Luan Rama: Meditim nga Sheshi i Flamurit
Nga Luan Rama *
Meditim nga Sheshi i Flamurit: NJË FOTO ME GEONIN E VOGËL NGA FIERI DHE MESAZHI I BABAIT TË TIJ…
Geoni i vogël ngazëllentë i tëri e nuk donte të ikte. I gjithë gëzimi dhe bukuria e festava dritonte në portretin e tij, e ai vetë u bë metafora më e bukur e atyre dy ditëve – data që rrinë me njëra – tjetrën pranë e pranë si kokat e shqiponjës në flamurin tonë.
28 dhe 29 nëntori shenjojnë dy ngjarjet më të mëdha e më të lavdishme të historisë tonë moderne, pavarësinë dhe çlirimin, e bashkë me pavarësinë e Kosovës, përbëjnë tri kolonat e krenarisë shqiptare që prej epokës së Gjergj Kastriotit.
Por le të kthehemi tek Geoni, flamurtari ynë i vogël që rendëte gjithë gëzim përreth monumentit të pavarësisë, që edhe pse ishte aty bashkë me dy prindërit në dlirësinë e vet, në fakt mua më ngjau si një maratonomak flamurmbajtës që po sfidonte idiotësinë e disa zyrtarëve kokëboshë të bashkisë së Vlorës, që në ditën e çlirimit nuk kishin lënë asnjë flamur kombëtar; as në Sheshin e Flamurit, as pranë monumentit të pavarësisë dhe as në varrezat e dëshmorëve që ndodhen aty pranë.
Geoni me flamur, teksa gëzonte me prindërit e tij, në fakt pa e ditur po bënte edhe një gjest të madh qytetar, duke na dëshmuar se atdhedashuria është ndërgjegje, është vetëdije, është kulturë, është edukatë.
Ndaj u afrova pranë tyre me admirim, por edhe me një ndjesi “faji”.
Me ndjesinë e fajit për flamurin që mungonte, edhe pse fajtori nuk isha unë, por ai tjetri atje në bashkinë e Vlorës, që kushedi se ku rendëte gjithë babëzi për vjedhjen e rradhës.
Nuk po bëj politikë.
Fakti i turpshëm është më shumë se politik, është hipokrizi dhe shëmti.
Hipokrizi dhe shëmti e njeriut të pushtetit, e njeriut të politikës, e sfiduar me aq patriotizëm nga qytetarët që e bëjnë edhe më të bukur Vlorën tonë me patriotizmin e shpirtit të tyre.
Hipokrizi dhe shëmti e sfiduar me fisnikëri e pa bujë edhe nga prindërit me Geonin e tyre të vogël, që lumturisht e gjithë dritë pozonte mbështjellë me flamur para monumentit të pavarësisë.
Duke i parë me admirim, iu kërkova leje të bëja edhe unë një foto me Geonin e tyre e të ndjeja në krahët e mi gëzimin dhe krenarinë e atij djali të vogël nga mosha e nga trupi, por me një madhështi monumentale dhe aq imponuese për nga e gjithë ndjesia e sjellja e tij.
-Edhe pse të pakënaqur me politikën në Shqipëri, flamuri na bashkon të gjithëve, – më tha babai i Geonit. Një foto para monumentit të pavarësisë është kujtim i bukur edhe për ne, edhe për Geonin, të cilin dua ta rris të lumtur në Shqipërinë tonë.
Nëse ju që bëni politikë nuk dini apo nuk doni të na e mundësoni, të paktën mos na e vrisni ëndërrën!
E ç’mund t’i thoja unë pas këtyre fjalëve babait të Geonit?…
I tha të gjitha Geoni i vogël me flamur…
*Zëvendëskryetar i LSI