Lulzim Basha fiton Fierin, çan akullin Berisha
Lulzim Basha vendosi të dalë në bazën e demokratëve, pas një periudhe mbyllur brenda në zyrat e PD-së. Sot ai ishte në Fier, ku dukej hapur se salla e madhe ishte përplotë me demokratë, ndërkohë që jashtë kishte simpatizantë të Berishës, të cilët e shanin, porse nuk ishin aq shumë sa mendonin te kampi i Saliut.
Takimi në Fier kishte debate, kritika, sugjerime, por në thelb ishin proBashës. Edhe slogani ishte “Zgjedhim të ardhmen”, duke nënkuptuar se e shkuara Berisha po harrohet.
Testi i sotëm në Fier po tregon se nuk është krejt siç dukej këto muajt e fundit se gjithë demokratët janë me Berishën.
Natyrisht që Bashën pas Fierit e presin takime të tjera, ku do të ketë episode nga më të ndryshme, pasi përherë lufta brenda llojit është shumë herë më e keqe se sa me armikun.
Dje në Tiranë dhe sot në Fier jepen sinjalet se Lulzim Basha po zbret te demokratët e ku ballafaqimi me Berishën do jetë sfidë e madhe, por që duhet për të shpalosur të vertetën e munguar se kush e ka realisht bazën demokrate.
Nga këto ballafaqime do të sqarohen militantët të cilët akoma janë të traumatizuar nga përçarja brenda PD-së.
Në fjalën e tij Lulzim Basha tha se “Faleminderit për praninë tuaj në këtë takim që ka një rëndësi të veçantë pasi është takimi i parë që zhvillojmë pas një ngjarje dramatike siç është ajo e 8 janarit. Me praninë tuaj, me zërin që ushton, sytë plotë shpresë nga e ardhmja që kemi vendosur të ndjekim, nga Fieri oshëtin mesazhi Zgjedhim të ardhmen. Të zgjedhim të ardhmen përmes Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit, Këshillit Kombëtar, dhe degëve të Partisë Demokratike, ti bëjmë të qartë shqiptarëve se për çfarë qëndrojmë. Sot është 16 janari, është një ditë e ftohtë. Gjysma e familjeve shqiptare nuk i ngrohin dot shtëpitë e tyre. Nuk po flasim për një vend të varfër, të degdisur në stepat e të Rusisë. Jemi të begatuar nga zoti me bukuri natyrore. Ky shtet nuk është i korruptuar por i të korruptuarve.
Ëndrra për një demokraci të vërtetë, për një Shqipëri si Europa, ka mbetur e parealizuar. Kemi hedhur hapa. Nuk është rastësi që hapat që kemi hedhur është trashëgimi e demokratëve. Hapat më domethënës, që nga shkëputja e Komunizmit, tek futja në NATO, është kontribut i demokratëve që vazhdojnë të sakrifikojnë gjithçka për shqiptarët. Në këtë betejë kemi sakrifikuar shumë për të marrë peng nga interesat personale. Demokratët na kanë dhënë shumë besim, askush prej nesh nuk ka të drejtën të abuzojë me këtë besim. Kjo ka qenë thirrja që i kam lëshuar për muaj me radhë, dhe paraardhësit tim që ti thërriste mendjes, që të mos vendoste interesat e demokratëve. Duke i bërë shërbimin më të mirë regjimit më të korruptuar të Ballkanit, siç është regjia e Edi Ramës. Në kundërshtim me thirrjet tona, u kalua një vijë e kuqe që duhet të na ndajë, dhuna nuk është mjet i demokratëve. As nuk mund të kërcënohen, demokratët dhe as institucionet” – tha Basha.
Sot Basha e çau akullin e parë, mu në Fier, ku pritej të kishte shumë kundër tij dhe të mos e linin të hynte në sallë. Mesa duket “akullthyesja” e tij ishte e fortë dhe e prishi barrierën e parë në Fier, ku berishianët kishin llogaritur ta turpëronin.

KOHA JONË SONDAZH

