Me 84 apo me 93 vota më mirë?
Duket se reforma në drejtësi po merr pikën e fillimit. Përfaqësuesit e opozitës janë larguar sërish nga tryeza duke akuzuar maxhorancën se nuk ka vullnet për të ndërprerë kapjen politike të institucioneve të drejtësisë. Mësohet se nuk ka konsensus për numrin e votave që duhen në kuvend për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Maxhoranca kërkon që ata të zgjidhen me 84 vota (3/5 e parlamentit) ndërsa opozita kërkon barazi në zgjedhjen e tyre (si në rastin e KQZ-së, ose me 93 vota). Aktualisht PS dhe LSI i kanë 84 vota në parlament dhe së bashku mund të bëjnë të gjitha emërimet në sistemin e drejtësisë. Në të vertetë këto institucione kushtetuese kanë nevojë vetëm për 93 vota të deputeteve nga 140 që ka Kuvendi. Kjo jep garanci, pasi 84 vota edhe mund ti bëjë një koalicion, porse kur flitet për institucione të pavarura kushtetuese duhet vetëm 93 vota e me votim të fshehtë. Jo se ka vepruar kështu PD-ja në kohën e saj, porse shteti i së drejtës nuk bëhet për PD apo PS, LSI apo dikë tjetër. Edhe tani PS po synon si dikur PD-ja të ketë pushtetin e pavarur të drejtësisë në dorë.
Pas largimit nga mbledhja ekspertët e PD-së shpërndanë një deklaratë zyrtare ku thonë se maxhoranca ka refuzuar të analizojë propozimin e opozitës.
“Edhe pse dje në mbrëmje u ra dakord parimisht për të reflektuar rekomandimin nr. 55 të Komisionit të Venecias dhe që propozimi i ekspertëve të Partisë Demokratike do të shqyrtohej me kujdes, sot që në fillim të mbledhjes, pa asnjë argument, ekspertët e caktuar nga mazhoranca refuzuan ta analizonin këtë propozim, duke treguar vendosmërinë e tyre për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron mos-kapjen politike të sistemit të drejtësisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje,” – thuhet në deklaratën e ekspertëve të PD-së.