Mblidhet komisioni i Reformës Zgjedhore, tematikat dhe debatet
Ka nisur punën sot Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve: Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi. Mbledhja ka nisur me propozimet e akumuluara nga partitë për reformën zgjedhore dhe ato që do të diskutohen.
PD-ja
Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se komisioni duhet të përqendrohet tek çështjet kryesore që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm. Ai tha se opozita propozon uljen e shpenzimeve për fushatën në mënyrë që partitë politike të financohen nga buxheti i shtetit. “Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale”, tha ai.
“Na shtrohet përpara një dokument, i cili do të jetë shtylla kurrizore e punës tonë. Një gjë duhet të jetë e padiskutueshme; shqetësimet themelore për zgjedhjet duhet të trajtohen me dinjitet. Çështja e zgjedhjeve është primare. Diskutime të llojit se kush është mandati i këtij komisioni, janë justifikime, të cilat bëhen për të shmangur zgjidhjen e çështjeve reale që kanë zgjedhjet. Ky dokument duhet të shikohet në mënyrë të kujdesshme për të përcaktuar se kush janë çështjet që duhet të diskutohen pa diskutim! Këto çështje janë: numërimi elektronik, identifikimi biometrik në mënyrë integrale që të shmanget marrja e kartave të zgjedhësve, që nuk është blerje vote apo anulim i të drejtës së votës. Korruptimi i komisionerëve. Financimi publik që kemi ngritur është i domosdoshëm. Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale që më pas subjektet blejnë shtetin dhe kthehemi në oligarki. Duhet të reduktojmë shpenzimet në mënyrë që buxheti i shtetit të financojë partitë në mënyrë të shëndetshme. Shitblerja e votës duhet të kthehet në vepër penale e rëndë. Strukturat e reja për të goditur korrupsionin duhen ta kenë prioritet këtë çështje. Të gjitha çështjet që propozon opozita janë të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-t. Për ndryshe, zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk ka“, tha Bylykbashi.
PS-ja
Bashkëkryetari tjetër i komisionit, Taulant Balla tha se mazhoranca nuk ishte kundër votimit elektronik. “Unë nuk shoh që kemi ndasi të mëdha dhe të bëjmë diskutime të mëdha. Më lejoni t’ju them kush është pozicioni im si bashkëkryetar për çështjen e votimit elektronik. Nuk kam thënë kurrë këtu se jam kundër sepse e kam kërkuar vetë 5 vite më parë. Jam shumë pro. A kemi mundësi të krijojmë një sistem të plotë? Jemi pro! Por, për këtë çështje propozimi im është që pasi ne të kemi shprehur të gjithë dakordësinë, dhe për këto çështje të pyesim OSBE/ODIHR. Nëse ne e miratojmë tani këtë, kemi kohë në dispozicion? OSBE ka thënë se duhet të bëhet një studim fizibiliteti. Kjo nuk na përket ne pastaj“-, u shpreh Balla.
PDIU-ja
Kreu i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, deklaroi se pas një viti, komisioni gjente dakordësinë për çështje që ishin dakord prej muajsh. “Të gjithë jemi në favor të identifikimit, numërimit dhe votimit elektronik”, tha ai.
“Unë nuk di të shpreh keqardhjen apo fatmirësisht më në fund pas 1 viti, po fillojmë të kemi një produkt konkret. Kemi një vit që sorollatemi dhe sot kemi një matricë për të filluar punën. Edhe kur flasim për zgjedhje jo transparente, në radhë të parë kjo vjen nga dy partitë kryesore që ruajnë administrimin politik të zgjedhjeve, që nga KQZ-ja, dhe nga gjithë strukturat e tjera të menaxhimit zgjedhor. Të gjithë jemi në favor të identifikimit, numërimit dhe votimit elektronik. Unë nuk e kuptoj se pas një viti vërtitemi prapë në të njëjtin diskutim. Ky komision të mos mblidhet një herë në 3 muaj. Të mblidhemi dy herë në javë. Të shohim se si mund të veprohet me numërimit elektronik. Për çështje të tjera si financimi, mediat, dekriminalizimi, ne jemi dakord. Unë kërkoj që në qoftë se jemi dakord të fillojmë punën duke shpejtuar punën e këtij komisioni, të fillojmë punën duke u mbledhur dy herë ose tre herë në javë për çështjet më sensitive. Edhe në mbledhjen e para 6 muajve, kemi kërkuar nga KQZ-ja apo ata që na asistojnë për të parë mundësinë e teknologjisë për votimin, identifikimin dhe numërimit elektronik”,– u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

