Mbledhja e dy Kuvendeve/ Doda: Krerët e UÇK-së ende në Hagë. Presheva po kthehet në Çamëri të dytë
Për herë të parë, në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë po mbahet mbledhja mes parlamentarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ceremonia nisi me himnin e Kosovës për t’u pasuar me atë kombëtar shqiptar. Ligjvënësit e të dy vendeve e ngritën në këmbë për të nderuar himnet kombëtare përpara se të niste seanca e jashtëzakonshme plenare.
Kryetarja e grupit parlamentar “Për Demokraci dhe Integrim”, Mesila Doda dha propozime konkrete për atë që quajti në kthimin e kufijve mes dy vendeve në të padukshëm. Po ashtu Mesila u ndal edhe tek krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se kjo sallë ka mungesa të mëdha.
“Shteti i Shqipërisë dhe Kosovës duhet të punojë për shqiptarët e lënë jashtë kufijve. Sot kjo sallë ka mungesa të mëdha. Krerët e UÇK që janë në Hagë dhe është momenti për të thënë që lufta e tyre ishte e lavdishme.
Sot kemi Shqipërinë politike e cila rrethohet me shqiptarë në të gjithin kufirin e saj politik. Kemi Preshvën e cila po rrezikon të kthehet në Çamëri të Dytë.
Kjo sallë ka mungesa të mëdha sot, janë komandantët e luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerë të cilët janë të akuzuar në Hagë. Ne sot pushojmë së qenit politikanë dhe mbrojmë luftën e heronjve tanë. Kosova dhe beteja e saj për liri janë fitoret tona të jashtëzakonshme në këtë mijëvjeçar”.