Mediu apel Bashës për aleancat, 2017 vit i kanabizimit; Vota në OKB…

Flet për “Koha Jonë”, kreu i PR-së Fatmir Mediu: S’ka lobim të PD kundër BE-së, vit i vështirë opozitar

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Vota kundër është më shumë se absurde. Justifikimi se ky është qëndrimi i BE-së, nuk qëndron pasi shtatë vende të BE-së abstenuan, vende kandidate të BE-së fqinje me ne abstenuan dhe nuk morën pjesë”,-kështu e sheh kreu i PR-së, qëndrimin e qeverisë në OKB. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Fatmir Mediu shton se votimi vë në pikëpyetje aleancën tonë me SHBA-në. Sa i takon protestave në janar, kreu i PR-së i parashikon të forta por demokratike. Më tej Mediu i përçon apel kreut të PD-së që të bashkëpunojë me LSI, por të mos harrojë aleatët historikë. I pyetur për 2017, ai thotë se e shënon si vit të vështirë opozitar edhe për shkak të vetë opozitës.

Z.Mediu, këto ditë politika po zien nga vota e Shqipërisë kundër SHBA në OKB. Ju si e lexoni? Cilat ishin arsyet që e detyruan qeverinë të votojë kundër SHBA?

Vota kundër është më shumë se absurde. Justifikimi se ky është qëndrimi i BE-së, nuk qëndron pasi shtatë vende të BE-së abstenuan, vende kandidate të BE-së fqinje me ne abstenuan dhe nuk morën pjesë. Kërkesa e SHBA-së për mbështetje ishte e drejtpërdrejtë. Interesi ynë kombëtar ka qenë dhe është i lidhur me SHBA-në, që nga themelimi i Shtetit Shqiptar, e në vazhdim me antarësimin në NATO, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Presidneti G.W Bush deklaroi në Tiranë në qershor të 2007, mbështetjen e tij personale dhe SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, kur shumë vende të BE donin të prisnin Rusinë, ashtu dhe për antarësimin në NATO, kur shumë vende anëtare të NATO-s ishin skeptike. Në situatën e re gjeopolitike në Ballkan, me shtimin e rolit dhe prezencës Ruse, aleancat e saj të reja dhe të vjetra, ne duhet ti forcojmë më tej marrëdhëniet me SHBA-në dhe jo ti vendosim ato në pikëpyetje pavarësisht nga arsyet. Jerusalemi ynë është Kosva dhe ne duhet të luftojmë për të jo të vetëm por me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.

SHBA ka nisur hakmarrjen duke shkurtuar fondet. Si do të ndikojë kjo në Shqipëri? Pritet të kemi rënie të investimeve që vijnë nga SHBA-ja?

SHBA-ja ka kohë që kërkon të rishikojë marrëdhëniet me OKB, ambasadorja e SHBA-së në OSBE ka marrë një qëndrim me vendet që dolën kundër SHBA-së, shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt, dhe të jetë pa ndikime negative në marrëdhëniet tona. Edhe pse nuk gjej arsye ragionale të votimit kundër të qeverisë, dua të shtoj se vendi ynë në politikën e jashtme duhet të unifikojë qëndrimet politike dhe institucionale. Ky votim nuk është konsultuar as me Presidentin dhe as me parlamentin. Nuk ka sot asnjë përgjigje se pse Shqipëria nuk abstenoi apo mos të merrte pjesë në votim. Askush  nga ata që e kanë ngritur shqetësimin për votën kundër SHBA-së, nuk është marrë me analizën e të drejtës së vendimit të Presidentit Trump, për të vendosur ambasadën Amerikane në Jeruzalem, për më tepër që është një vendim pothuaj unanim i Kongresit Amerikan që në vitin 1995. Askush nga ne nuk ka marrë përsipër të vlerësojë faktin se sa dhe si do ndihmonte në zgjidhjen, apo komplikimin e konfliktit më të gjatë historik, religjioz dhe politik atë Isralito-Palestinez, kjo dhe për faktin se do të ishte më shumë se megallomani, të pretendohet se këtu në Shqipëri është dikush apo ndonjë institucion që mund ta jap përgjigje për zgjidhjen e këtij konflikti, pavarësisht se mund të lexojmë, apo citojmë pa u thelkuar shumë mendime apo variante rreth saj. Po ashtu në botën e sotme tepër të komplikuar nga pikpamja gjeopolitike, Shqipëria është një faktor i papërfillshëm sidomos në këtë çështje. Ky vendim i Shqipërisë u kritikua dhe nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, të cilët përveç “dashurisë pa kufi” për SHBA-në, kanë dhe arsye që lidhen me Kosovën dhe ndërhyrjet në dialogun e saj me Serbinë. Vizita e Vuçit në Moskë dhe kërkesa që Rusia të jetë pjesë e dialogut nuk janë për tu injoruar. Nëse kuptoj justifikimin e ministrisë së jashtme, ndjej keqardhje për ata që mbështesin këtë qëndrim, pa i dhënë përgjigje pyetjes se çdo ndodhte dhe pse BE-ja do ishte më e zemruar me Ne se me Maqedoninë, nëse nuk votonim apo abstenonim. Është mëse e neveriteshme për ndonjë ish-ambasador, spiunë, pazarxhi tarifash, servil, dallkauk e i paftyrë, lëpirësësh pushtetarësh, enveristë, që shan këdo, pa dhënë asnjë argument, vetëm për faktin se mendon që është i gjithëditshëm dhe bota rotullohet rreth marrëzisë së tij, dhe nuk lë rast pa shryrë dufe personale që tregon vlerën e tij të ulët njerëzore.

Në media u përfol vizita enigmatike e z.Rama në SHBA, pasi nuk tregoi asgjë vizita e cila më shumë i ngjasoi pushimeve dimërore. Keni një koment?

Kryeministri ka për detyrë që të jetë transparent në punën dhe qëndrimet e tij. Ai dhe kur shkon për vizitë private duhet të jetë transparent. Lëvizjet e Ramës dhe mungesa e transparencës për takimet apo udhëtimet janë “papërgjegjshmëri më e vogël”, politike e tij.

Znj.Marku u zgjodh nga maxhoranca si kryeprokurore e përkohshme mes tymit dhe kaosit. A është e gatshme opozita të negociojë me PS-në për kryeprokurorin e ri?

Opozita ka theksuar se ky ishte një puç kushtetues i Kryeministrit. Askush nuk është marrë individualisht me Prokuroren, por me respektimin apo jo të Kushtetutes. Profesionistë të kushtetutshmerisë, theksojnë dhe mbrojnë idenë se zgjedhja është bërë në kundërshtim me kushtetutën dhe me një ligj antikushtetues. Procesi i reformës në drejtësi nuk mund të lihet në duart e mazhorancës, shkeljes së kushtetutës, ligjeve dhe procedurave dhe për këtë opozita duhet të qëndrojë fortë dhe të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar të interesuar për një gjyqësor të pavarur dhe të pakapur.

PD është shprehur se mori pjesë në zgjedhje pasi e detyroi faktori ndërkombëtar, por edhe në protestën e 18 dhejtorit, ambasadorët Lu dhe Vllahutin i tërhoqën vërejtje opozitës. Pse aksionet e opozitës nuk gjejnë mbështetje?

Faktori ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja qëndroi kundër bojkotit të zgjedhjeve, megjithëse ne dhamë paralajmërimin tonë se zgjedhjet do bliheshin nga paratë e krimit dhe trafikut të drogës. OSBE/ODHIR provoi me raportin e saj, se shqetësimet tona ishin të drejta. Në raportin përfundimtar ata theksuan blerjen masive të votave. Çështja Habilaj hedh dritë se si paratë e trafikut të kanabisit shkonin për blerjen e votave. Gjatë vizitës së z.Hoyt Yee, ne ramë dakort me propozimin Amerikan, të bindur se dhe pse nuk ishin kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, bashkëpunimi ynë me SHBA-në në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ishte dhe ngelet jetik për vendin.

z.Duka ka paralajmëruar krijimin e një lëvizje politike me 10 parti. E shihni në favor të opozitës, apo do të çojë në përçarje?

Nuk kam ndonjë ide të qartë për këtë lëvizje, por nëse PD bashkëpunon sot me LSI-në, do ishte anormale që të mos vlerësojë nevojën e bashkëpunimit me aleatët historik apo të zgjedhjeve të fundit. Çdo ndarje nga pikëpamja elektorale është në dëm të opozitës dhe vetë PD-së.

Opozita e bashkuar është shprehur për protesta të fuqishme në janar, por si janë konceptuar ato?

Nuk është hera e parë që zhvillojmë protesta dhe kam bindjen se protestat tona do të ruajnë forcën dhe sjelljen si mbas standarteve të vendeve më demokratike. Protesta është zgjim jo vetëm i qytetarëve por edhe vetë opozitës përballë një situatë të papranueshme, për shkak të qeverisjes.

Ministri Bushati ka hedhur akuza se PD-ja bën lobime në Bruksel kundër integrimit me mesazhe dhe presione ndaj eurodeputetëve. Duke parë edhe vizitat e shpeshta të z.Basha jashtë vendit, ekziston një variant i tillë?

Nuk ka asnjë lobim të opozitës kundër BE-së, përkundrazi kemi qenë dhe jemi në mbështetje të integrimit në BE. E djathta ka meritën jo vetëm të nisjes së procesit të Inegrimit Europian por dhe ka faktuar se hapat kryesore konkret kanë ndodhur kur ka qeverisur e djathta, sepse integrimi Europian i vendit është qëllimi madhor i shqiptarëve. Nëse qeveria mendon se ne do të heshtim për realitetin e papranueshem të manipulimit të zgjedhjeve, korrupsionit dhe krimit e ka gabim. Ky realitet është tashmë i konstatuar nga BE-ja si realitet i papranueshëm dhe nga institucionet ndërkombëtare. Opozita duhet të ndërtojë bashkëpunimin me BE-në dhe SHBA-në për ta ndryshuar këtë realitet në favor të interesave të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

z.Juncker është shprehur se: Mund t’i rekomandoj KE-së hapjen e negociatave. Pse faktori ndërkombëtar flet afrim të negociatave kur ju paraqini një panoramë tjetër?

Rekomandimi për hapjen e negociatave përfshin në një masë të madhe dhe konjukturat e reja gjeopolitike në ballkan dhe zgjerimin dhe kontrollin e BE-së në ballkan. Problemet që ka sot Shqipëria, janë në raportet e BE-së, SHBA-së, OSBE-së dhe opozita nuk ka shtuar asgjë nga ajo që mund të konstatojë çdo shqiptar për papunësinë, pasigurinë dhe korrupsionin. Largimi i shqiptarëve në mënyrë masive nga Shqipëria, tregon se në këtë vend po vritet shpresa dhe këtu qëndron detyra e opozitës për ta ringjallur shpresën dhe besimin.

Në bilancin e 2017, si ka qenë ky vit politik për Fatmir Mediun? 

Bilanci i këtij viti nga pikpamja ekonomike dhe ligjore është varfëri, korruspion dhe pasiguri. Krimi i organizuar nuk është më në mbështetje të qeverisë, por ka forcë për të kontrolluar vendimet e saja në nivel qëndror dhe lokal. Ky ishte viti i largimit masiv të shqiptarëve dhe blerjes masive të zgjedhjeve. Ishte viti ku qëllimisht u ekzekutua kushtetuta me qëllimin që kryeministri dhe qeveria të kontrolloje pushtetin gjyqësor. Vit i vështirë opozitar edhe për shkak të vetë opozitës.

SHKARKO APP