Më 30 dhe 31 korrik, ora 21.00, komedia mjeshtërore ” Duke edukuar Ritën” në teatrin veror të Universitetit të Arteve
Në datat 30 dhe 31 korrik, ora 21.oo, nga Teatri Shëtitës Çajupi, në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, spektatori do të ketë mundësinë të ndjekë komedinë e rrallë, “Duke edukuar Ritën”. Ky është rasti që me regjinë e Kiço Londos, në një hapësirë të shfrytëzuar shumë mirë të shihni Mehmet Xhelilin, pedagogun e alkoolizuar të Ritës në një interpretim tepër të këndshëm. Ai vjen i zgjuar, i rrjedhshëm, që e mban veten me të madhe e që të mbyt me fjalë, por qe gjendet në zbrazëtinë e shpëlarë me të cilën shfaqet në fillim e që më pas bie në dashuri të thellë me studenten e tij.
Interpretimi i Laura Nezhës bëhet më i fuqishëm me zhvillimin e shfaqjes. Gjallëria e Laurës në pjesën e parë, është një prekje tepër organike. Në pjesën e dytë të shfaqjes personazhi i Laurës bëhet më i mprehtë, më i urtë e i rrumbullakosur mirë. Drejt finales interpretimi Xhelili- Nezha bëhet gjithnjë e më shumë prekës dhe përfshirës, pa humbur asnjë nga tiparet e zgjuara e me dritë të karaktereve që çifti interpreton.