Malaj thirrje Majkos dhe Braçes: Qeveria të bllokojë shkatërrimin e Teatrit
”Qeveria të bllokojë punimet”, kjo është thirrja e ish-ministrit të Financave, Arben Malaj. I pranishën në protestën kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, ish-ministri i PS-së i ka bërë thirrje kreut të Kuvnedit, Gramoz Ruçi që të mbledhë deputetët, kurse ministrit të Diasporës, Pandeli Majko dhe zv.kryeministrit Erion Braçe, që qeveria të ndalë vendimin për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.
Ish-ministri i Financave, i ka bërë thirrje ministres së Kulturës që të kërkojë menjëherë largimin e policisë nga godina e Teatrit. ”Majko dhe Braçe nëse e duan këtë vend duhet të nxjerrin një vendim qarkullues për mos-prekjen e teatrit dhe vendosjen e qetësisë publike. Nëse nuk veprojnë Majko dhe Braçe, i takon Kuvendit dhe Gramoz Ruçit që të mbledhë deputetët nga pushimet dhe me një ligj me vetëm një paragraf të thuhet se ndalohet hyrja në teatër dhe më pas të gjendet një zgjidhje”.
Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë ngritur dyshime për personat e paautorizuar që kanë hyrë brenda godinës dhe i tremben ndonjë incidenti të qëllimshëm për të dëmtuar teatrin.