Mblodhi dje për kafe 24 deputetë, Lefter Gështenja: Grupi i PD-së ka në dorë tre alternativa
Selia blu vijon që të jetë në proces trazirash dhe mungesë bashkimi të thellë. Ndaj edhe të martën pasdite, në një prej lokaleve luksoze në Tiranë, 24 deputetë të PD-së u bënë bashkë për të diskutuar të ardhmen e tyre politike. Deputeti demokrat Lefter Gështenja, i cili ishte një nga dy iniciuesit e takimit, bashkë me Flamur Hoxhën, thotë se në të ardhmen duhet një opozitë e koordinuar. Ndër të tjera Gështenja thekson edhe se partia ka nevojë për bashkëdrejtim, pasi ka mbaruar koha e unit.
“Nuk mendoj që në PD ka luftë. Kemi situatë jo normale. Ky takim ishte privat dhe informal. Koha që ne konsumuam, 5 orë e gjysmë, tregoi që kjo kafe ishte shumë e vlefshme. Kishim nevojë të flisnim me njëri-tjetrin, në atë kafe informale. Disa media na kanë etiketuar si grupi i Bashës, apo i Alibeajt, ky grup nuk identifikohet nga një njeri. Unë besoj që partia ka nevojë për bashkëdrejtim. Ka mbaruar koha e unit. Duhet që PD vërtet të jetë më demokratike. Nuk mund të vazhdohet më me këtë situatë kaotike. Ne po bëjmë opozitë individuale, s’kemi diçka të koordinuar. Imagjino 52 deputetë në Parlament, çfarë opozite reale do ishte. Fakti që ishim të pakoordinuar, kjo kërkohet. Të jemi të konsoliduar. Të parët të jemi të konsoliduar ne si grup, që s’morëm pjesë në Kuvendin e 30 prillit”.
I pyetur nëse grupimi shkon përtej Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt, Gështenja thekson se përpara ka tre alternativa. Ai thekson se ata nuk i kanë vendosur kushte Berishës.
“Ky grupi duhet të jetë i unifikuar. Tre alternativa kemi. E para të vazhdojmë kështu si jemi. E dyta të shohim mundësinë e bashkimit me Rithemelimin, që duhet të jetë vendim grupi. E treta të konsolidohemi si grup dhe të kemi veprim të qartë. Nuk është normal edhe etiketimi për kolegët, ata që kanë dalë nga Rithemelimi përfaqësojnë demokratët dhe këta përballë s’përfaqësojnë asgjë. Kjo s’është normale. Nuk ka qenë qëllimi t’i tregojmë forcën Berishës. Qëllimi është të jemi në terren. I kam kërkuar Bashës të jemi në terren, edhe deputetëve, shkëputja lë fushë të lirë edhe për mazhorancën. Ne nuk vendosim kushte për Berishën”,–tha në “Mcn Tv”.