Mbahen shërbesat e liturgjisë hyjnore për kryepeshkopin Janullatos
Në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, në Katedralet “Ngjallja e Krishtit”, në Korçë, Gjirokastër dhe Durrës u mbajtën gjatë mëngjesit të sotëm shërbesat e përshpirtjes.
Dhjetëra besimtarë u lutën dhe ndezën qirinj për prehjen e shpirtit të Kryepeshkopit Janullatos.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare mëngjesin e të shtunës në spitalin “Ungjëllizimi” në Athinë, ku ishte i shtruar prej datës 3 janar.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist.
Pesë ditë zie kishtare janë shpallur në mbledhjen e Sinodit nga data 25 – 29 janar 2025.
Trupi i pajetë i kryepeshkopit do të mbërrijë në Shqipëri të martën. Pritja do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, në orën 16:00 të pasdites.
Pas pritjes, do të mbahen homazhe brenda Katedrales gjatë pasdites të së martës si dhe ditën e mërkurë, në datë 29 janar.
Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00.
Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë dhe patriarkë nga kishat ortodokse në botë.
/r.e/
KOHA JONË SONDAZH

