Mbledhja e grupit të PD për Presidentin e ri, deputetët: Të propozojmë një kandidat
Një pjesë e mirë e deputetëve të PD-së, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, janë pro uljes në tryezë për negociata lidhur me Presidentin e ri. Siç theksoi edhe për mediat para se të futej në mbledhje, Ervin Salianji tha se anëtarët e PD-së duhet të kenë komunikim fillimisht me njëri-tjetrin, më pas të komunikojnë me palën tjetër. Deputetët Çollaku, Korreshi dhe Xhaferraj kërkuan që PD-ja të marrë pjesë në tryezën e zgjedhjes së presidentit, duke propozuar disa emra me kritere, edhe pse PS i ka votat.
Në fillim Gazment Bardhi ka deklaruar në grup se “duhet të propozojmë kriteret dhe procedurat. Ne duhet të vazhdojmë me opozitën. Dhe mos te kompleksohemi se një grup i Berishës na sulmon. Ne nuk ju përgjigjemi me të njëjtën gjuhe për të ruajtur PD. Ne jemi ruajtur mos ta përçajmë PD. Na sulmojnë sot që mos të marrim pjesë te presidenti. Ata qe deri dje thonin perse bojkotoni. Pra kuptohet kush ka qenë pas bojkotit deri dje. Presidentin e zgjedh parlamenti dhe vendos Grupi Parlamentar. Nuk vendos Jozefina, Rudina dhe Murrizi në Këshill Kombëtar. Ata që deri dje sulmonin PD”, ka thënë Bardhi.
Ndërkohë deputetët e tjerë thanë si me poshtë:
Ervin Salianji: Presidenti dhe çdo çështje tjetër duhet të diskutohet në kryesi grupi dhe në grup parlamentar. Duhet të ulemi me Kryesinë e grupit dhe të vijnë gjithë deputetët, nuk ka sens të kërkohet autorizim për t’u ul me Ramën dhe nuk ulemi me njëri-tjetrin.
Kreshnik Çollaku: Duhet të marrim pjesë në tryezën për të zgjedhur kandidatin për President, pa komplekse. Të jetë figurë me integritet.
Lefter Gështenja: Së pari nëse duhet të bëj lajm do të thoja që ne nuk duhet të marrim pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Në fakt unë jam që duhet të marrim pjesë në proces.
Saimir Korreshi: Të propozojmë një emër për President. Presidenti që ne besojmë që bën, duhet patjetër që të marrim pjesë në Reformën Territoriale.
Ferdinand Xhaferraj: Të marrim pjesë, por mos të përdoremi nga procesi. Të negociojmë me faktorin ndërkombëtar për procesin.
Kurse Enkelejd Alibeaj, të cilin grupi i Berishës nuk e njeh si kryetar grupi parlamentar, tha se “Ka një tentativë për të përçarë edhe Grupin Parlamentar, edhe pse gjate ketij muaji kemi berë përpjekje serioze për të bashkuar grupin. Nuk e kuptoj dot këtë sjellje dhe është një tjetër akt përçarës.
Secili nga anëtarët e këtij grupi kane bere përpjekje për të mos lejuar përçarjen e partisë. Refuzoj me forcë çdo te tentativë për ndarjen e partisë, dhe me gjithçka kam në dorë do bëj çmos që kjo mos të ndodh”-foli Alibeaj.