Maqedoni – Presidenti Ivanov i jep sot mandatin Gruevskit për formimin e Qeverisë
Gjatë ditës së sotme, politika maqedonase pritet të hedhë hapin e parë drejt formimit të qeverisë së re.
Presidenti i vendit George Ivanov në bazë të Kushtetutës, do ti japë mandatin partisë që fitoi zgjedhjet VMRO-DPMNE për formimin e Qeverisë.
Sot është afati i fundit që Ivanov duhet ta kryejë këtë detyrim kushtetues.
Nikolla Gruevski do të jetë ai që sipas VMRO-DPMNE do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë dhe do të zhvillojë bisedimet, me ç’rast afati i fundit që kjo parti të gjejë partnerë për bashkëqeverisje është 29 janari.
VMRO-DPMNE sipas numrave që ka fituar në zgjedhje pritet të fillojë bisedimet me BDI, e cila ka 10 deputetë dhe me të cilën mund të formojë Qeverinë e pakicës.
Për të formuar qeverinë duhet 61 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë.
Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, VMRO-DPMNE fitoi 51 deputetë, LSDM 49, BDI 10, BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë. (INA)
KOHA JONË SONDAZH

