Manjani: PS-PD nuk mjafton për konsensus, faleminderit Venecia!
“Votimi i 21-22 Korrikut tregoi se marrëveshja PS-PD nuk mjafton për të pasur konsensus! Kështu që faleminderit Venecia”. Kështu shkruan ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një koment të tij të fundit, publikuar në rrjetet sociale.
Ja shënimi i plotë i tij:
“Dje nëpërmjet një letre zyrtare, falenderova Komisionin e Venecias dhe zotin Gianni Buquicchio. Kontributi i këtij think-tank, më i miri i rruzullit, ishte i jashtëzakonshëm! Na kushtuan vëmendje me shumë seriozitet pavarësisht krizës kushtetuese në Poloni e Hungari (anëtare të BE) dhe krizës së zakonshme në Turqi. Për dy raportet e ndërmjetme dhe raportin final, faleminderit Komisionit të Venecias!
Kushtetutën e ndryshuam edhe plot katër herë të tjera para datës 21 Korrik! Ndërsa në 2008 ndryshuam ekuilibrin e pushteteve, Republikën e bëmë me kryeministër të fortë dhe me Parlament 100% partiak! Të djegur nga qumështi i zgjedhjes së Presidentit me vota të trafikuara, i frymë kosit të shumicës se reduktuar. Në asnjë rast e për asnjë çështje të tillë nuk e pyetëm më parë Komisionin e Venecias! Marrëveshjet PS-PD i quajtëm më të rëndësishme…!
Por, votimi i 21-22 Korrikut tregoi se marrëveshja PS-PD nuk mjafton për të pasur konsensus! Kështu që faleminderit Venecia!”.
LETRA
I nderuar zoti Buquicchio,
Në radhë të parë më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë për Komisionin e Venecias dhe për Ju personalisht.
Si Ministër i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, dëshiroj të shpreh falenderimin tim personal, për gjithë punën e kryer nga Komisioni i Venecias nëpërmjet opinioneve të vyera, në lidhje me procesin e reformës në drejtësi në vendin tim.
Siç dhe mund të jeni vënë në dijeni, javën e kaluar Parlamenti i Shqipërisë, miratoi me konsensus të plotë ndryshimet kushtetuese, konsensus i cili është fryt i rekomandimeve të këtij Komisioni, i cili e vuri theksin tek bashkëpunimi ndërmjet palëve dhe aktorëve politikë në lidhje me këtë proces.
Nëpërmjet kësaj letre, dua gjithashtu të nënvizoj faktin që nëpërmjet rekomandimeve të dhëna për institucionet shqiptare, Komisioni i Venecias rikonfirmoi edhe njëherë se mbetet një institucion i pazëvendësueshëm në rolin e tij dhe që përmbushi pritshmëritë lidhur me profesionalizmin dhe paanshmërinë, në një proces sa delikat e të vështirë, aq edhe vendimtar për Shqipërinë, siç është reformimi i sistemit të drejtësisë.
Shpreh bindjen se Komisioni i Venecias mbetet niveli më i lartë i ekspertizës së konstitucionalizmit dhe jurisprudencës kushtetuese dhe jo vetëm.
Një fakt tjetër për të cilin Ju jam mirënjohës është mundësia që më ofruat për t’u takuar personalisht me Ju, ku patëm kohën e mjaftueshme për të ndarë së bashku mendime shumë të vlefshme, të cilat më shërbyen shumë personalisht, por njëkohësisht sollën një vlerësim dhe nga forca politike që unë përfaqësoj në kabinetin qeveritar, mbi qëndrimet konsistente që ne mbajtëm gjatë procesit të miratimit të reformës kushtetuese në Parlamentin e Shqipërisë.
Mbetem po kaq i bindur se reforma që po realizojmë nuk do të ishte e suksesshme dhe afatgjatë nëse nuk do të ishte gjithëpërfshirëse, jo vetëm formalisht, por edhe substancialisht duke konsideruar çdo kontribut dhe impakt pozitiv të dhëna nga të gjithë aktorët.
Shpreh gadishmërinë për të ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin e ndërsjelltë, si dhe për të kërkuar që eksperienca e Komisionit të Venecias të na shërbejë edhe në çështje të tjera të ndjeshme për Shqipërinë, siç është reforma e çështjes së pronave, reforma zgjedhore apo çështje të tjera delikate për të cilat nevojitet gjithmonë mendimi i specializuar dhe i paanshëm i institucionit që Ju përfaqësoni.
KOHA JONË SONDAZH

