Luftë për kanabis në Dukagjin. Vritet 73-vjeçari, shënjestër ishte djali i tij. Policia kontroll me helikopter

Në Shqipëri brenda 24 orëve janë shënuar tre vrasje mafioze. Mbrëmjen e sotme një atentat ka ndodhur në Dukagjin. Është qëlluar me breshëri plumbash ndaj babë e bir, Zef Guri dhe të birit Gjin Guri. Mësohet se shënjestra ka qenë Gjin Guri, por plumbat i morën jetën 73-vjeçarit Zef Guri. Shkak për këtë ngjarje është dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit. Policia është nisur drejt malit të Shoshit me helikopter për shkak të terrenit të vështirë.

Më 15 nëntor të vitit 2021 Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit në Dukagjin. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.

Pronari i lokalit që ishte shënjestër e sulmit me lëndë plasëse, shtetasi Gjin Guri, është një person me precedent penal, sepse është dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.

Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.

SHKARKO APP