Lufta ndaj dhunës në familje/Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Një kauzë e të gjithë shoqërisë
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehet se parandalimi i dhunës në familje apo dhe i dhunës ndaj gruas në Shqipëri është një kauzë e përbashkët e të gjithë shoqërisë. Lindita Nikolla tha se në raportin e fundit të OKB-së janë botuar të dhëna mjaft shqetësuese për intensifikimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe dhunës në familje gjatë dy viteve të pandemisë.
”Raporti tregon se ndjenja e sigurisë tek gratë është tkurrur dhe pasiguria është rritur, duke sjellë pasoja të rënda negative për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Shqetësuese janë edhe shifrat për Shqipërinë. Një ndër tre gra të pyetura pohon se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë, një ndër gjashtë gra ndihet më pak te sigurt në shtëpi, një në dy gra pohon se shëndeti i saj mendor dhe emocional është keqësuar gjatë pandemisë, dy në tre gra pohojnë se ndjehen të pasigurta në shtëpi dhe njëkohësisht kanë pasiguri ushqimore”.
Për Lindita Nikollën kundërqëndrimi institucional ndaj dhunës në familje nuk ka efektin e pritur, pasi ka një hendek të dukshëm midis përmbajtjes së legjislacionit dhe zbatimit të tij. ”Këtë hendek duhet ta evitojnë organet e sistemit të drejtësisë si edhe agjencitë ligjzbatuese. Kohët e fundit aktet e dhunës ndaj grave, vajzave e fëmijëve duket se janë shpeshtuar”.
Fjala e plotë e kryeparlamentares Lindita Nikolla në Tryezën e 2-të mbi Bashkëpunimin Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe OPDAT
I nderuar z. Ministër Çuçi,
I nderuar Prokuror i Përgjithshëm, z. Çela,
Të nderuara kolege deputete , znj. Bushka dhe znj. Çupi,
E nderuar Këshilltare Ligjore e programit OPDAT të Departamentit të Drejtësisë së SHBA, znj. Michelle Lakomy,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju përgëzoj për organizimin e Tryezës së Dytë mbi Bashkëpunimin Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore. Ju falenderoj për ftesën për tiu bashkuar kësaj Tryeze dhe mundësinë për të ndarë me ju disa mendime mbi bashkërendimin më të mirë të punës së institucioneve kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Prej 25 nëntorit, të gjithë ne jemi përfshirë në një fushatë 16-ditore ndërgjegjësimi kundër dhunës me bazë gjinore. Siç e dini, është një fushatë globale, e udhëhequr nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe UN Women. Fushata e këtij viti u zhvillua me moton “Ta bëjmë Botën portokalli: T’i japim fund dhunës kundër grave tani!”.
Pak para kësaj fushate, unë personalisht iu bashkova marshimit të Fjongos Blu, kushtuar luftës kundër dhunës ndaj fëmijëve, të cilën e bëmë edhe temë të diskutimeve në mbledhjen konstituuese të Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve. Lufta kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës ndaj fëmijëve është një prioritet i imi, si kryetare e Kuvendit, por edhe e Kuvendit, dhe ne veçanti e dy grupimeve të tij mbipartiake: Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve dhe Aleancës së Grave Deputete.
Unë, personalisht, por edhe Kuvendi i Shqipërisë, iu bashkuam këtyre dy fushatave, kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe kundër dhunës me bazë gjinore, për të dëshmuar se lufta kundër dhunës nuk është as vetëm një kauzë e shoqërisë civile, dhe as një betejë e shoqërisë civile me institucionet.
Është një kauzë e përbashkët e të gjithë shoqërisë. Bashkëpunimi midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe OPDAT-it tregon se kjo luftë jo vetëm përbën një prioritet të Prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese, por edhe një prioritet të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë strategjik. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen për kontributin e Programit të OPDAT-it në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë penale, për luftën e efektshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gëzohem që ky kontribut përfshin edhe luftën e institucioneve të sistemit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Në raportin e fundit të OKB-së janë botuar të dhëna mjaft shqetësuese për intensifikimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe dhunës në familje gjatë dy viteve të pandemisë. Raporti tregon se ndjenja e sigurisë tek gratë është tkurrur dhe pasiguria është rritur, duke sjellë pasoja të rënda negative për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Shqetësuese janë edhe shifrat për Shqipërinë. Një ndër tre gra të pyetura pohon se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë, një ndër gjashtë gra ndihet më pak te sigurt në shtëpi, një në dy gra pohon se shëndeti i saj mendor dhe emocional është keqësuar gjatë pandemisë, dy në tre gra pohojnë se ndjehen të pasigurta në shtëpi dhe njëkohësisht kanë pasiguri ushqimore.
Këto të dhëna duhet të përbëjnë një arsye më shumë, që të gjithë ne, por në rradhë të parë institucionet e drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese, të tregohen më të vëmendshme, më efektive, pse jo, edhe më të ashpra në dënimet ndaj dhunuesve. Është e qartë se në këto rrethana, dhuna ndaj grave dhe vajzave e gjen rrugën më lehtë.
Dhuna me bazë gjinore, brenda dhe jashtë familjes, shkatërron me lehtësi të gjitha investimet që shteti, shoqëria civile, aleatët e partnerët tanë kemi bërë e po bëjmë për mirëqenien e familjeve shqiptare. Arritjet dhe mirëqenia e shoqërisë nuk kanë efektet e duhura nëse gjysma e shoqërisë është e kërcënuar prej dhunës dhe nëse familja, si themeli i shoqërisë, është e tronditur prej dhunës. Dhuna me bazë gjinore shkaktohet prej shumë arsyesh. Njera prej tyre lidhet me mentalitetin shoqëror, nivelin kulturor dhe të emancipimit të shoqërisë. Edukimi i shoqërisë është një proces i gjatë, i cili kërkon në zgjidhje adaptive, që jep efekte graduale, por të qëndrueshme.
Një tjetër arsyje lidhet me pamjaftueshmërinë e kuadrit ligjor. Unë mendoj se legjislacioni ynë nuk është i përsosur, por është i mjaftueshëm që, nëse zbatohet drejt e me përgjegjësi profesionale, njerëzore e shoqërore, munë të japë rezultate të dukshme, imediate dhe afatgjata. Një tjetër arsye lidhet me kuadrin institucional, institucionet dhe agjencitë që zbatojnë kuadrin ligjor ekzistues. Edhe për këtë mund të them që ne nuk na mungojnë institucionet, edhe pse disa prej tyre mund të ankohen, ndoshta edhe me të drejtë, pë mungesa apo pamjaftueshmëri burimesh njerëzore, logjistike a financiare.
Një tjetër arsye lidhet me performancën e institucioneve dhe shkallën e cilësinë e zbatimit prej tyre të kuadrit ligjor dhe shfrytëzimit tracional dhe eficient të burimeve në dispozicion.
Pra, edhe pse kemi një legjislacion të mjaftueshëm e të dobishëm dhe gjithashtu një kuadër insttiucional përgjithësisht të plotë, kundërqëndrimi institucional ndaj dhunës në familje nuk ka efektin e pritur. Ka një hendek të dukshëm midis përmbajtjes së legjislacionit dhe zbatimit të tij. Këtë hendek duhet ta evitojnë organet e sistemit të drejtësisë si edhe agjencitë ligjzbatuese. Kohët e fundit aktet e dhunës ndaj grave, vajzave e fëmijëve duket se janë shpeshtuar. E kam thënë dhe po e përsëris: Pas çdo shfaqjeje dhune në familje qëndron një zinxhir përgjegjësish ligjore, institucionale, komunitare, familjare, arsimore, në mjaft raste edhe ekonomike. Prandaj sot mendoj të ndalemi në mënyrë specifike te performanca e institucioneve përgjegjëse, të drejtësisë dhe të policisë.
Unë i vlerësoj përpjekjet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorive të rretheve për ashpërsimin e luftës kundër dhunës me bazë gjinore. Përgëzoj edhe OPDAT-in për mbështetjen e pakursyer në këtë mision. Megjithatë, mendoj se efektet pozitive të reformës në sistemin e drejtësisë duhet të ndihen më shumë edhe në këtë aspekt. Duke u përgatitur për këtë takim, jam konsultuar edhe me vlerësimet e disa ekspertëve të fushës së drejtësisë, për parandalimin e dhunës gjinore, mbrojtjen e viktimave dhe dënimin e dhunuesve.
Po e filloj me parandalimin. Mekanizmat institucionale që kemi krijuar lartë për parandalimin e luftimin e dhunës në familje nuk performojnë si duhet dhe nuk plotësojnë pritshmëritë e qytetarëve. Një prej konstatimeve të ekspertëve, madje i bërë edhe publik, lidhet me kuptimin dhe zbatimin e Urdhërit të Mbrojtjes për viktimat e dhunës.
Konstatohet se ka hezitim nga institucionet ligjzbatuese për të larguar përkohësisht dhunuesin nga banesa. Legjislacioni ynë sanksionon largimin e dhunuesit nga banesa bashkëshortore. Ekspertët mendojnë se kjo është masa më efikase që duhet të ndërmerret në kushtet e parandalimit të dhunës në familje. Madje, masa për largimin e dhunuesit nga banesa e përbashkët familjare, në ndryshimet ligjore të vitit 2020 parashikohet si masë prioritare.
Por kjo masë nuk zbatohet dhe gjendet si rruga më e lehtë dërgimi i gruas apo vajzës së dhunuar në strehëz. Edhe policia, por edhe organet e drejtësisë duhet të kuptojnë se ligji i jep prioritet largimit të dhunuesve dhe jo largimit të viktimave të dhunës. Konstatimi tjetër i ekspertëve është se Urdhri i Mbrojtjes zbatohet kryesisht si mbyllje apo izolim i viktimës dhe më pak si një mundësi mbështetjeje për rehabilitim dhe riintegrim.
Një tjetër konstatim është se përfundimi i afatit të Urdhrit të Mbrojtjes interpretohet si zgjidhje e problemit, përfundim i rastit dhe nxjerrje e të mbrojturës jashtë nga strehëza.
Problemet e mësipërme burojnë në mjaft raste edhe nga paragjykimet e stereotipet gjinorë në punën e policisë dhe të institucioneve të tjera ligjzbatuese. Asnjë argument i përdorur deri tani, qoftë ai ekonomik, mungesë mundësish strehimi apo arsye të tjera, nuk mund të përdoret këtej e tutje si justifikim. Prandaj kam bindjen se një nga problemet kryesore në zbatimin e ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje është mungesa e bashkëpunimit midis organeve përgjegjëse, i cili është i detyrueshëm nga ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Për këtë përsëris thirrjen time edhe në këtë Tryezë.