Maksim Kona: Me LSI është koha për drejtimin e ri të Kavajës

Flet për “Koha Jonë”, kandidati i LSI për zgjedhjet lokale në Kavajë, Maksim Kona

Intervistoi: Redjon Shtylla

Zgjedhjet e parakohshme lokale në Kavajë, mbahen më 25 qershor dhe në garë janë tre kandidatë nga tre forcat politike: PS, PD dhe LSI. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kandidati i LSI, Maksim Kona, rrëfen me detaje programin që kërkon të rigjallërojë zonën, me një plan që e kthen Kavajën një qytet bregdetar turistik. Me një karrierë të gjatë në fushën e inxhinierisë, si brenda dhe jashtë vendit, sot Maksim Kona, me gradën Doktor Shkencash në Inxhinieri, kërkon besimin që Kavajës t’i jepet një shans. I pyetur për pjesëmarrjen e LSI në këtë garë, Kona e cilëson si tregues bujarie të LSI, jo vetëm me të, por “edhe me Kavajën sepse kështu po thyen traditën e keqe të politikës shqiptare, daljen me projekte reale të prekshme dhe për këtë meriton fitore”,-shprehet Kona. Ndryshe nga kandidatët e tjerë, fushata e Maksim Konës është përqendruar në projektet dhe zhvillimin e Bashkisë së Kavajës dhe jo te akuzat apo sulmet politike. Kjo fushatë e bën atë kandidatin më model në një zonë, ku gjithmonë kanë mbizotëruar konfliktet PS-PD dhe asnjëherë interesat e qytetarëve.

Z.Kona ju jeni një nga tre kandidatët në garën e zgjedhjeve lokale të parakohshme në Kavajë. Si ju erdhi ftesa për të qenë kandidat i LSI-së, pasi u përfolët si kandidat i pavarur që në zgjedhjet e “para” më 7 maj?

Është e vërtetë. Unë doja të kandidoja si i pavarur dhe u skualifikova për arsye teknike të dokumentacionit. Duke pasur raporte personale me drejtuesit e LSI-së lokale dhe sidomos me kryetarin e saj dhe për konsideratën shumë pozitive që unë kam te disa përfaqësues të tyre në Kavajë, kërkova dhe gjeta mirëkuptimin e tyre që të mbështesin kandidaturën time për Bashkinë e Kavajës. Dëshira për të kandiduar rrjedh nga fakti se që në kohët ku isha student në “Politecnico di Torino” në vitet ‘80-‘85, ku më pas me aktivitetin profesional jam marrë me infrastrukturën dhe urbanistikën e Kavajës.

Kandidimi juaj në emër të LSI-së, është një element i fortë në garë edhe kundër PS-së? Duke parë dhe garën e zgjedhjeve të përgjithshme, ku nuk ka koalicion dhe të gjithë janë në garë, si e shihni rezultatin e LSI në nivel kombëtar?

Unë jam ekspert për problematikat e Kavajës, njoh urbanistikën, infrastrukturën e saj. Kohët e fundit jam apasionuar për historikun e lashtë e jo vetëm. Unë kandidoj për Bashkinë Kavajë dhe do të doja që ne të flisnim për Kavajën, kjo edhe nga fakti që nuk kam njohuri të plotë mbi politikat e koalicioneve dhe si inxhinier nuk mund të jap mendime. Por nuk e mohoj që LSI-ja, është treguar bujare me mua dhe me Kavajën sepse kështu po thyen traditën e keqe të politikës Shqiptare, daljen me projekte reale të prekshme dhe për këtë meriton fitore. Mjaft me politika boshe.

Në opinionin publik është krijuar ideja se zgjedhjet në Kavajë, janë një luftë e fortë, me tre kandidatë PS, PD, LSI? Si e kaluat trysninë para 7 majit dhe këto ditë duken më të qeta?

Kavaja padrejtësisht është konsideruar në opinionin kombëtar, si mish për top të politikës që nuk ka të bëjnë me problemet e saja. Ne kavajasit, do të tregojmë në këto zgjedhje një standard të ri, një shembull që do të  shërbejë për Shqipërinë. Unë si kavajas dhe garues jam krenar për këtë, jam i lumtur që Kavaja më pret me shumë dashamirësi dhe kjo më gëzon pa masë.

Si po ju presin kavajasit në takimet tuaja? Cilat janë disa nga shqetësimet që ju shprehin ata, çfarë ju kërkojnë?

Populli i Kavajës është i mrekullueshëm dhe nuk meriton të përflitet dhe të përfaqësohet keq. Janë të zhgënjyer nga politika e votës së deformuar dhe shoh një interes të madh të tyre për një politike të re, jo konfliktuale. Problematika e papunësisë si dhe të një punësimi të keqpaguar, mbizotëron në Kavajë dhe reflektohet nga varfëria e dukshme. Uji i pijshëm mbetet akoma prej dekadash problem për qytetin dhe fshatrat. Në fshatrat e Kavajës shqetësimet janë nga më të ndryshme. Papërgjegjshmëria e administrimit të territorit ka shkaktuar dëme kolosale sistemit të ekonomisë bujqësore dhe jetesës në fshat. Përmbytjet që shkaktojnë përrenjtë e pa sistemuar apo mungesa e ujit vaditës për ekonominë bujqësore, kanë krijuar shqetësime serioze deri në rrënimin e ekonomisë bujqësore. Gjithashtu, politika e taksimin të ekonomive bujqësore si dhe mungesa e plotë e një asistence teknike, janë të prekshme në shqetësimin e tyre.

Mbani gradën Doktor Shkencash në Inxhinieri. Si e keni planifikuar zhvillimin e zonës dhe cilat janë tre pikat e forta të programit tuaj?

Në Kavajën e administruar nga të papërgjegjshmit këto 25 vitet e fundit. Shkaku i kësaj gjendjeje është ndërprerja fizike e qytetit me bregdetin, moslidhja e turizmit bregdetar me pjesën e mrekullueshme kodrinore, mospërputhja që bujqësia e zonës së Kavajës me turizmin, marrëzinë në infrastrukturën rrugore etj. Këtu janë thyer edhe parimet statistikore, ku në njëmijë raste keq, thuhet do bëhej një e mirë. Në Kavajën time jo. Kjo më detyron mua të kandidoj, që në Kavajën time të mos vazhdohet më me politika të interesave të ngushta, ato familjare apo partiake. Plani im i Kavajës, është për një qytet bregdetar, ku përfshin së pari: lidhjen fizike të qytetit me bregdetin e saj, kjo me një trotuar 7 metra, ku parashikohet pista e biçikletave. Do jetë aksi i zhvillimit të qytetit. Do jetë ekonomia e qytetit. Dy ekstremet e kësaj shëtitoreje janë qendra e qytetit dhe porti turistik më i madh i vendit në Qerret. Kjo e transformon jetën shoqërore dhe ekonomike të qytetit sepse shkrin pjesën e pasur të bregdetit, fshatrat turistike të qerretit që sot funksionojnë si fjetore, në qendrën e Kavajës që sot nuk arrin fizikisht asnjë turist. Kjo ndërhyrje do transformojë Kavajën në qytetin më ekologjik, të shoqëruar përreth me lulishte dhe qendra sportive. Plani im parashikon implementim pa asnjë vonesë të ndërlidhjes së Kavajës me Kryeqytetin. Ky aks i ri rrugor, i ideuar dhe projektuar, ka marrë në këto 10 vitet e fundit bekimin e të gjithë kryeministrave dhe kryebashkiakëve, të Tiranës apo Kavajës. Ndërhyrja do ta bëjë Kavajën pjesë e kryeqytetit dhe Tiranën qytet bregdetar në distancë 25 kilometra. Do t’i zhvillonte kodrat ndërmjet Kavajës dhe Tiranës në një perlë të Adriatikut. Kështu nga Kavaja nuk do imigrojë për në Tiranë, ajo masë intelektuale, si studentë apo funksionarë të lartë, por në një distancë të barabartë me atë të “Freskut”, ato do qëndronin  në qytetin e tyre dhe do kontribuonin në ekonominë dhe kulturë në kushte jetese shumë më të përshtatshme. Dhe së treti arsimi profesional në shërbim të punësimit. Sot Kavaja ka papunësi shumë të lartë dhe kjo është shumë e theksuar tek të rinjtë. Shkollat profesionale me gjithë investimet në mure, nuk ofrojnë garanci për një vend pune. Në programin tim, do të realizojmë aty ku sot shkolla profesionale po mbyllet, një qytet nxënësi, ku rinia e qytetit apo dhe e Shqipërisë do të formohet profesionalisht. Në bashkëpunim me shkollat profesionale në Itali dhe Gjermani, nuk do lejoj që shkolla profesionale në Kavajë të falimentojë, por të jetë kjo limfi jetësor i qytetit për një punë të garantuar dhe të mirëpaguar, për një punësim të garantuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mos harrojmë se në Kavajë, me fondet personale të Presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filloi të ngrihej Universiteti i parë i Shqipërisë dhe u ngrit shkolla e parë bujqësore në vitet ’20. Programi  im vazhdon…

Një ndër problemet e qytetit, është mungesa e ujit dhe pastrimi i ambientit. Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në komunat bregdetare?

Uji është historikisht problemi i Kavajës dhe premtimi për ujin ka qenë në gjithë fushat e 25 viteve të fundit, së bashku me kërkesën e bërë nga përfaqësuesit e Kavajës ndaj zotit Berisha për një trajner futbolli. Sot është në përfundim kolektori i furnizimit me ujë të pijshëm, me sistem pompimi, ku parashikohet të furnizoje zonën e Kavajës. Nuk mund të kemi një zhvillim turistik elitar nëse do ta ta shohim në kompleksitetin e  furnizimit me ujë në të gjitha format e konsumit tij, kjo kërkon një impenjim në sistemet alternative të depozitave apo të rezervuarëve. Nga ana tjetër veç kolektorit kryesor, e cila është problematike e pushtetit qendror këtu lind nevoja e rrjetit dytësor, e cila kërkon përmirësim të saj. I gjithë sistemi i dytësor i furnizimit të ujit është nga njëra anë me tubacione tashmë jo të përshtatshme për presionin e furnizimit dhe nga ana tjetër i gjithë sistemi i rezervuarëve mbi çati dhe të pompave e bën koston për metër kub të ujit shumë të lartë nga njëra anë dhe nga ana tjetër krijon një pamje të shëmtuar të pallateve dhe vilave në gjithë territorin. Përsa i përket higjienës, ndërhyrjet do t’i koordinojmë me zyrat lokale të ministrive përkatëse, që të gjitha lidhjet apo lejet e ndërtimit duhet të jenë në përputhje me standardet europiane. Kavaja ka një impiant modern trajtimi të ujërave të zeza, por gjysma e këtyre shkarkohen nëpër përrenj apo kanale, të cilët pastaj dërgohen në zonë bregdetare. Kemi gati riorganizimin e gjithë sistemit të kanalizimeve të qytetit dhe sistemet e alternative të filtrimeve në mënyrë që bregdeti Kavajës, të jetë sa më i pastër që të ofrojë një turizëm të sigurt. Ne do investojmë me profesionalizëm dhe do të eliminojmë gabimet që vijnë nga padituria apo papërgjegjshmëria,  ky është premtimi im i parë dhe në gërshetim me direktivat e KE-së dhe qeverisë shqiptare dhe vetëm kështu jemi të aftë të thithim investime dhe investitor.

LSI mbështet fort bujqësinë. Çfarë hapat do të ndërmerrni, veçanërisht për garantimin me ujin për vaditje dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese?

Jam në përputhje të plotë me programin e LSI-së për bujqësinë. Ne, në Kavajë kemi trashëguar një sistem të tërë rezervuarësh dhe kanalesh vaditës dhe pothuajse i kemi shkatërruar. Vendosja në sistem dhe e koordinuar të rezervuarëve ekzistues të mirëmbajtur dhe ndërtimi i rezervuarëve të rinj, gjenerimi i kanalit Peqin-Kavajë, si dhe mirëmbajtja e rrjetit të kanaleve kullues do jetë në prioritet të bashkisë së madhe Kavajë, sigurisht në koordinim të plotë me pushtetin qendror. Vetëm kështu ne mund të furnizojmë ujë për vaditje me kosto të përballueshme duke eliminuar shpërdorimet e mëdha me format klienteliste apo obsolete.

Duke qenë në sezonit turistik, çfarë hapash do të ndërmerrni për nxitjen e qëndrueshme të turizmit?

Dihet se në Kavajë jemi njohur vetëm me formën e një turizmi primitiv të detit dhe kjo për një turizëm jo cilësor. Objektivi i parë është infrastruktura e munguar, uji, rruga, trotuaret apo kanalizimet. Do aktivizojmë urgjentisht një sistem informacioni turistik në Shqipëri dhe jashtë për një katalogim të plotë mbi tipologjinë dhe llojet e strukturave ricetive të unifikuar duke e bërë Bashkinë e Kavajës, garant për turistin e huaj. Në radhë të dytë do të zgjerojmë turizmin në format e tjera, siç është turizmi historik apo arkeologjik, ku zona e Kavajës është e pasur. Mjafton të përmend riaktivizimi reali i rrugës “Egnatia”, si aksi që përshkruan Kavajën në gjithë territorin e saj duke kaluar në qendër. Prezenca e portit turistik të Qerretit, si sot për sot më i madh i vendit dhe projekti i dyfishimit të tij, do fokusojë Kavajën në qendrën e turizmit nautik, e cila është forma më e pasur e turizmit, sepse kohëzgjatja është 180- ditore në vit dhe turisti nautik është më i pasuri dhe do nxisë format e turizmit kodrinor ose më mirë Udhën e Verës, e cila do të përshkojë kodrat e Kavajës. Puna është aq stimuluese dhe e bukur, ku mendoj që në Kavajë do thyejmë tabutë e një prapambetje gjenetike. Ky është objektivi i im që kur isha student në Torino, të transformoj Kavajën në qytet bregdetar dhe turistik.

Si e keni menduar emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë, keni një liste kriteresh dhe cilat janë ato?

Kryetari i Bashkisë Kavajë nuk është aspak njeri partiak dhe këtë e vërteton lobimi im për të qenë kandidat për kryetar i Kavajës dhe për të mos e kthyer qytetin në fushë beteje, kjo para 7 majit. Në Kavajë kemi nevojë për profesionistë cilësor dhe jo partiak. Është i vetmi kriter që më ka udhëhequr dhe në jetë, e gjitha kjo në përputhje me ligjet ekzistuese.

SHKARKO APP