Maliqi për “KJ”: Bashkë me virusin, do largojmë tepsinë dhe timonin e piktorit të Surrelit

Deputeti i opozitës parlamentare Lefter Maliqi shpërthen në akuza ndaj qeverisë dhe vetë kryeministrit Edi Rama, lidhur me mënyrën se si ai po e menaxhon krizën e krijuar nga shpërthimi I pandemisë së koronavirusit në Shqipëri.

Bisedoi: Herion Mesi

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Maliqi deklaron se shqiptarët bashkë me virusin si e keqe e madhe për njerëzimin, do largojnë dhe tepsinë e timonin e piktorit të Surrelit, i cili sipas Maliqit dhe në këtë situatë fatkëqësie, ashtu si dhe pas tërmeteve, vetëm aktron e bën show. Asgjë s’bën për njerëzit në nevojë dhe për vendin.

 

Intervista e plotë me deputetin Lefter Maliqi

Z. Maliqi gjatë kësaj situate që krijoi pandemia, opozita është shprehur për testime masive dhe mungesë transparence. Ju si e shikoni planin e qeverisë për përballimin e krizës?

Në radhë të parë në Shqipëri ekzistojnë tre realtete: 1) Realiteti i Surrelit, 2) Realiteti i Oligarkëve, 3) Realiteti i njerëzve të varfër, pa mbështetje, që është 90%. Me besim në Zot, kjo fatkeqësi botërore do kalojë dhe ju uroj shëndet të plotë për shqiptarët. Kam besim që bashkë me virusin si e keqe e madhe për njerzimin, do largojmë dhe tepsinë e timonin e piktorit të Surrelit, i cili dhe në këtë situatë fatkëqësia, ashtu si dhe pas tërmeteve, vetëm aktron e bën shoë, dhe asgjë s’bën për njerëzit në nevojë dhe per vendin. Përkundrazi, i doli boja nga mashtrimet, pasi vetëm lyp borxhe në Europë e botë, si dhe në vend të mbështetjes dhe solidarizimit e humanizmit, ndjell panik e terror në popull me gjoba e ndëshkime kudo.  Opozita i ka afruar mbështetje Qeverisë dhe me plan konkret ekonomik për të zgjidhur krizën në mbështetje të biznesit dhe njerëzve në nevojë, si dhe për testime, por piktori i Surrelit nuk dëgjon asnjë, por përkundrazi, dhe në këto ditë të vështira bën tendera madje dhe sekrete me oligarkët. Babëzia e tij s’ka te ngopur.

Ndërkaq, qeveria “Rama” ka marrë dhe disa vendime ligjore siç është ai për lirimin masiv të të burgosurve, gjobat e shumta ndaj qytetarëve të cilat pritet të ashpërsohen edhe me ndërhyrjet ligjore që ajo po parashikon të bëjë në Kodin Penal. Në fakt a kemi të bëjmë me vendime në shkelje të Kushtetutës dhe cënimit të të drejtave të njeriut?

Amandamentet për ndryshime në Kodin Penal për dënime me burg deri në 15 vjet për përhapësit e virusit janë shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës. Po kështu, veprim antikushtetues e kriminal, i dënueshëm ishte dhe mbyllja e kufirit tokësor ku dhjetëra e qindra shqiptarë qëndruan me ditë në kufirin me Greqinë dhe Malin e Zi, derisa iu dha zgjidhje. Ditë më të mira për  shqiptarët, për mirëqenien, sigurinë dhe demokracinë. Këto fatkeqësi si tërmetet dhe pandemia na bëri më të fortë dhe na njohu me vlerat e gjithsecilit dhe me vlerat familjare, por na njohu me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e qeverisë së timonit dhe tepsisë së Rilindjes së famshme, që u vrau shpresat për mbështetje, drejtësi e mirëqenie. Në të dy fatkeqësitë keni parë vetëm aktrim, shoë, sa u doli boja dhe mbetën vetëm duke marrë në Europë e botë borxhe dhe asgjë s’kanë bërë për vendin. E patolerueshme, kemi një Kryeministër që drejton nga Surreli, që përhap panik e ndjell terror, duke thënë vetëm fjalën “Burg-burg”. I mbushi burgjet me të varfër e opozitarë, dhe tani gjoba e ndëshkime për njerëzit në nevojë, kufizime të pakuptimta. Nxjerrja nga burgu e qindra të burgosurve është bërë me shkelje e abuzim. Vjen era korrupsion, pasi janë bërë seleksionime sipas ndërhyrjeve, ku dhe emisionet televizive kanë bërë denoncime. Jam dakort që të burgosurve t’u bëhej testimi dhe nuk mund të përhapej virusi, pasi dhe policët e burgjeve dhe personeli do ruanin distancën, dhe të burgosurve në këtë kohë fatkeqësie u janë ndaluar takimet me familjarët dhe s’kishin ku ta merrnin virusin, por kjo është “KÇK”, të kapin çfarë të kapin me tenderat dhe me të burgosurit, pasi po u vjen fundi do largohen bashkë me virusin. Të mos harrojmë se jemi në vit elektoral pas kësaj fatkeqësie, opozita e bashkuar, socialistët e zhgënjyer do ngrihen për fatet e vendit dhe mbrojtjen e demokracisë, zgjedhje lokale dhe parlamentare në një ditë.

Ju do merrni pjesë në seancën plenare e 16 prillit?

Po do të marr pjesë në seancën parlamentare me dt 16, megjithëse parlamenti është i kapur dhe është bërë qesharak, ku voton në bllok vendimet e Surrelit. Në parlament vetëm 2 orë seancë do jetë, ku 70 minuta i ka mazhoranca, 55 minuta opozita, kurse deputetët e pavarur të gjithë bashkë 5 minuta. Pra 1 minutë secili dhe në Koren e Veriut nuk vendosen këto diktate, por të gjithë po e shohim që zgjedhjet lokale janë moniste njëpartiake, parlamenti i kapur, pjesa më e madhe e mediave të kapura, drejtësia e kapur, pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë. Ky piktor me ëndrra diktatori, të cilit i doli boja, nxori dhe ushtrinë në rrugë për terror ndaj popullit, ky piktor nuk pyet për parlament, pasi ne jemi republikë parlamentare dhe ushtria nxirret vetëm me vendim të Parlamentit dhe gjendjen e jashtëmzakonshme e voton parlamenti.

Si e shikon ridaljen e shqiptarëve nga karantina?

Keqardhje për shqiptarët për këtë fat të keq që ju ra me këtë piktor dështak, të papërgjegjshëm, të lig e intrigant në këto ditë të vështira dhe uroj që bashkë me këtë fatkeqësi të largojmë në vjeshtë dhe fatkeqësinë më të madhe që ju ka sjellë fatkeqësi të tjera shqiptarëve varfëri, krim, drogë, korrupsion, shpopullim, pasiguri etj.

SHKARKO APP