Media e madhe britanike: Shqipëria, destinacioni më i kërkuar për pushime nga turistët britanikë

Shqipëria është ndër destinacionet më të kërkuara për pushime nga turistët britanikë, falë plazheve të saj mahnitëse, të ngjashme me “Maldivet e Evropës” dhe çmimeve të ulëta, sipas një studimi të ri, shkruan Vita Molyneux në të përditshmen britanike “Mirror”.

Pozicioni i Spanjës si një nga vendet më të preferuara për pushime mund të jetë nën kërcënim – pasi Shqipëria po shfaqet si një destinacion i kërkuar nga turistët britanikë që adhurojnë përvojat e reja.

“Dubai Tours and Tickets” e ka vendosur perlën e Evropës Juglindore, Shqipërinë në krye të listës së dëshirave të vizitorëve nga Britania e Madhe.

Sipas një studimi të bazuar në kërkimet e britanikëve në Google, duke përdorur fjalë të tilla si “pushime”, “fluturime” dhe “udhëtime”, në 250 vende gjatë një viti, u zbuloi se ata kishin një kureshtje në rritje për të mësuar më shumë për Shqipërinë.

Me një mesatare mujore mbresëlënëse prej 54,929 kërkimesh, fjalë si “Holiday Albania” (Pushime Shqipëri) ishin kërkuar 37,583 herë, duke lënë në hije kërkimet klasike si Spanja, Portugalia dhe Islanda.

Rritja e interesit për Shqipërinë nuk është aspak tronditëse, duke pasur parasysh joshjen e saj me kosto efektive.

Vizitorët mund të shijojnë një krikëll birrë me 1,5 deri në 2,5 euro; mund të pijnë një filxhan çaj për rreth 1,8 euro – dhe të mbushin karrocat e tyre të blerjeve për gati 40 për qind më pak para – në krahasim me vendin e tyre.

Jo vetëm miqësore me portofolin, por Shqipëria mahnit me pamjet e saj marramendëse, ujërat e kristalta dhe qoshet e izoluara ideale për t’u çlodhur nën diell.

Udhëtimi drejt vendit mesdhetar është i qetë, me fluturimet e përditshme nga Britania e Madhe në Shqipëri, rreth tre orë, ku do të zbuloni një Parajsë që ia vlen ta vendosni në listën tuaj të destinacioneve për pushime.

Ju mund të lundroni në plazhin e Gjipesë përmes Kanionit piktoresk të Gjipesë apo vizitoni çfarëdo vendi tjetër që ju ngacmon kuriozitetin.

Ksamili mahnitës, i vendosur përgjatë Rivierës Shqiptare, po bën bujë në rrjetet sociale, pasi influencuesit e kanë quajtuar atë “Maldivet e Evropës” për shkak të popullaritetit të tij në internet.

Nëse dëshironi të përjetoni sharmin e saj, më mirë nxitoni, përpara se të bëhet po aq e mbipopulluar me turistë sa vetë Maldivet!

SHKARKO APP