LSI prezanton programin elektoral
Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi sot Programin Elektoral për zgjedhjet e 25 qershorit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Zv.Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, kandidatë për deputetë si edhe drejtuesit e komisioneve të ngritura pranë KDK-së së LSI-së.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Petrit Vasili i bëri një prezantim të zgjeruar të fushave ku bazohet programi ekonomik i LSI-së.
Sipas Vasili, ky program ka në themelin e tij punësimin dhe veçanërisht të të rinjve në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri duke u mundësuar një punë të denjë dhe të mirëpaguar.
“Pasi pa një përgjigje të fortë, motivuese e cila çon vendin përpara, motivon fort të rinjtë, motivon fort gratë, pra të gjitha ato shtresa që kanë potenciale të jashtëzakonshme, por janë potenciale tërësisht të pashfrytëzuara dhe të demotivuara, pa një plan të tillë ne nuk mund të kemi atë optimizëm të domosdoshëm e të nevojshëm të shoqërisë sonë e cila vuan sot nga demotivimi dhe nga humbja e shumë arsyeve për të jetuar në këtë vend ku në radhë të parë të rinjtë kanë në mendjen e tyre braktisjen e tij.
Ndaj ky plan rikthen optimizmin. Ky plan i bën të rinjtë që të gjejnë arsye të mëdha për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu pasi po e them të parë dhe mbi të gjitha, një premtim thellësisht të bazuar dhe të menduar, që ka të bëj me punësimin e tyre, e ku nga 170 mijë vende të reja të pune të planifikuar dhe të programuar me shumë saktësi në planin tonë, 100 mijë vende të reja pune të mirë-paguara janë menduar dhe orientuar vetëm për të rinjtë”,- u shpreh Kryetari i LSI-së.
Dy sektorët kryesore të cilët do të mundësojnë zhvillimin ekonomik të vend do të jenë bujqësia dhe turizmit. Sipas këtij programi, parashikohet që mbështetja financiare për bujqësinë të shkoi në 250 milion dollar nga ku do të mundësohet dyfishimi i të ardhurave në bujqësi nga 2 miliard euro në 4 miliard euro. Veç kësaj, në program është parashikuar që tatimi mbi fitimin në bujqësi të jetë 0%.
“Nga 2 miliard euro që realizon prodhim bujqësor në vit në Shqipëri, të kalojë në 4 miliard euro. Ju e kuptoni që ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe me një impakt të menjëhershëm ekonomik i cili preket nga mijëra dhe mijëra fermer dhe familje që jetojnë në zonat rurale, ide të cilat përbëjnë realisht 50% të popullsisë shqiptare.
Kjo do të realizohet duke pasur parasysh shifra të cilat janë konsistente, të realizueshme dhe realiste. Pra vendosja e 250 milion dollarëve në vit vetëm për bujqësinë të shpërndarë në të gjitha segmentet që përbëjnë prodhimin bujqësor, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ku secili fermer kupton fare mirë se çfarë do të thotë incentiva për fara e tij, për plehrat, për produktet bujqësore, për këtë proces që janë në bujqësi, për mekanikën bujqësore.
Edhe dy përgjigje të tjera janë shumë të rëndësishme në këtë program. Pasi ne bëjmë 0 TVSH për produktet bujqësore dhe bëjmë 0% edhe tatimin mbi fitimin në bujqësi. Besoj se kemi përgjigje shumë të qarta, të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në këtë drejtim. Gjithashtu një sektor me potenciale jashtëzakonisht të mëdha e cila mund të ishte dhe mund të bëhet kryefjala e ekonomisë shqiptare, është turizmi”, – u shpreh z. Vasili duke cituar programin ekonomik të LSI-së.
Sa i përket turizmit, Z. Vasili theksoi se LSI nëpërmjet programit të saj do të zerojë taksën për investimet në turizëm alternativ për pesë vite më mënyrë që t’i japi një zhvillim turizmit dhe jo vetëm atij bregdetar. “Heqja e të gjithë tatimeve dhe të gjitha ngarkesave fiskale për 5 vjet për këdo që zhvillon turizmin në zona të thella malore, në zona të thella rurale, është një stimul për të aktivizuar potenciale dhe resurse aspak të zhvilluara deri tani”,- tha z. Vasili.
Sa i përket sistemit të taksimit, z. Vasili theksoi se LSI në programin e saj ka parashikuar një ulje të taksave ku për kategorinë e punonjësve të cilët marrin një pagë deri në 35 mijë lek, tatimi mbi fitimin do të jetë 0. Për kategorinë e punonjësve që paguhen nga 35 mijë lekë deri në 200 mijë lek, tatimi mbi të ardhurat do të jetë 8% nga 15% që është aktualisht. Ndërsa për punonjësit që marrin një pagë mbi 200 mijë lek, tatimi mbi fitimin do të jetë 10%.
“Të ardhurat personale janë të ardhurat që ne realizojmë dhe mbi të cilat taksohemi. Është fare e qartë që sa më të larta të jenë këto taksime, aq më pak para hyjnë në xhepin e gjithsecilin individ, i cili paguhet dhe merr rrogën e tij. Ndaj ne kemi zgjeruar në programin tonë, bazën e tatueshme e cila ka një bazë 0%, deri në masën 35 mijë lekë. Pra zgjerohet bazat e tyre të cilët nuk do të paguajnë taksa fare si tatim mbi të ardhurat.
Praktikisht për pagat nga 35 mijë lek deri në 200 mijë lek, ky tatim do të llogaritet në masën 8%, nga mesatarisht 20% që ishte në të shkuarën dhe që është realisht. Pra një ulje mbi dy herë se ç’është në realitet. Ndërsa pagat mbi 200 mijë lek, aplikimi do të jetë vetëm 10% nga 23% që është aktualisht”,- tha z. Vasili.
Sa i përket taksimit të bizneseve, z. Vasili theksoi se për biznese të cilat kanë një xhiro vjetore deri në 20 milion lekë, taksimi do të jetë 5% nga 15% që është aktualisht. Për bizneset me xhiro vjetor nga 20 milion në 100 milion lekë, tatimi i tyre do të jetë 8% nga 15% që është aktualisht ndërsa për bizneset me xhiro vjetore mbi 100 milion lekë, tatimi do të jetë 10% nga 15%.
“Së pari ka një përgjigje drejtë për drejtë tonën lidhur me bizneset të cilët kanë xhiro deri në 20 milion lek. Tatimi i tyre në programin e LSI-së do të jetë 5%. Për ta kuptuar edhe shqiptari më i fundit, do të jetë 3 herë më pak nga ai që është aktualisht në masën 15%. Bizneset me xhiro vjetor nga 20 milion lekë deri në 100 milion lekë do të kenë një tatim fitimi 8% nga 15% që është aktualisht. Pra thuajse një përgjysmim të menjëhershëm. Dhe biznes me xhiro vjetore mbi 100 milion lekë do të kenë një tatim fitimi 10% nga 15% që është aktualisht”,- u shpreh Kryetari i LSI-së.
Fjala e plotë e Kryetarit të LSI, Petrit Vasili
Është kënaqësi që jemi sot në këtë ditë kaq të rëndësishme ku ne prezantojmë përpara këtij paneli të nderuar, por edhe përpara të gjithë qytetarëve shqiptar planin tonë për transformimin ekonomik dhe social të vendit, që është dhe zemra dhe shtylla kurrizore e gjithë programit elektoral dhe të qeverisjes së ardhshme me në krye Lëvizjes Socialiste për Integrim
Ky plan i transformimin ekonomiko-social është përgjigja më e drejtpërdrejtë, më e qartë, më realiste, që ne kemi përgatitur për shqiptarët, është praktikisht ajo ofertë e cila premtimet i bën realitet.
Ka një rëndësi të jashtëzakonshme lidhja e fjalës premtim dhe bërja realitet, pasi të gjithë programet e deritanishme në historinë e politikës shqiptare kanë vuajtur në mënyrë të vazhdueshme nga premtime të shumta dhe zhgënjimi për mos mbajtjen e tyre.
Ky nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë dimensioni i LSI, ndaj edhe programi ekonomiko-social që ne propozojmë dhe që në vetvete është një transformim tërësor i shoqërisë tonë, ka jo rastësisht në qendër të tij, ka kryefjalën e tij, dhe përgjigjen kryesore të tij, reformat ekonomike.
Pasi pa një përgjigje të fortë, motivuese e cila çon vendin përpara, motivon fort të rinjtë, motivon fort gratë, pra të gjitha ato shtresa që kanë potenciale të jashtëzakonshme, por janë potenciale tërësisht të pashfrytëzuara dhe të demotivuara, pa një plan të tillë ne nuk mund të kemi atë optimizëm të domosdoshëm e të nevojshëm të shoqërisë sonë, e cila vuan sot nga demotivimi dhe nga humbja e shumë arsyeve për të jetuar në këtë vend ku në radhë të parë të rinjtë kanë në mendjen e tyre braktisjen e tij.
Ndaj ky plan rikthen optimizmin. Ky plan i bën të rinjtë që të gjejnë arsye të mëdha për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, pasi po e them të parë dhe mbi të gjitha, një premtim thellësisht të bazuar dhe të menduar, që ka të bëj me punësimin e tyre, e ku nga 170 mijë vende të reja të pune të planifikuar dhe të programuar me shumë saktësi në planin tonë, 100 mijë vende të reja pune të mirë-paguara janë menduar dhe orientuar vetëm për të rinjtë.
Ky besoj është një stimul i jashtëzakonshëm, është një përgjigje e drejtpërdrejtë, konkrete ndaj mijëra të rinjve të cilët e presin prej kohësh një përgjigje të tillë, por një përgjigje e tillë nuk kishte ardhur deri më sot.
Këta 100 mijë vende të reja pune, që përbëjnë besoj këtë përgjigje madhore ndaj një plage të jashtëzakonshme siç është papunësia e të rinjve, jep një përgjigje të menjëhershme duke përgjysmuar këtë papunësi, duke orientuar qartë se si do të realizohet ajo.
Pra nuk kemi një shifër përgjithësuesi pa detaje, pa program dhe pa realizëm, por kemi saktësisht se si do të jenë shpërndarë ato, ku praktikisht 35 mijë vende të reja pune do të jenë në sektorin e turizmit, 25 mijë ne bujqësi, do të jenë 25 mijë në infrastrukturë dhe 20 mijë në shërbime të të gjitha llojeve, të të gjitha formave të cilat mund të përdorin mijëra të rinj të mirëshkolluar.
Qëndrova jo rastësisht në këtë premtim, angazhim solemn të parë për të rinjtë për të vazhduar më tej në disa elemente thelbësore të programit.
Programi orientohet në radhë të parë dhe mbi të gjitha, dhe këtë duhet ta dinë të gjithë shqiptarët qartë, në principin e përdorimit të potencialeve shumë të mëdha, shumë të nënpërdorura dhe që kanë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi.
Ku të identifikuar qartë janë dy prej tyre që është bujqësia në njërën anë dhe turizmi në anën tjetër. Duke orientuar shumë qartë në dy fokuse kryesore në potenciale shumë të mëdha zhvillimore, ne i japim përgjigje një herë e përgjithmonë plagës së madhe të ekonomisë shqiptare, programe elektorale, programeve qeveritare të cilat ajkën vuajtur nga një fragmentim të jashtëzakonshëm.
Nga një shpërndarje e karakterit komunist proporcional të të gjitha çështjet dhe të gjitha problematikat, duke bërë pra që asnjëra prej tyre të përdor dhe të vër në lëvizje të gjitha potencialet e saj maksimalisht, e duke filluar dhe lënë përgjysmë mjaft e mjaft çështje, projekte, problematika dhe duke i zvarritur dhe duke i marrë zvarrë, katër vjeçar dhe mbas katërvjeçari pa i dhënë asnjëherë përgjigje përfundimtare.
Pse është orientuar programi ynë pikërisht në këto dy çështje madhore? Pa lënë mënjanë asnjë nga problemet e tjera, por duke parë potencialet e mëdha të zhvillimit. Pasi vetëm bujqësia e cila dyfishon me programin tonë prodhimin bujqësore, do të thotë në terma shumë konkrete për çdo shqiptar që nga 2 miliard euro që realizon prodhim bujqësor në vit në Shqipëri, të kalojë në 4 miliard euro. Ju e kuptoni që ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe me një impakt të menjëhershëm ekonomik i cili preket nga mijëra dhe mijëra fermer dhe familje që jetojnë në zonat rurale, ide të cilat përbëjnë realisht 50% të popullsisë shqiptare.
Pra është një përgjigje që shkon në mënyrë të menjëhershme ne gjysmën e popullsisë shqiptare, duke u dhënë një përgjigje konkrete vështirësive të përditshme të ditës por edhe potenciale pa fund të cilat nuk mund të zhvillohen. Pasi shteti mungon të jetë prezent, mungon të ketë programe dhe mungon t’i japi stimujt financiar të domosdoshëm.
Si do të realizohet kjo?
Do të realizohet duke pasur parasysh shifra të cilat janë konsistente, të realizueshme dhe realiste. Pra vendosja e 250 milion dollarëve në vit vetëm për bujqësinë të shpërndarë në të gjitha segmentet që përbëjnë prodhimin bujqësor, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ku secili fermer kupton fare mirë se çfarë do të thotë incentiva për fara e tij, për plehrat, për produktet bujqësore, për këtë proces që janë në bujqësi, për mekanikën bujqësore, pra merr nga programi ynë përgjigje të qarta për çdo problem që atij i dhemb, të cilin ai e qanë në mënyrë të përditshme me të gjithë fermerët e tjerë dhe për të cilën nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.
Në këtë mënyrë ne kthehemi në një shtet kompetitiv, tejkalojmë të gjitha ato diferenca të mëdha të cilat na kanë vënë në bisht të gjithë shteteve të tjera të Ballkanit, edhe atyre që janë fqinje përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë, dhe bën produktin bujqësor tërësisht kompetitiv.
Edhe dy përgjigje të tjera janë shumë të rëndësishme në këtë program. Pasi ne bëjmë 0 TVSH për produktet bujqësore dhe bëjmë 0% edhe tatimin mbi fitimin në bujqësi. Besoj se kemi përgjigje shumë të qarta, të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në këtë drejtim. Gjithashtu një sektor me potenciale jashtëzakonisht të mëdha e cila mund të ishte dhe mund të bëhet kryefjala e ekonomisë shqiptare, është turizmi.
Të gjithë jemi dëshmitar për një nënpërdorim vërtet dramatik të tij, për një pasuri të madhe dhe një varfëri shumë të madhe të përdorimit të saj, për rezerva të mëdha qoftë për rritjen ekonomike, por edhe potenciale të jashtëzakonshme të punësimit që ajo mbart me vete. Dhe jo rastësisht, dhe jo në mënyrë të pa menduar gjatë dhe mirë, ne kemi planifikuar një zhvillim në të gjitha pikëpamjet e tij duke zhvilluar jo vetëm të gjitha llojet e turizmit, por duke dhënë dhe një përgjigje që ka munguar të jepet. Pasi të gjithë jemi dëshmitar se turizme të tilla si ai bregdetar i ka potencialet të dukshme, por në shumë zona rurale të Shqipëri, stimuj të tij si heqja e të gjithë tatimeve dhe të gjitha ngarkesave fiskale për 5 vjet për këdo që zhvillon turizmin në zona të thella malore, në zona të thella rurale, është një stimul për të aktivizuar potenciale dhe resurse aspak të zhvilluara deri tani.
Gjithashtu ne jemi orientuar shumë drejt rritjes së qëndrueshmërisë ekonomie dhe për këtë në funksion dhe pikërisht dhe këtyre dy shtyllave kryesore, programi ynë ekonomik dhe social, ka disa përgjigje shumë të rëndësishme dhe përsa i takon sistemit të taksimit.
Kemi vuajtur në të gjithë këto vite nga një taksim i cili lëviz në mënyrë të vazhdueshme, i cili shpesh herë e vë biznesin përpara vështirësive edhe të pakapërcyeshme. E vë përpara surprizave që e vë atë në kufirin edhe të falimentimit, dhe e bëjnë atë të paaftë që të ndërtojë plane afatgjata të cilat sigurojnë vërtet fitimin dhe mbajtjen gjallë të atij biznesit dhe bashkë me të edhe punësimin.
Objektivi ynë kryesor është një sistem taksimi të qëndrueshëm. Një sistem taksimi i cili nuk ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe të pa motivuar. Dhe një sistem taksimi që na bën kompetitiv në rajon.
Ndaj në mënyrë shumë të planifikuar, dhe këtu është vendi që unë t’i falënderoj dhe t’i ri-falënderoj një grup jashtëzakonisht të shkëlqyer ekspertësh, shqiptar në radhë të parë, por edhe të huajt të cilët punuan mbi këtë program të cilët ndërtuan një program edhe taksimi, i cili është i drejtpërdrejtë dhe jep përgjigje ndaj edhe një plage tjetër që ka sjell një demotivim të madh. Plagës së taksave që ndryshojnë dhe informalitetit që rritet në vend që ai të ulet.
Së pari ka një përgjigje drejtë për drejtë tonën lidhur me bizneset të cilët kanë xhiro deri në 20 milion lek. Tatimi i tyre në programin e LSI-së do të jetë 5%. Për ta kuptuar edhe shqiptari më i fundit, do të jetë 3 herë më pak nga ai që është aktualisht në masën 15%.
Bizneset me xhiro vjetor nga 20 milion lekë deri në 100 milion lekë do të kenë një tatim fitimi 8% nga 15% që është aktualisht. Pra thuajse një përgjysmim të menjëhershëm.
Dhe biznes me xhiro vjetore mbi 100 milion lekë do të kenë një tatim fitimi 10% nga 15% që është aktualisht.
Qëndrova në këto tre momente kryesore pasi këto japin një përgjigje shumë të shpejtë, të menjëhershme mbi 90% të bizneseve shqiptare të cilët prisnin prej kohësh përgjigje të tilla dhe të cilat janë barrë e jashtëzakonshme fiskale dhe i kanë demotivuar, i kanë detyruar që ata të ndërpresin shpesh herë investimet e tyre, u ka humbur optimizmin dhe së-bashku me këto kanë bërë që në vend që të kemi një shtim të punësimit, kemi pasur një ulje progresive të tij.
Gjithashtu ne kemi në programin tonë edhe tre elemente të tjera që unë do të doja t’i ndaja me ju lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale. Të ardhurat personale janë të ardhurat që ne realizojmë dhe mbi të cilat taksohemi. Është fare e qartë që sa më të larta të jenë këto taksime, aq më pak para hyjnë në xhepin e gjithsecilin individ, i cili paguhet dhe merr rrogën e tij. Ndaj ne kemi zgjeruar në programin tonë, bazën e tatueshme e cila ka një bazë 0%, deri në masën 35 mijë lekë. Pra, zgjerohet bazat e tyre të cilët nuk do të paguajnë taksa fare si tatim mbi të ardhurat. Ndërkohë kemi edhe dy përgjigje të tjera që besoj se janë shumë të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë me atë që është bota e njerëzve që drejtojnë, që kanë përgjegjësi për bizneset, që shërbejnë në të gjitha sektorët e shërbimeve, qofshin bankar, të fushës së medias, të fushave të tjera të shërbimeve të shumëllojshme tek të cilët ka rënduar një tatim mbi të ardhurat, në gjykimin dhe vlerësimin e të gjithë ekspertët tanë tërësisht i rëndë, pa arsyeshëm dhe demotivues.
Dhe praktikisht për pagat nga 35 mijë lek deri në 200 mijë lek, ky tatim do të llogaritet në masën 8%, nga mesatarisht 20% që ishte në të shkuarën dhe që është realisht. Pra një ulje mbi dy herë se ç’është në realitet. Ndërsa pagat mbi 200 mijë lek, aplikimi do të jetë vetëm 10% nga 23% që është aktualisht.
Është besoj një përgjigje e qartë, e drejtpërdrejtë, motivuese për të gjithë këtë grup njerëzish i cili pa e tepruar, mund ta quajmë truri i këtij vendi, pasi janë këta njerëz që gjenerojnë mjaft ide, mjaft zgjidhej për të cilat shoqëria ka nevojë, të cilat i motivon gjithnjë e më shumë që ata të punojnë në Shqipëri, të kontribuojnë këtu, por edhe të ulë atë informalitet, i cili u rrit pas vënies së këtyre taksave. Mjaft t’ju kujtoj që në këto grupe që unë citova, nga 12000 që dikur deklaronin, deklarojnë jo më shumë se 6000 persona pas vendosjes së taksave deri në 23%. Pra, jo vetëm s’e luftuam informalitetin, por ai u shtua.
Një tjetër përgjigje që shkon në interes të çdo shqiptari, deri tek ai më i thjeshti, është përgjysmimi i TVSH-së për produktet bazë të shportës. Shporta do të thotë të gjitha ato produkte ushqimore jetike pa të cilat një familje nuk mund të bëj dhe në mënyrë të veçantë familjet e varfra. Ai përgjysmohet nga 20% në 10%, duke pasur si një pasojë të drejtpërdrejtë uljen e çmimeve të produkteve dhe një përfitim të drejtpërdrejtë mbi mijëra e mijëra shqiptarë, dhe në mënyrë të veçantë ata të cilët përballen me jo pak vështirësi ekonomike.
Gjithashtu unë do të doja të ndaloja, dhe në tre sektorë madhorë, duke qenë konkretë lidhur me bujqësinë, pasi GDP-ja e parashikuar në programin tone për bujqësinë shkon në 2.5%, një premtim madhor i yni është rritja e buxhetit për arsimin deri në masën 5%. Është një llogaritje, një premtim i cili jo vetëm është premtim që ne mbajmë e do ta mbajmë, por është një përgjigje e drejtpërdrejtë për një arsim i cili sot më shumë se kurrë ka nevojë për investim, ka nevojë për financim. Nuk mund të ketë një arsim kualitativ, i cili realizon qëllimet e tij të mirëarsimimit, që përmbush ambiciet e një rinie e cila do të arsimohet dhe do të jetë kompetitive me diplomën që ato marrin apo gjithë nivelet e arsimit ku arsimohet, në rast se kemi një arsim thellësisht të nënfinancuar.
Dhe po kështu, dhe një dyfishim buxheti për shëndetësinë, deri në masën 5%, pasi besoj se do të ishin të tepërta komentet se sa jetike do të ishte rritja e buxhetit në shëndetësi duke konstatuar mungesat e shumta që sektorë me të cilat shoqërohet ky sektorët, e ku shqiptarët deri te më i fundit presin përgjigje të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme. Është e qartë që koha nuk pret më për këto përgjigje dhe do jetë një plan realist, konkret, i thjeshtë, i realizueshëm, si ai që LSI ka përgatitur, i kthen këto përgjigje në mënyrë të menjëhershme dhe i bën me arritje të prekshme e të kapshme për çdo shqiptar.
Sigurisht që, një nga elementët thelbësore që unë do të theksoja, është që ne vazhdojmë të ruajmë prioritetin tone për infrastrukturën e industries dhe një nga premtimet që ne japim sot është një premtim tërësisht i mbajtshëm dhe i realizueshëm, është përfundimi i të gjitha akseve rrugore të cilët janë në proces, të cilët kanë rendësi madhore për vendin. Po përmend vetëm tre: bypass-in e Fierit, të Vlorës, “Rrugën e Arbrit”, të cilët lidhin akse të tilla ku komentet për to besoj janë të tepërta. Përgjigja e vetme për to është realizimi i tyre dhe ky program që LSI ka për transformimin ekonomiko-shoqëror, është që njëkohësisht këto t’i përmbyllë e këto të mos jenë thjesht e vetëm pjesë komentesh, objekt luftërash politike e ku në fund të fundit, ata të cilët nuk do të kishin mundësi t’i përdornin të ishin pikërisht qytetarët.
Praktikisht jemi në një moment ku Shqipëria ka nevojë vetëm për plane realiste dhe konkrete, të cilat vënë në vendin e duhur të gjitha dhe u kthejnë përgjigje këtyre pyetjeve të mëdha, çështjeve të mbetura hapur dhe pezull pasi deri më sot, orientimi i politikave vetëm në politika të përgjithshme, pa objektiva dhe target konkrete, mund të vazhdojë ta mbajë vendin në ato nivele të rritjes ekonomike ku ne lëvizim me gjysmë përqind, me një përqind, me 1.5 %, dhe nuk japin motivimin e duhur.
Si shifër madhore të cilën unë jo rastësisht e lashë si një konkluzion të fjalës sime, detyrimisht ishte cili është objektivi madhor i yni.
Objektivi madhor i yni, dhe unë do të doja ta mbyllja me këtë shifër, është që në katër vite që ne kemi përpara, me këtë program, kaq të qartë dhe kaq konkret, dhe me këtë aktivizim të këtyre potencialeve jashtëzakonisht të mëdha kur citova bujqësinë dhe turizmin në mënyrë të veçantë, pasi kanë rezerva jashtëzakonisht të mëdha të pashfrytëzuara, rritja ekonomike vit pas viti ka një potencial që të jetë në shtatë, në tetë, në nëntë përqind dhe me objektivin që në fund të vitit të katërt të kemi për here të pare një rritje dyshifrore me dhjetë përqind, e cila është përgjigja e vetme e forte, që shqiptarët presin për të shpëtuar nga zvarritjet e lojës me shifrat, e lojës me përqindjet, gjithmonë të diskutueshme dhe që s’prodhojnë impakte, pra përfundimisht e bëjmë atë rritje ekonomike e cila ndjehet dhe do të ndjehet në tavolinën e çdo shqiptari, në xhepat e gjithë shqiptarëve dhe të cilët do të marrin më në fund motivimin që qeverisja e tyre i bëri ata të ndihen më mire se sa një ditë më pare, më të qetë se sa një ditë më parë dhe në çdo familje të ketë motive për të qenë më të qetë dhe për të mos pasur më tensionin e jashtëzakonshëm që varfëria krijon, pasi ky program është i vetmi program nga të gjithë programet e partive politike, të hartuara në këto 25 vjet, që ka bërë kredo të tij kapitalizmin social, i cili paqton më së miri zhvillimin e sipërmarrjes së lire dhe zhvillimin njëkohësisht të amortizatorëve dhe të mbrojtjes së forte sociale, solidaritetit social për të cilin ka nevojë shtresat e shumta të cilët janë edhe në varfëri.
Ndaj, mendoj që duke qëndruar këtu, kemi dhënë përgjigje të qartë dhe të forte disa argumenteve shumë delikatë, argumenteve shumë të dhimbshme, argumenteve që prisnin përgjigje. Kemi një përgjigje të forte në programin tone. Të gjitha diskutimet e tjera që do të pasojnë do ta pasurojnë edhe me elemente të tjera edhe më teknike për të sqaruar akoma më në detaj këtë ofertë të jashtëzakonshme politike që ne vendosim para shqiptarëve dhe ku unë jam krenar që sinteza, në radhë të pare e specialistëve të shkëlqyer shqiptarë, na pruri që ne të kishim këtë program më të mirin e të gjithë programeve politike të cilët janë sot në zhvillim në politikën shqiptare, në mënyrë të veçantë në këtë moment elektoral, por që bën diferencën e dukshme ndërmjet një qasjeje të re, një zhvillimi të ri ku ky vend më në fund duhet të hyjë, por mund ta bëjë sigurisht vetëm me një program siç është programi i LSI.
Fjala e Zv.Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë prezantimit të programit elektoral
Ne sot prezantojmë planin e LSI-së. Ky është plani, një plan real e jo i rastësishëm elektoral dhe as premtimesh. Ai është thjesht themeli i garancisë që LSI i ofron çdo të riu, të reje e çdo shqiptari një shans për të pasur një punë të mirëpaguar, për të pasur një jetë më të sigurt, një arsim më të mirë, një shëndetësisë të drejtpërdrejtë tek qytetarët, një infrastrukturë më të mirë dhe për të pasur një sistem taksash më të lehtësuar dhe më të arritur për sistemin tonë. Projekti ynë i jep shansin çdo të punësuari aktual faktikisht për të lehtësuar taksimin mbi ta dhe për të kthyer ekonominë nga një ekonomi informale në formale sepse çdo taksim i tillë i padrejtë i çon ata drejt informalitetit.
Ky plan i jep shansin biznesit për taksimin e vërtetë dhe realë dhe për ta kthyer në një marrëdhënie midis shtetit dhe biznesit si partner dhe jo si armiq duke luftuar njëri-tjetrin. Vetëm në këtë mënyrë ne do të kemi mundësinë për të krijuar shans për bizneset, për të paguar më pak taksa, për të mbledhur më shumë të ardhura dhe për ta kthyer këtë në një sistem që funksionon për të pasur një buxhet më të realizuar.
Projekti ynë synon pikërisht mbarëvajtjen e marrëdhënieve shtet-biznes dhe jo që njëri të fitojë në kurriz të tjetrit si jo rrallë herë ka ndodhur kjo dhe për shkak të preferencave politike siç kemi parë shpeshherë. Ky është një plan i vërtetë dhe i prekshëm për këdo që jeton në Shqipëri, por ky plan do t’ju ofroj mundësinë çdo shqiptari që ka dëshirë të rikthehet në vendin e tij dhe për të rihapur jo vetëm biznesin e tij por për të jetuar jetën e tij në atdhe.
Ky nuk është një plan elektoral, por është një projekt i vërtetë që LSI ka përgatitur dhe do të realizoj. Ne do të kërkojmë votën e shqiptarëve pikërisht për këtë fakt sepse dimë të pranojmë gabimet dhe dimë t’i rregullojmë ato dhe mbi të gjitha dimë të mbajmë premtimet që ne japim ndaj qytetarëve tanë. Ne sot angazhohemi se do të ulim taksat mbi të ardhurat personale sepse e shohim këtë si një mënyrë përfundimtare për të formalizuar ekonominë për të pasur shifra reale dhe jo për të pasur shifra fiktive të cilat jemi mësuar rëndomë t’i shohim tashmë.
Ne duhet të ndërtojmë një sistem fiskal i cili duhet të jetë i besueshëm dhe i pranueshëm nga individët dhe biznesi sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të kemi sa më pak shmangie nga sistemi fiskal. Plani ynë i vërtetë është një shans për të fuqizuar ekonominë shqiptare, bujqësinë, shëndetësinë, arsimin, turizmin dhe çdo fushë tjetër të Shqipërisë. Ajo për të cilën ne kemi projektet tona të cilat janë jo vetëm projekte të realizueshme, por mbi të gjitha janë projekte që aplikohen shumë kollaj dhe janë të mirëaplikueshme në Shqipëri.
Çdo projekt i yni mban seriozitetin maksimal dhe mbi të gjitha mbart premtimin dhe angazhimin tonë si një forcë politike. Punësimi i të rinjve është një nga prioritetet tona më të mëdha sepse duke nxjerrë LSI-në forcë të parë e duke votuar LSI-në, shqiptarët do t’i japin mundësi të rinjve që të kenë jo vetëm punë të mirëpaguar, por edhe një punë të garantuar dhe të sigurt.
Vetëm në këtë mënyrë, ne garantojmë të ardhmen e vendit tonë, një ekonomi më të mirë, begati për vendin tonë dhe mbi të gjitha ajo që është më e rëndësishme, garantojmë Integrimin Evropian të vendit tonë me të cilën e përfshin Shqipërinë në BE. Ajo çka dua të them është që ky plan nuk është plan vetëm për ata që të votojnë LSI-në, por ky është një plan i cili do t’ju shërbejë të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjeve të tyre politike.
Fjala e kryesueses së listës së kandidatëve për deputete të LSI-së, Klajda Gjosha në prezantimin e Programit Elektoral të LSI
Është kënaqësi të prezantoj para jush pjesën e programit tonë të LSI-së për fuqizimin ekonomik dhe social të gruas dhe dua të falënderoj shumë komisionin e çështjeve sociale dhe të barazisë gjinore si edhe të gjithë ekspertët që iu bashkuan këtij komisioni për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë.
Sepse realisht për LSI-në gratë dhe vajzat kanë qenë gjithmonë një shtyllë kryesore dhe parësore e saj dhe si të tillë ne i shohim gratë dhe vajzat jo vetëm si një pjesë thelbësore për familjen, por sigurisht edhe për shoqërinë shqiptare dhe në radhë të parë të parë forcimi i rolit të tyre është parësor për konsolidimin e vlerat të solidaritetit të punës të angazhimit qytetar si dhe të barazisë gjinore. Unë dëshiroj ta ndaj prezantimin e programit tonë në tre shtylla kryesore.
Në radhë të parë dhe që është shumë e rëndësishme, është përfaqësimi politik i gruas. LSI ka qenë gjithmonë një promotore e promovimit të gruas në politikë dhe unë mendoj që ne këtë radhë vijmë menjëherë me një premtim të mbajtur.
Po të shikojmë në listat e LSI-së kemi shumë gra dhe vajza që përfaqësohen dhe madje përfaqësohen në radhët e para të këtyre listave duke filluar që me kryeqytetin dhe duke vazhduar me Elbasanin dhe me qytetet e tjera siç janë Durrësi etj. Dhe me këtë dëshirojmë të arrijmë një pimë parësore që është pikërisht ajo e përfaqësimit sa më dinjitoz të kuvendit të Shqipërisë.
Kemi parë në katër vitet e fundit një Kuvend që realisht nuk ka qenë i denjë për qytetarët shqiptarë, nuk ka qenë i denjë për të gjithë ato gra dhe vajza që e kanë ndjekur nga familjet e tyre bashkë fëmijët e tyre. Realisht ne mendojmë të forcojmë zërin e grave dhe vajzave brenda Kuvendit të Shqipërisë duke sjellë më shumë pranë qytetarëve ao çështje që ndikojnë të familjet e tyre te çështjet e përditshme, te puna, te çështjet sociale, tek arsimi te shëndetësia e kështu me radhë.
Pjesa e dytë e programit është pikërisht lufta kundër dhunës ndaj grave. Kjo është një çështje madhore dhe nuk besoj se është vetëm në Shqipëri, por edhe në vende tejet të zhvilluara të Evropës dhe më tej. Megjithatë, unë nuk mendoj që në Shqipëri mungon kuadri ligjor. Ajo çka ne duam të arrijmë është pikërisht implementimi sa më i mirë i kuadrit ligjor dhe që ligjet tona të implementohen sa më mirë unë mendoj që në luftë kundër dhunës ndaj grave duhet të kemi sanksione dhe më të forta në mënyrë që njerëzit të jenë edhe më të ndërgjegjshëm dhe që ky fenomen të parandalohet.
Pjesa e tretë e programit që është edhe pjesa më kryesore do ta quaja unë, është pikërisht fuqizimi ekonomik i gruas. LSI në programin e saj ka fokusuar pikërisht një nga spektrat kryesorë që është arsim për punësim, sepse ne besojmë që kemi nevojë për një lidhje edhe më të ngushtë nëpërmjet edukimit apo kualifikimit profesional në raport me nevojat e tregut të punës në mënyrë që gratë të emancipohen të fuqizohen ekonomikisht dhe duke synuar sigurisht që të kemi 50% të forcës punëtore gra dhe 50% të sipërmarrjes private gra.
LSI gjithashtu propozon hartimin e një strategjie kombëtare për gruan sipërmarrëse duke ofruar konsulenca për plane biznesi, duke ofruar studime të tregut, pra aty ku duhet fokusuar biznesi që do të ketë brenda saj dhe një paketë masash stimuluese financiare dhe fiskale për arsimimin, kualifikimin, trajnimin zhvillimin dhe promovimin e iniciativës private për vajzat dhe gratë.
Sot në Shqipëri ne kemi rreth 32% të biznesit të iniciuar nga gra e vajza dhe sfidat dhe synimi ynë është që në katër vitet e ardhshme ne ta rrisim atë shifër duke e çuar atë në 45 %. LSI gjithashtu propozon mundësimin e kreditimit dhe interesave të buta me interes 2 % dhe me një fond garancie për të gjitha gratë sipërmarrëse në aktivitetet prodhuese sidomos në ato sektorë si bujqësia, turizmi agrobiznesi dhe në shërbime.
Kuptohet që e gjitha kjo do të bëhet edhe në bazë të marrëveshjeve që ne do të kemi edhe me bankat e nivelit të dytë. Gjithashtu, ne propozojmë që në të gjitha ato biznese apo sipërmarrje të regjistruara të kemi në bordet e menaxhimit të tyre 50% gra sepse kjo do të bëje të mundur që gratë të jenë vendimmarrëse edhe në këto biznese që janë tashmë të regjistruara. Unë mendoj që ky program është i jashtëzakonshëm dhe i jep një shans dhe një mundësi të gjitha grave dhe vajzave jo vetëm për t’u integruar në jetën sociale por edhe në at ekonomike të vendit.
Mendoj që është një shans për të ardhmen, mendoj që është një shans për të gjitha familjet dhe mund të them që është një nga programet më të mira të prezantuara ndonjëherë për të gjithë gratë dhe vajzat shqiptare.