Luan Rama: Marrëzia nuk ka nevojë për noter…

Nga Luan Rama*

Edhe pse në fakt ngjarja është e vërtetë, pra është e vërtetë që një juriste, kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, pa e emëruar askush është betuar në shtepi ( mund të hamendësojmë se më e pakta me veten e saj !), dhe pasi e ka shkruar ketë gjë në një copë letër ka shkuar dhe ka nënshkruar para noteres, jam përpjekur të mos e besoj dhe as të mos e pranoj se mund të ketë juristë me sado pak formim dhe vetëdije profesionale, që mbërrin deri në keto caqe a skuta të lajthitjes a marrëzisë njerëzore.

E për t’i dhënë të drejtë vetes në këtë qasje mosbesuese, kam pyetur dhe jam këshilluar me shumë juristë, me pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë, me konstitucionalistë, civilistë, profesorë e doktorë të jurisprudencës dhe edhe me psikologë, sociologë e mjekë, të cilëve u jam drejtuar me pyetjen: si ka mundësi që të ketë juristë të tillë? Dhe të gjithë në fakt më kanë dhënë sipas mënyrës së tyre të të shprehurit të njejtën përgjigje: degradim i inteligjencës!

Nëse është kështu, cila është cilësia profesionale dhe intelektuale e përzgjedhjes, aq më tepër kur është fjala për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese? E më shume se kaq, cila është cilësia dhe integriteti i vetë trupës përgjedhëse?! Se, nëse një jurist nuk fiton dot të drejtën për në shkollën e magjistraturës edhe prej mosplotësimit të kritereve të testit të inteligjencës, si mund të kualifikohet prej KED-së ( Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese?!

Mirëpo, nuk është gjykatësja e noterizuar arsyeja se përse iu referova këtij fakti apo kësaj ngjarjeje, paradoksalisht të vërtetë. Sepse nuk dua të merrem me juristen që pretendon se është anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi ka punuar më parë këshilltare në këtë gjykatë e madje, paska qenë edhe në grupin e punës së ekspertëve të lartë të reformës në drejtësi.

Njeriu është i lirë edhe që ta zgjedhë vetë mënyrën se si do t’u dëshmojë të tjerëve se kush është e sa është, me apo pa nënshkrim para noterit.

Po për një tjetër arsye po e sjell në vëmendjen tuaj shembullin në fjalë që fatkeqësisht ka për protagoniste një zonjë ( për të cilën dua të besoj se nuk zgjodhi vetë të shkojë tek noteri, paçka se edhe të pranosh të të përdorin për inskenime të tilla është dëshmi e një mjerimi të madh intelektual), sepse nëse dikush do që të na dëshmojë mjerimin e vet intelektual dhe profesional, a mundet që të rrëmbehet prej marrëzisë edhe një tufë me njerëz si KED apo edhe vetë Kuvendi me shumë më tepër të tillë?!

Parimisht jo e, afërmendsh nuk ka se si të ndodhë, pasi lajthitja nuk është ngjitëse si gripi fjala vjen, apo si hepatiti e mjaft sëmundje të tjera.

Mirëpo, faktikisht e vërteta është imponuese dhe sado të përpiqemi ta mbulojmë apo ta fshehim, ajo është aty; është në KED, është edhe në Kuvend. E më shumë se sa në KED dhe në Kuvend, është atje ku projektohen dhe urdhërohen marrëzi të tilla papërgjegjshmërie në raport me shtetin dhe me Kushtetutën; është në kryeministri! Marrëzi dhe lajthitje bashkë. E sado skeptik a mosbesues të duash të jesh, ata nuk të lenë, ata të imponohen dhe ulërasin: ja ku jemi!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon pa asnjë ekuivok, por qartë dhe shqip në nenin 129 të saj:
“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.
Sipas këtij neni, këtu nuk ka më vend as për interpretim, as për koment dhe as për diskutim. Madje nuk ka vend as për noter. Por, vetëm për zbatim. Zbatim korrekt dhe me pergjegjësi kushtetuese!

A ka ndonjë njeri, qoftë edhe me sado pak njohuri për të lexuar dhe kuptuar në shqip, që nuk e lexon dhe nuk e kupton dot këtë që thuhet në nenin 129 të Kushtetutës?

Logjika t’a do të thuash që nuk ka, mirëpo ja që kur është fjala për KED-në dhe parlamentin tonë, logjika nuk të ndihmon, nuk të hyn në punë.

Por, nëse nuk këmbëngul për të mos thënë se nuk ka budallenj në Kuvend, këmbëngul e them me bindje se nuk ka të atillë në KED.

E dhimbshme, alarmuese e tragjike është që ndër deputetët, bashkë me budallenjtë, votojnë njësoj edhe juristë, edhe profesorë, edhe miq e kolegë të mitë, me të cilët kemi punuar e luftuar bashkë që prej themelimit e tëhu në Partinë Socialiste.
Në fund të fundit, të gjithë deputetë janë!

Po, janë, por përveçimi kërkon të tjera cilësi. E dallimi mes betimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese para Presidentit të Republikës, siç thotë Kushtetuta më parë se të fillojë ushtrimin e detyrës, apo betimit në shtëpi para pasqyrës, në rrugë a kafene e gjithkund tjetër që të shkosh më pas tek noteri, është i mjaftueshëm për të kuptuar diferencat apo për të gjetur ngjashmëritë.

*Zëvendëskryetar i LSI

SHKARKO APP