Mazhoranca ka hallin e pushtetit, jo të tërmetit!

Tragjedia e tërmetit dhe kriza ekonomike janë shqetësimet kryesore që po kalon sot Shqipëria. Dhjetra mijëra banorë janë të pastrehë, mijëra banesa janë shkatërruara. Biznesi dhe ekonomia po japin shenjat e para të një krizë ekonomike, që edhe për shkak të tragjedisë, do të jetë më e dukshme në muajt e parë të vitit 2020. Shqiptarët janë me sytë nga qeveria dhe presin që taksat që kanë paguar të përdoren në mënyrë të barabartë për t’i nxjerrë nga bataku. Ndërkombëtarët po mbajnë në këmbë një qeveri që kishte njëmijë probleme, por në krizën aktuale u duhet dikush që t’i koordinojë ndihmat që po japin. Madje dhe opozita ka hallin sesi qeveria duhet të përballojë krizën dhe këto ditë ka zgjedhur heshtjen. Të gjithë shqetësohen, me të drejtë, për gjëmën që solli në Shqipërinë me njëmijë probleme, tërmeti. Të vetmit që nuk kanë hallin e tërmetit, por të pushtetit janë në qeverinë “Rama”.

Mënyra sesi zyrtarët e qeverisë dhe Rilindja është sjellë pas datës 26 nëntor tregon se shqetësimi për fatkeqësinë natyrore është vetëm një fasadë. Halli i Rilindjes duket se është gjetkë, si të forcojë pushtetin, si të mbyllë gojën e medias, si të marrë më shumë kompetenca dhe me buxhetin e shtetit që po shpërndajnë si të përgatisë terrenin për fitoren e zgjedhjeve të tjera. Këto ditë kur gjendja e fatkeqësisë natyrore është shpallur në qarqet më të mëdha të vendit, Tiranë, Durrës, Lezhë, qeveria nuk ka humbur kohë të vijojë me nisma anti ligjore. Në Parlament janë çuar për miratim dy ligje që godasin direkt lirinë e medias. Projekti që synon të ndalojë Fake Neës edhe pse niset nga një parim i drejtë, pasi mashtrimi i mediave është i dënueshëm, në fakt bllokon lirinë e fjalës. Pjesa që goditet më shumë nga ky ligj janë mediat online. Këto janë të vetmet që kanë bërë revolucion në informacion këto vite. Ndërsa televizionet nuk duhen qeverisë. I ka shumicën prej tyre dhe nuk e ka problem t’i kontrollojë. Nuk ka mbetur organizatë ndërkombëtare që nuk ka kundërshtuar fort këto ligje. Asnjë gazetar nuk e mbështet këtë nismë, përfshirë dhe ata që janë afër qeverisë. Megjithë këto kritika qeveria nuk heq dorë nga miratimi, madje dhe në mes të fatkeqësisë natyrore. Reagimi i medias kundër këtij ligji po mbytet nga propaganda e qeverisë për batanije në zonat e prekura nga tërmeti dhe për batutat e kryeministrit me hallexhinjtë në Durrës, Laç dhe Tiranë. Veç medias, në kulmin e fatkeqësisë natyrore PS nuk ka humbur kohë të hartojë dhe projektligje që marrin kompetencat e Presidentit të Republikës. Dy projekte për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, prokurorëve të SPAK etj, njohin në mënyrë ligjore betimin te noterja buzë Lanës dhe jo betimin para kreut të shtetit, siç përcakton Kushtetuta.

Qëllimi i këtyre nismave është që PS dhe qeveria të mos kenë asnjë pengesë në emrat që zgjidhin për në institucionet e reja të drejtësisë. Në këtë mënyrë, qeveria merr kontroll të plotë të gjithë pushteteve, pasi ka marrë prej kohësh Kuvendin, bashkitë, mediat, biznesin dhe shoqërinë civile. Kreu i Komisioni të Ligjeve, Ulsi Manja tha dje se projektet që marrin kompetencat e kreut të shtetit do të kalojnë me nxitim në Kuvend. PS i duhen 84 vota, e cilat me deputetët që u blenë si në Pazarin e Milotit, i dalin dhe i teprojnë. Nuk është çudi që këto ditë Kuvendi të mblidhet dhe me emergjencë për të miratuar ndryshimet ligjore, të cilat nxjerrin jashtë loje dhe Kushtetutën. Ajo që çudit në këto nisma është fakti se Rilindja shfrytëzon edhe fatkeqësitë natyrore për të arritur qëllimet e saj. Gjithë deputetët që duhet të ishin pranë banorëve apo do hartonin nisma që rregullojnë problemet me ndërtimet dhe emergjencat, këto ditë vrasin mendjen sesi të marrin hajdutshe kompetencat dhe si të çimentojnë pushtetin e Rilindjes. Nëse më parë nisma të tillë ishin ideuar të gabuara, sot mund të quhen kriminale. Krime morale dhe ligjore. Në situatën e fatkeqësisë natyrore nuk mund të ndryshohet Kushtetuta. Në situatën e tragjedisë kombëtare nuk sulmohet media dhe gjithë pushtetet e tjera për të garantuar pushtet pa kufi për qeverinë. Por mesa duket kjo mazhorancë nuk ka hallin e qytetarëve dhe të pasojave të tërmetit, por vetëm pushtetin.

Me sa shikohet kryeministri do bëhet gjithnjë e më i fuqishëm dhe i rrezikshëm, edhe se ka një opozitë që nuk po bën opozitë.

Mili Xhani

SHKARKO APP