Marrëveshja e Uashingtonit, Biberaj: Nga Shtëpia e Bardhë sot nuk doli tym i bardhë për Kosovën! Serbia ka fituar më shumë
Ish-Zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj në një analizë të tijën të marrëveshjes së nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, akt ky që u mbajt në prani të Presidentit Donald Trump, shprehet se Kosova ka humbur më shumë, ndërkohë që Serbia ka fituar më shumë!
Ndaj Biberaj shprehet se nga Shtëpia e Bardhë sot nuk doli tym i bardhë për Kosovën, pasi sipas tij, asnjë marrëveshje tregtare nuk e zgjidh problemin e njohjes së Kosovës nga Serbia! në këtë kontekst, ai thotë se heqja e njohjeve reciproke Kosovë-Serbi nga draft-marrëveshja nuk duhej pranuar kategorikisht nga delegacioni kosovar!
Reagimi i plotë i Aleksandër Biberaj
Të dashur miq,
Sot Kosova, gjykoj, se humbi një shans historik për t’u njohur nga Serbia me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në praninë edhe të presidentit amerikan Donald Trump. Shkurtimisht po i bëj një analizë me pika marrëveshjes:
1) E para, heqja e njohjeve reciproke nga drafti ishte një gabim fatal, të cilën delegacioni shqiptar nuk duhej ta pranonte kurrsesi, dhe gjithçka duhej të negociohej vetëm rreth njohjes së Kosovës nga Serbia.
2) Diskutimi i ujërave të Ujmanit dhe ndarja “share” e tyre me Serbinë është komplet në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, pasi e fut Serbinë në pronësi të territorit të Kosovës, duke cenuar Kushtetutën si dhe tërësinë territoriale të saj.
3) Fizibiliteti për daljen e Serbisë në det që implikon edhe Shqipërinë është komplet në interes të Serbisë. Atë që Serbia s’e arriti ndër shekuj me luftëra synon ta arrijë me marrëveshje, ku në prapaskenë qëndron patjetër edhe Edi Rama.
4) Diversifikimi i operatorëve të energjisë në Kosovë nënkupton futjen e operatorëve serb në Kosovë gjë që shkon në favor të Serbisë.
5) Moratoriumi për frenimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare ishte gabim fatal.
6) Futja në marrëveshje e çështjes së manastireve, pronave dhe infrastrukturës së tyre është komplet e panevojshme, pasi vetëm sa rrit pushtetin dhe shton pronat e manastireve ortodokse në Kosovë.
7) “Minishengeni Ballkanik” shkon më shumë në favor të Serbisë se sa të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse bëjmë një bilanc fare të thjeshtë, siç edhe duket lehtë, shumica e pikave të marrëveshjes janë kërkesa të serbëve të pranuara nga delegacioni shqiptar. Ndërkohë që përveç paragrafit që frenon agresionin/fushatën serbe të anti-njohjeve të reja/vjetra të Kosovës, nuk kuptohet se çfarë kërkesash të tjera të shqiptarëve janë në atë marrëveshje. Pra, duket qarte që ka një dis-proporcionalitet që anon dukshëm nga Serbia. Siç edhe kisha paralajmëruar disa herë, delegacioni shqiptar shkoi në këtë takim komplet i papërgatitur dhe me tepër urgjencë, ndërkohë që e kundërta me sa duket ka ndodhur me delegacionin serb. Po të kujtojmë vetëm se çfarë ndodhi gjatë 24 orëve të fundit e kuptojmë se sa të papërgatitur shkojmë ne shqiptarët në takime kaq të rëndësishme ndërkombetare dhe pa lobim. Mbrëmë në këtë kohë doli para Shtëpisë së Bardhë Ministri Serb i Financave dhe denoncoi duke kërcenuar paragrafin që parashikonte njohjen reciproke Kosovë-Serbi, gjë që edhe u hoq nga marrëveshja. Fatkeqësi kombëtare që ne shqiptarët vazhdojmë dhe paraqitemi kaq dobët në arenën ndërkombëtare, të kompleksuar dhe shumë inferiorë. Siç duket po realizohet doktrina e Vuk Drashkoviçit, i cili thoshte para shumë viteve që:
“Ne Kosovën e kemi humbur, por do ta fitojmë duke u afruar me ata që na e morën”.
Është e pafalshme dhe e patolerueshme që ata që kryen krimet më monstruoze para 22 vitesh në Kosovë dhe Ballkan, të ulen sot në tryezë me viktimat që jemi ne shqiptarët, dhe të dalin më të fituar se ne nga kjo marrëveshje. Natyrisht, për Presidentin Trump dhe stafin e tij kjo marrëveshje konsiderohet arritje dhe sukses elektoral, pavarësisht se Kosova “nuk është shtet mysliman dhe nuk ndodhet në Lindjen e Mesme”. Por në të gjithë këtë histori ka një gjë të mirë, që ajo marrëveshje nuk ka fuqi juridike dhe njohja e Kosovës nga Izraeli. Zoti e ruajtë dhe e bekoftë Kosovën dhe popullin e Kosovës!