Mazniku takim me fermerët në Elbasan: Skema e investimeve, mundësi reale për të rritur prodhimin dhe fitimin
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku zhvilloi këtë të hënë një takim me fermerë në Elbasan për nismën e qeverisë të mbështetjes ekonomike për bujqësinë. ”Nga agroturizmi te ndërtimi i serrave, mbjelljet e reja e sistemet moderne të ujitjes, kjo është një mundësi reale për të rritur prodhimin dhe fitimin për të gjithë fermerët, duke aplikuar pranë AZHBR deri në datën 30 shtator”, theksoi ministri Mazniku.
Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara.
Kredia e butë e nisur prej janarit, me një normë interesi vetëm 2% dhe 70% kolateral nga shteti, gërshetohet me Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 me 50% grant, duke krijuar një paketë të plotë financimi për sektorin bujqësor. Ky program është i hapur për fermerët individualë, si dhe për shoqëritë me status fizik ose juridik, të cilët mund të aplikojnë për ndihmë financiare nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në zonën e tyre.
Aplikimet janë të hapura nga data 30 korrik, deri më 30 shtator, dhe fermerët mund të marrin asistencë nga ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për çdo pyetje ose nevojë për ndihmë. Skema e Investimeve 2025 ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke kontribuar në rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit.
KOHA JONË SONDAZH

