Masat për festat, ministrja Koçiu: 2 mijë personel shëndetësor janë në gatishmëri të qytetarëve

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu thotë se janë afro 2 mijë personel shëndetësor që do të jenë në gatishmëri për qytetarët gjatë ndërrimit të viteve.

”Do të jenë në gatishmëri të gjitha strukturat shëndetësore në të gjithë vendin, përfshirë këtu spitalet rajonale dhe bashkiake, por jo vetëm edhe strukturat e sistemit parësor. Janë 31 struktura të sistemit parësor që do të jenë në gatishmëri përgjatë festave të fundvitit. Janë afro 2 mijë personel shëndetësor, mjekë dhe infermierë të cilët do të jenë në gatishmëri për të shërbyer për çdo nevojë që mund të kenë qytetarët gjatë ndërrimit të viteve”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu e vuri theksin dhe tek urgjentat pediatrike për fëmijët, të cilat tha se janë 4 qendra shëndetësore në Tiranë që do e ofrojnë këtë shërbim gjatë ndërrimit të viteve.

”Janë 4 qendra shëndetësore në Tiranë, të cilat do të ofrojnë urgjencën pediatrike për të gjithë të vegjlit. Pra, kushdo që ka një urgjencë pediatrike me fëmijët e tij, t’i drejtohet qendrave shëndetësore do të jenë të hapura 24 në 7 përgjatë gjithë sezonit, jo vetëm gjatë fundvitit. Qendrat shëndetësore që janë të hapura, ajo Nr.6 në Kombinat, Qendra Shëndetësore Nr.7 pranë Oxhakut, Qendra Shëndetësore Nr.8 pranë sheshit Wilson apo Tiranës së Re dhe Qendra Shëndetësore Nr.10”.

SHKARKO APP