Majko: Falje kamatvonesave të energjisë. Reagon Rama: Nuk do bëjmë asnjë lëshim

Majko duke marrë fjalën në Kuvend kërkoi faljen e kamatvonesave të energjisë për personat që janë nën mbrojtje sociale, pasi kjo do na bëjë më njerëzorë.

Në këtë kuadër deputeti socialist iu referua një takimi që kishte pasur me dy fëmijë jetimë, të cilët përfitonin vetëm të ardhurat nga statusi i jetimit.

“Ne sot do të votojmë faljen e kamatvonesave për pensionet në fshat e ç’na gjen të flasim këtu dhe për ata  që janë me mbrojtje sociale.

Nuk besoj se kjo na shmang nga ndonjë faturë e kripur, përkundrazi na bën më njerëzorë”, u shpreh deputeti Majko.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama i cili konfirmoi tolerancën zero për vjedhësit e energjisë elektrike.

“Në këtë betejë nuk do të bëjmë asnjë lëshim dhe nuk do shohim asnjë në sy dhe po ashtu toleranca do të jetë zero. Energjia paguhet dhe nuk vidhet, pikë”, u shpreh Kryeministri.

“E vërteta është që ne kemi 20 vjet që tërhiqemi zvarrë duke bërë një faj tradicional që ne këtu sot nuk duhet t’ia lejojmë vetes, fajin e mbajtjes së pushtetit në kurriz të shtetit. E kemi shtyrë të ardhmen për shumë vite duke folur në emër të asaj, por duke qenë peng të së sotmes”, tha Rama.

Në këtë kuadër ai shtoi “këtë të energjisë dua ta ritheksoj sot. Ne nuk do të falim asnjë kamatvonesë të energjisë dhe nuk do të falim asnjë mospagesë të energjisë. Dhe për ata që thonë që nuk paguajmë dot energjinë i them që pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar paguajnë më shumë energjinë elektrike”.

Madje Kreu i Qeverisë shprehu bindjen se pavarësisht kostos politike që mund të shkaktojë insistimi i Qeverisë për të mos lejuar më abuzimin me energjinë elektrike, askush nuk do të tolerohet.

“Nëse sot ka njerëz që nuk u pëlqen të paguajnë energjinë le të zgjedhin një qeveri tjetër, ose një koalicion tjetër. Ne në 2013 nuk u votuam që të vazhdojmë të gënjejmë veten dhe qytetarët”, tha Rama.

SHKARKO APP