastike për deputetin Përparim Spahiu?

Besoj që isha shumë i qartë, bëhet fjalë për një çështje madhore, siç është reforma në drejtësi, ku ne kemi formuluar qëndrime tepër të qarta si grup dhe duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e LSI-së, i cili ka qenë dhe është besnik i linjës që grupi parlamentar ka marrë. Mendoj që kjo përgjigje shteron këtu, nuk besoj se kemi nevojë të bëjmë komente për çdo lloj komenti.

Kas pasur një propozim nga z. Majko, i cili ka hedhur idenë e kalimit në zgjedhe të parakohshme, që mund të zhvillohen në një ditë me referendumin….

Nuk jam njohur me këtë propozim, sepse nuk është diskutuar as në tryezat e diskutimit tonë politik të zakonshëm. Nuk kam arsye dhe mundësi politike të komentoj as në distancë as pa u njohur në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Reagon Spahiu: Vota ime ka qenë dhe do jetë e LSI-së

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=ncoYeqRA8Tg&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]

Pse “Veting” i huaj?

SHKARKO APP