Manjani ironizon Ramën: Ai është rindërtuesi dhe shpikësi i vaksinës. Pa atë jo pushteti, por as jeta s’ka kuptim…
Nga Ylli Manjani
Papërgjegjësi…
******
Edhe një fakt interesant.
Për Gent Cakën dhe Sandër Lleshin, Edi Rama hapi luftë me Presidentin e Republikës. I pari madje ishte një “leximtar” i spikatur… Një luftë që shkoi deri në Venezzia.
Sot,më pak se 2 vite më vonë, asnjërin nuk e ka as kabinet,as në listë, as në krah e as në refé madje.
Nuk është aspak qëllimi të shpreh ndonjë konsideratë për Gentin apo Sandrin, por për të ilustruar inkonseguencën e atij që vendos në emrin tonë.
Cilin Edi Ramë të besojë publiku?! Atë të para 2 viteve apo këtë të sotmin?!
Kjo inkonseguencë, në një kohë të shkurtër për më tepër, tregon dukshëm një mungesë të frikshme stabiliteti llogjik. Për pasojë përgjegjësia publike e politike nuk rri dot tek një person i pastabilizuar.
Destabilitet dhe orientim llogjik që përpiqet ta mbulojë me dhunë verbale, bullizëm, fyerje dhe sjellje arrogante ndaj çdo gjëje normale. Fushata elektorale është thjesht skenografia e shprehjes pa asnjë ndjesi turpi të veprimeve të tij agresive.
Vini re me vemendje, Ai është në luftë me të gjithë, kur askush nuk po e sulmon!
Ai nuk ka më vazhdimësi logjike. As nuk lodhet të lidhë atë që thotë me atë që bën. Ç’thotë tani e mohon pastaj.
Pyetja që ngrihet është serioze.
Kush garanton se atë që thotë sot ai i beson dhe vetë?! Fjala vjen a e do vërtetë mandatin e tretë?!
Me sasinë e fjalëve e gjesteve fyese, bulliste, seksiste, sado-masikiste që përdor vetëm mungesë stabiliteti tregon. Mungesë besimi dhe qartësisht mungesë marrje përgjegjësie për veprimet e veta.
Përgjegjësi publike e politike, as bëhet fjalë të marrë ky me këtë gjendje. Se ka marrë ndonjëherë këtë gjë, sepse ne jemi dëshmitarë që të gjithë kanë qenë “fajtorë”. Nano, Meta, Saliu, Luli madje edhe Petro Koçi, Kastrioti e Ylli Bufi po e po, Ditmiri, Fatmiri, Vasilika, Besniku.
Të gjithë.
Vetëm ai kurrë nuk pati faj për asgjë…
Në kushte papërgjegjësie i bën dëm. Fatkeqsinë e tjetrit Ai e shet si fitore të tij…
Vini re çfarë shet si arritje!
Tërmetin dhe COVIDIN.
Asgjë njerëzore, vetëm fatkeqsi!
Ai është rindërtuesi. Ai është dhe shpikësi vaksinës. Pa atë jo pushteti, por as jeta ska kuptim…
Rëndë, shumë rëndë.
Në këtë rast nuk është thjesht halli i Tij, por atyre që ende i shkojnë pas. Është fjala për ata shqiptarë që karikohen nga Ky për të shqyer cilindo shqiptar tjetër.
Ata duhet të kuptojnë sa më shpejt dëmin që i bëjnë vendit, të tjerëve dhe vetes.
****
P.S. Ky është vëzhgim pa asnjë interes elektoral. Nuk ka pse të merret as si dëm e as si favor për asnjërën palë, por si shqetësim për nivelin e papërgjegjshmërisë politike që sundon në vend.