Mediu: Me PD kemi arritur parimin, Rama është i vetëm me disa kandidatë të blerë
Një nga aleatët historik të PD-së, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka folur pas marrëveshjes që partia e tij dakortësoi ditën e djeshme me opozitën. Sipas tij, me PD-në kanë arritur parimin e se kjo marrëveshje do të implementohet më 6 mars. Mediu tha se Partia Republikane ka shance që në Tiranë të kandidojë me dy deputetë.
”Besojmë se ishte një ditë pozitive pasi janë 14 subjekte të bashkuar në një koalicion ndërkohë që Edi Rama ka mbetur i vetëm me disa kandidatë të blerë apo të shitur në Kuvendin e Shqipërisë.Unë mendoj se qasja në pyetjen tuaj nuk është e drejtë, sepse nuk është listë e përbashkët e Partisë Demokratike është listë e përbashkët e koalicionit.
Kur flasim për peshë elektorale, Partia Demokratike në 140 kandidatë ka peshën e vetë sipas përqindjes që ajo ka marrë, partitë e tjera kanë peshën e tyre sipas përqindjes që kanë marrë. Duke e ndarë në qarqe elektorale, secili e di ku e ka vendin e vet. Por nuk duhet të neglizhohen ato parti të cilat nuk mund të përfshihen në këtë garë elektorale.
Kemi arritur parimin dhe në datën 6 kjo marrëveshje duhet të implementohet. Është e domosdoshme për ta parë implementimin e drejtë të kësaj marrëveshjeje. Po ta bësh analizën elektorale 2009-2013 të bashkëpunimit me PD, Partia Republikane ka shanset për të kandiduar në Tiranë me dy deputetë madje dhe pak më tepër se kaq. Pesha e partisë Republikane është në interes të Partisë Demokratike jo vetëm në qarqet kryesore por edhe në qarqet periferike”,-tha Mediu për ”Fax News”.