Mblidhet kryesia e PR-së, Mediu shpalos pikat që duhet të ketë programi qeverisës

Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Republikane, kryetari Fatmir Mediu bëri disa sugjerime që duhet të përfshihen në programin e përbashkët të qeverisjes së opozitës. Propozimet përfshijnë zgjidhjen e çështjes së pronës private në mbështetje të pronarit të ligjshëm, të përndjekurit politik, reforma në ekonomi si dhe politika e jashtme dhe interesi kombëtar. ”Besoj që një pikë e vlefshme që duhet të trajtojë programi i opozitës është dhe një politikë e jashtme sa më e qartë, sepse Edi Rama ka deformuar apo devijuar boshtin euro-atlantik të integrimit që ka qenë busulla orientuese e shqiptarëve”,-tha Mediu.

Fjala e plotë e Fatmir Mediut

Programi që ka paraqitur PD-ja është një program jashtëzakonisht pozitiv, i cili ka ndërtuar një alternativë, në raport me mashtrimet dhe me korrupsionin dhe me këtë që ka ndërtuar antishtetin e Edi Ramës. Ajo që është e rëndësishme, e kam thënë edhe më parë, është e domosdoshme që ky program të kthehet në një program i opozitës, ku të gërshetohen dhe të përfshihen dhe idetë e partive të tjera politike opozitare, në mënyrë që të jetë program i qeverisjes i opozitës. Padyshim edhe ne kemi ecur në platformën në programin tonë politik dhe elektoral, dhe unë do të doja që të ngre këtu disa cështje të cilat mendoj që duhen përfshirë patjetër në programin e qeverisjes së nesërme.

Në qoftë se ka një krim të kryer mbi shoqërinë shqiptare por edhe mbi ekonominë shqiptare është çështja e pronës private. Janë mbi 8 mijë viktima nga mosrespektimi i të drejtës së pronës private në Shqipëri dhe cështja e pronës private është sa një çështje e të drejtës, është një cështje sociale, është një cështje ekonomike është dhe një cështje politike. Unë vlerësoj qëndrimin e Partisë Demokratike për ta riparë pozicionin e vet në raport me pronat dhe meqënëse Partia Republikane ka qenë partia e vetme në mbështetje të lirisë dhe të drejtës së pronës të përcaktuar në Kushtetutë, mendoj që duhet të koordinojmë qëndrimin tonë, në mënyrë që t`i shërbejmë më në fund kthimit të pronës tek i zoti dhe kompensimit me vlerën e tregut. Kjo është një domosdoshmëri përballë jo thjesht pronarëve, por përballë shoqërisë shqiptare.

Unë vlerësoj maksimalisht që Partia Demokratike ka angazhuar dhe në drejtim të fushatës elektorale figura nga të përndjekurit politikë që vijnë nga familje tërësisht të përndjekura dhe ky është një hap jashtëzakonisht pozitiv, por nuk është e mjaftueshme që ne të përqëndrohemi vetëm në disa figura, por ta shohim çështjen e të përndjekurve politikë si një detyrim të së djathtës karshi asaj shtrese e cila është persekutuar nga regjimi komunist dhe patjetër duhet vendosur një standart marrëdhëniesh të tjera në vlerësimin e kontributeve, të angazhimeve të tyre, të mundësive ekonomike, të mundësive të punësimit, në angazhime të drejtpërdrejta të cilat kërkojnë një plan shumë të qartë, por mbi të gjitha mendoj që e gjithë kjo shtresë e të përndjekurve politikë kërkon vlerësimin e drejtë historik të asaj që ka ndodhur në Shqipëri, gjë që nuk u bë asnjëherë.

Besoj që një pikë e vlefshme që duhet të trajtojë programi i opozitës është dhe një politikë e jashtme sa më e qartë, sepse Edi Rama ka deformuar apo devijuar boshtin euro-atlantik të integrimit që ka qenë busulla orientuese e shqiptarëve.

Është shumë e rëndësishme reforma rregullatore, e cila duhet të synojë në 3 pika: E para: Rritja e besueshmërisë së publikut tek stabiliteti makrofiskal. Rritja e borxhit publik dhe detyrimet e shumta të ndërmarra në kontrata pothuajse tërësisht korruptive të PPP-ve, shifrat kontradiktore që raportohen në lidhje me treguesit kryesorë buxhetorë nga qeveria dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, kërkojnë masa të jashtëzakonshme, shumë të forta nga ana e qeverisë sonë nesër, për të kthyer besimin e publikut tek financat.

Liria ekonomike në treg kërkon padyshim të tjera standarte që kanë të bëjnë me reformën rregullatore dhe vendosjen e detyrimeve ligjore përballë gjithë institucioneve për të respektuar lirinë e tregut dhe për të respektuar raportet e drejta me biznesin, pra jo një mbivendosje të shtetit mbi biznesin por një partneritet të shtetit me biznesin për të krijuar hapësira, vende pune, që krahas politikave fiskale, taksave të ulëta, të kemi një raport të drejtë të shtetit me biznesin.

Një pikë tjetër do të ishte dhe përsa i përket pasurive publike të cilat krijojnë përfitime për shoqërinë. Pra përgjithësisht pasuritë publike këtu konsiderohen si pronë e shtetit që shteti mund t`i japë dhe mund të ndërtojë marrëdhënie në mënyrë preferenciale duke bërë politika klientelistetë cilat asnjëherë nuk i kanë shërbyer zhvillimit të ekonomisë kombëtare, interesit kombëtar, por interesave specifike të disa individëve dhe politikave korruptive të qeverisë.

SHKARKO APP