Mblidhet Këshilli i Rregullores për mandatin e Olta Xhaçkës, Alibeaj: Duam që ministrja të jetë e pranishme
Është mbledhur sot Këshilli i Rregullores, Mandatet dhe Imunitetit për të shqyrtuar një kërkesë të grupit parlamentar të PD-së për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pas akuzave se bashkëshorti i saj ka marrë statusin e investitorit strategjik.
Mazhoranca ka kërkuar shtyrjen e kësaj mbledhje, me arsyetimin se anëtarët e tyre, nuk janë njohur me dokumentacionet e plota të paraqitura nga opozita.
Deputetja Klotilda Bushka u shpreh se shumë prej anëtarëve të mazhorancës, kanë qenë në aktivitete jashtë vendit dhe s’janë njohur me dokumentacionin.
Një kërkesë e tillë nuk ka marrë pëlqimin e plotë të opozitës. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që në mbledhjet e ardhshme të këshillit, të jetë e pranishme dhe vetë ministrja Olta Xhaçka.
Përsa i përket kërkesës së mazhorancës, Alibeaj propozoi që sot të bëhet prezantimi i problematikave të konstatuara nga opozita, dhe më pas diskutimet të shtyhen për në seancën e rradhës.
Nikolla: Është paraqitur një mocion i nënshkruar nga 14 deputetë për mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit bën verifikimin e mocionit, dokumenteve që janë dorëzuar dhe momentin e marrjes së mandatit të Olta Xhaçkës. Mocioni i paraqitur duhet t’i nënshtrohet vlerësimit për verifikimin e kërkesave.
Alibeaj: Nga ana e 1/10 të deputetëve është depozituar mocioni. Kërkesa është e depozituar, e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse. Faktet për dhënien e statusit të investitorit strategjik që ka lidhje me Olta Xhaçkën. Janë fakte të tjera që bëjnë lidhjen mes shoqërisë që ka përfituar statusin e investitorit me deputeten dhe ministren Olta Xhaçka.
Bushka: Nisur nga traditat e mëparshme për çështje të tilla, është e udhës që kolegët të marrin kohë për të lexuar dokumentacionin. Do ishte në seriozitet të punës të këshillit që kolegët të lexojnë materialet. Janë fakte të njohura. Një pjesë e jona kanë qenë në angazhime jashtë vendit. Kështu që kërkesa ka ardhur në datë 20, jemi njohur vetëm kur është bërë njoftimi i rendit të ditës. Për hir të një serioziteti, një leximi më të qartë të anëtarëve të këshillit, të shtyjmë në javën tjetër këtë çështje.
Alibeaj: Nuk është se kërkojmë që një çështje kaq serioze të mund të bie në joseriozitet. Po mund të jetë e logjikshme për t’iu njohur me dokumentacionin. Do bëja një kërkesë, Xhaçka duhet të ishte këtu. Edhe Xhaçkës duhet t’i jepet koha dhe mundësia për të dhënë shpjegimet e veta. Për ta shtyrë, me idenë e njohjes së dokumentacionit, e ulë seriozitetin. Dje në seancë plenare e kanë ndjekur shumë dhe e kanë njohur thelbin e fakteve të dokumentacionit. Mund të gjejmë një zgjidhje të mesme, jemi mbledhur sot për të respektuar vendimmarrjen që sot të ecim me prezantimin e kërkesës. Më pas nëse i qëndroni faktit që doni të njiheni me dokumentacionin, të mund të vendoset në një seancë tjetër. Kushdo do marrë vesh që kush janë këta parlamentar dhe shkojnë pa përgatitur. Të ecim me këtë pjesë, të bëhet prezantimi dhe kaq.