Ylli Manjani: Arrestimi pa prova i Veliajt është katastrofë, vë në diskutim standardin demokratik të vendit

I ftuar në emisionin “Opinion”, avokati dhe juristi i njohur Ylli Manjani ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Manjani theksoi se arresti me burg zbatohet vetëm nëse ka prova, në të kundërt është vënë në diskutim standardi demokratik i vendit.

“Unë i qëndroj të njëjtës pikëpamje për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë. Gjendja është katastrofë për të gjithë pa përjashtim. Ka një spekulim të masës së sigurisë së arrestit me burg, edhe për shkak të kaosit të ligjit, që pas reformës në drejtësi është përkeqësuar, ashtu edhe për shkak të një politike represive veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme.

Arresti lidhet me një gjendje faktike, një gjendje emergjence, është një gjë e jashtëzakonshme, që ndodh aty për aty. Personi arrestohet kur kapet me presh në duar.

Në çdo rast tjetër arresti me burg është kufizim lirie, dhe mund të ndodhë vetëm në rastin kur personi ka aq shumë prova ndaj atij saqë nuk justifikohet më statusi i personit në hetim, por direkt i pandehur. Ky është dallimi i madh.

Arresti zbatohet vetëm përkundrejt provave që e faktojnë komplet akuzën. Asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë nuk duhet të futet në burg pa prova.

Kjo është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk e luan as topi. Nëse ne vëmë në diskutim këtë gjë, kemi vënë në diskutim standardin demokratik të shtetit demokratik”, theksoi Manjani.

Mësohet që seanca për vlerësimin e masës së sigurisë mësohet të jetë karakterizuar nga debate të forta mes Veliajt dhe një prej prokurorëve të çështjes, Olsi Dado. Kryebashkiaku ka pretenduar se prokurori është nxitur nga motive personale, sepse atij i është mohuar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Veliaj ka kërkuar që t’i hiqet “arresti me burg” kundrejt garancive pasurore, por kërkesa e tij nuk është marrë në konsideratë.

Kryebashkiaku Veliaj është dërguar në qelitë e burgut të Durrësit.

SHKARKO APP