Mediu me strukturat në Paskuqan: Kemi një regjim të drejtuar nga një njeri që nuk pyet për ligj
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me strukturat e PR-së në Paskuqan, nga ku theksoi se Shqipëria nuk ka më gjykata dhe prej kohësh, dhe se nuk po respektohet Kushtetuta dhe liritë e të drejtat e qytetarëve.
”Edi Rama ka shkatërruar sistemin kushtetues dhe shtetëror në Shqipëri. Nuk ka më gjykata. Parlamenti është një parlament qesharak, por që luan tragjedi mbi kurrizin tonë për t’i shërbyer interesave të një regjimi korruptiv dhe nuk kemi më një qeveri, por kemi vetëm një regjim të drejtuar nga një njeri që nuk pyet as për Kushtetutë dhe as për ligj. Europa dhe të gjithë e shohin qartë dhe ne nuk mund të pretendojmë të jemi vendi i Bashkimit Europian për sa kohë nuk ka Kushtetutë, nuk ka shtet, nuk ka institucione, nuk ka liri dhe të drejta për gjithsecilin nga ne. Kjo është një thirrje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne të kuptojmë se kush është përpara; jemi ne apo është shteti. Ne e kemi ndërtuar shtetin për të na shërbyer ne, por për fatin e keq shteti është mbivendosur mbi ekonominë tonë, mbi jetën tonë, mbi të ardhmen tonë, mbi çdo gjë që ka të bëj me mundësinë për të ndërtuar ekonominë tonë familjare, ekonominë tonë kombëtare, për të ndërtuar lumturinë në Shqipëri”,-tha Mediu.
Nga ana tjetër, kreu i PR-së u ndal edhe tek pandemia që prej disa muajsh ka pushtuar vendin tonë. Mediu nënvizoi se qeveria shqiptare nuk ka bërë investime në shëndetësi për të përballuar pandeminë dhe se në fakt nuk po i mbështet qytetarët dhe bizneset ekonomikisht gjatë kësaj periudhe të vështirë.
”Pandemia i ka shtuar problemet dhe hallet. Jo vetëm për faktin se është një problem i madh shëndetësor dhe nuk po menaxhohet sepse nuk është investuar në shëndetësi, por sepse qeveria shqiptare si asnjë qeveri tjetër në rajonin e Ballkanit, nuk po mbështet qytetarët e vetë dhe nuk po bën investime për të përballuar pandeminë, por dhe për të ndihmuar ekonomikisht në mënyrë që ato biznese të vogla dhe të mesme të zhvillojnë nga pak ekonomi në mënyrë që të mos vuajmë një pandemi akoma më të gjatë që është pandemia ekonomike në vendin tonë. Ne jemi bashkë me Kosovën, vendet më të varfëra të Europës. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë, sepse ne nuk kemi një qeveri që të zhvillojë ekonomi, reforma në shërbim të interesve të qytetarëve, të ekonomive, të mbështetjes së biznesit dhe të punësimit, por e kundërta. I shkatërron ato për shkak të interesave për të përfituar. Të gjithë njerëzit e dinë se kush është Edi Rama. Të gjithë njerëzit e vuajnë qeverisjen e Edi Ramës. Të gjithë njerëzit se pranojnë dot frymën e sharjes e përbuzjes të përditshme të Edi Ramës”.
Në fund të takimit, Mediu i’u rikujtoi strukturave të Partisë Republikane se opozita ka si detyrë parësore që të krijojë një raport besimi mes qytetarëve dhe politikës, si dhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.