Lufta kundër korrupsionit, shembuj nga Kroacia dhe Rumania
Në kuadër të reformës në Drejtësi, pjesë e rëndësishme e paketës, mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë, misioni i asistencës së Bashkimit Europian në Shqipëri “Euralius” po trajnon prokurorët shqiptarë në kuadër të luftës ndaj korrupsionit e krimi të organizuar, duke sjellë kryesisht shembujt e Kroacisë dhe Rumanisë.
“Euralius” bëri me dije se ka zhvilluar një seminar për forcimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme.
Qëllimi i trajnimit ka qenë “përmirësimi dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale të prokurorëve shqiptarë dhe oficerëve të policisë gjyqësore për rritjen e cilësisë së hetimeve dhe ndjekjes penale të veprave të korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Seminari mblodhi së bashku, prokurorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokurori të tjera për t’u njohur me praktikën e BE-së në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet prokurorëve nga vendet e BE-së, të tilla si: Kroacia, Rumania, Belgjika, Gjermania, të cilat kanë prokurori/modele të specializuara dhe një eksperiencë të konsoliduar në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksohet në njoftimin e “Euralius”.
KOHA JONË SONDAZH

