Manastirliu i përgjigjet Zhupës në interpelancë për 14-vjeçarin e vrarë
Deputetja Ina Zhupa ka thirrur interpelancë me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës Fan Noli.
Në fjalën e saj, Manastirliu iu drejtua Zhupës se mënyra se si po e trajtojnë këtë çështje, tregon se nuk ka ndjeshmëri për një ngjarje kaq tragjike, ndërsa e akuzoi se gjithçka po e përdor për karrige.
“Kam folur që në momentin e parë në këtë foltore dhe në të njëjtën ditë. Qëndrimin tim e kam thënë, gjuha e urrejtjes, kanosja me fjalë janë shembulli më i keq që mund t’u japim fëmijëve, nisur nga kjo sallë. Ju zonjë deputete nuk vonuat ta jepnit shembullin thuaj të keq, e bëtë dhe seancën e shkuar.
Fyeve rëndë një deputet të këtij kuvendi. Po flas si grua e si nënë. Interesi yt nuk ishte të flisje për masat e marra, nuk ishte të jepte kontribut që problemet të gjejnë zgjidhje. U ngrite këtu dhe përdore gjuhë fyese, u tregove fëmijëve se me çfarë gjuhe u drejtohesh ti nga anët e tua. Qytetarëve u ka ardhur turp kur të kanë dëgjuar, u ngrite për të folur për problemin dhe u bërë ti problemi.
U ngrite në foltore për të folur për bullizmin dhe tregove që je bulliste. Njeriu më në hall je ti, në hall për një karrige. Është e nevojshme të vendos një pasqyrë përpara, shembulli që përcillet këtu lidhet direkt me fëmijët. Ajo ngjarje na ka prekur të gjithëve. Përsëris thirrjen time për të mos e politizuar një ngjarje që nuk është politikë. Nëse duam ta parandalojmë në të ardhmen, duhet që secili të bëjë pjesën e vet me përgjegjshmëri.
Të shfrytëzosh dhimbjen e të tjerëve do të thotë ta kesh ndjeshmërinë zero. Dhimbjen e respektojmë për të luftuar shkaqet e problemave. Të mos e marrësh hallin e tyre dhe ta kthesh në cirk politik. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dhe përgjegjësi për krijimin e hapësirave të shëndetshme për fëmijët. Këto ngjarje kërkojnë zgjidhje serioze. Kujtojmë se në këto vite ka pasur vëmendje maksimale për të ngritur në nivel më të lart masën për sigurinë e nxënësve dhe forcimin e sinjalistikës rrugore”,-u shpreh Manastirliu.