Mazhoranca-Nishanit: Rihap garën për gjyqtarët

Ndryshe nga sa u panë si zgjidhje e ngërçit Presidencë-mazhorancë për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, ndryshimet ligjore për emërimet në të kanë thelluar konfliktin mes tyre.

Mazhoranca, që në seancën e parafundit parlamentare miratoi ngritjen e një këshilli konsultativ pranë presidentit me përbërjen e krerëve të institucioneve të drejtësisë, i kërkon Bujar Nishanit t’i përmbahet këtyre ndryshimeve në këtë proces.

Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili kanë këtë kërkesë në thelb të letrës së gjatë dërguar presidentit, kërkesë që ata e përkufizojnë si sugjerim kur i shkruajnë kreut të shtetit: “Të rihapet procesi i kandidimit në funksion të ndryshimeve të reja të ligjit për Gjykatën e Lartë”.

Proçedura e re ligjore parashikon që është Këshilli i Emërimeve ai që bën raportin vlerësues për kandidatët, përpara se presidenti të shpallë dekretet për emrat e tyre.

Por ndryshimet e reja ligjore u shpërfillën nga presidenti kur katër ditë përpara mbylljes së vitit ai iu drejtua me një letër krerëve të grupeve parlamentare për konsultim me ta, bazuar në ligjin e vjetër.

Kjo lëvizje e Bujar Nishanit u bë në një kohë kur ai nuk është shprehur për ndryshimet e reja ligjore që i kanë shkuar për dekretim në tryezën e tij.

Mbi këtë situatë, mazhoranca ashtu siç pritej i është drejtuar me kërkesën që për 3 vendet vakante në Gjykatën e Lartë, Bujar Nishani të bazohet në ndryshimet e reja ligjore.

Këto ndryshime, në besimin e mazhorancës, do të sigurojnë emërimin me transparencë të profesionistëve me integritet dhe do të ulin ndikimin politik të kreut të shtetit në emërimin e gjykatësve, shkaqe të cilat mazhoranca i ka shprehur si argumenta për rrëzimin e 5 dekreteve të presidentit për Gjykatën e Lartë.

Ajo që pritet është lëvizja e radhës e Bujar Nishanit, nëse prej tij do të ketë një letër tjetër apo do të shprehet për ndryshimet ligjore për emërimet në instancën më të lartë gjyqësore.

Nëse më parë ndodh kjo e fundit, atëherë të gjitha gjasat janë që Nishani të shprehet kundër ligjit të ri për emërimet në Gjykatën e Lartë, duke i rikthyer për votim në Kuvend, ku po aq janë gjasat që mazhoranca t’i rivotojë ato pa ndryshime. Deri në këto lëvizje të radhës, Gjykata e Lartë do të ketë tre vende vakante të krijuara që në 2013-n./TCH

SHKARKO APP